Apeli i OSBE: Televizionet të mos transmetojnë më kasetat e partive

Në fushatat e fundit të zgjedhjeve është aplikuar nga të gjitha partitë modeli i përgatitjes së kronikave të gatshme televizive për aktivitetet e subjekteve politike. Media, për mungesë infrastrukture, investimesh, por edhe për servilizëm dhe shërbim politik ndaj partive i ka transmetuar ato të plota.

Ky proces kryhet në mungesë të plotë transparence. Publiku nuk e di që materiali filmik dhe teksti nuk është produkt i medias, por prodhim i zyrave të shtypit të partive. Në këtë rast media nuk kryen detyrën e saj ndaj opinionit, por vetëm bën një shërbim për partitë duke dhënë lajmet siç i intereson PS, PD apo partive të tjera dhe jo atë çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Fushata e vitit 2015 ishte më skandalozja nga etika gazetareske. Në të gjitha televizionet dhe shfaqeshin të njëjtat pamje, me të njëjtin tekst.

Lidhur me këtë problem është diskutuar sot në Forumin për Zhvillimin e Medias ku marrin pjesë drejtues të institucioneve mediatike dhe përfaqësues të organizatave të huaja që monitorojnë lirinë e medias në vend.

Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt ka dhënë një ide origjinale për të shmangur konfuzionin e reklamës politike (kastat e gatshme) me lajmin profesional. Ai ka thënë që këto materiale të partive mund të publikohen, vetëm se publiku duhet të jetë informuar që ato nuk janë prodhime gazetareske, por reklamë e partive për vetën.

“Profesionalizmi i medias, balanca dhe pavarësia në mbulimin e zgjedhjeve janë parakusht për zgjedhje demokratike. Ne jemi të shqetësuar për praktikën e përhapur gjerësisht ne Shqipëri të transmetimit të produkteve të njësive të Marrëdhënieve me Publikun të partive politike, në vend të raportimit të paanshëm mbi fushatat politike. Të ashtuquajturat “kasetat e partive” duhet të transmetohen vetëm si pjesë e programeve që etiketohen qartë si marketing politik. Nuk e theksoj dot mjaftueshëm që asgjë nuk mund të zëvendësojë një mbulim mediatik të prodhuar në mënyrë autentike dhe të pavarur”,- tha Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt.

Diplomati zbuloi dhe një prej rekomandimeve të OSBE-së që pak është përmendur nga ana e partive politike këto ditë dhe që ka të bëjë më shfuqizimin e  neneve në Kodin Zgjedhor që lejon filmimet e prodhuara nga partitë politike të transmetohen në lajme.

Partitë nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për shumë nga pikat e Kodit Zgjedhor. Por duket se për çështjet që kanë të bëjë më interesin e tyre, siç është transmetimi i reklamave politike, kanë rënë të gjitha dakord.

Mbetet të shihet sesi do të vendoset në ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Të paktën qytetarët duhet ta dinë se kur po shohin lajme dhe kur reklama të paguara politike, apo qoka gazetareske të maskuara si lajme.

SHKARKO APP