Berisha akuza Ramës: Kompania që do menaxhojë mbetjet pjesë e Ndranghetas

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi sot në Kuvend kryeministrin Edi Rama dhe Bashkinë e Tiranës. Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Berisha tha se Rama do të sjellë në Shqipëri për menaxhimin e grumbullimin e mbetjeve një kompani që në Itali është hetuar për lidhje me organizatën mafioze Ndrangheta.

Sipas Berishës, kompania që do kryej këto funksione në Tiranë është e përbërë nga dy kompani, AGS Verona dhe Amia Verona, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me drejtuesit e organizatës mafioze.

“Aktualisht kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit. Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të kësaj kompanie zbulon se ajo është e ndarë në: AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25%

Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga shtetasi Andrea Miglioranzi dhe është kompani private e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës. Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane të cilat janë hetuar nga prokuroria italiane si kompani nën kontrollin e organizatës kriminale ‘Ndragheta’. Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër I afërt I kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi”,- deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.

Berisha tha se ka “qenë deputeti i PS-së Artan Gaçi ai që është takuar fillimisht me drejtuesit e kësaj kompanie dhe më pas kryeministri Rama vizitoi dy herë Veronën.

Më tej Berisha shtoi: “Kjo kompani ka përdorur plehrat për të mbushur dhe ndërtuar autostradat në Itali. Por kjo nuk do të ndodh më sepse plehrat do vijnë të mbushin rrugët e Shqipërisë”.

Berisha ka reaguar dhe për situatën krijuar nga përmbytjet në vend. “Qytetarët nën terror nga përmbytjet në vend, Rama hapi ekspozitë. Seanca duhet të merret me këto probleme. Është mëkat të merresh me gjëra të tjera. S’të lejoj ty. Kthehet nga New York-u, me vrap nuk shkon në asnjë vend të përmbytur. Ju vidhni në dogana dhe shkatërroni prodhimet vendase. Pra, vrapon ky tani. Mbledh ca fshatarë të tjerë dhe u thotë se do u ndërtoj rrugë tek parcelat. A lyhet dy herë Liceu Artistik se zotërisë nuk i pëlqen ngjyra pana, por e donte mavi. Problem është shpërndarja e të ardhurave. Kujt t’ja thuash?”,- tha Berisha.

SHKARKO APP