Çfarë është procesi i Vettingut, si funksionon dhe pse duhet në Shqipëri?
Vettingu është procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik, të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës dhe në këtë mënyrë, rikthehet besimi i publikut në punën e institucioneve shtetërore. Procesi i vetingut, si rregull, kryhet duke kontrolluar figurën e dikujt përpara se t’i ofrohet një vend pune. Në varësi të vendit të punës ose të projektit, procesi i vetingut mund të bazohet në kontrollin e aftësive, personalitetit, pasurisë ose të ndonjë faktori tjetër që lidhet me qëllimin e vetingut.
Pse duhet procesi në Shqipëri
Në Shqipëri, procesi i vetingut është çmuar si thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi për shkak se një sistem drejtësie i pavarur dhe i paanshëm ndikon në vendosjen e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vend. Sondazhet kanë treguar që shumica e shqiptarëve besojnë që sistemi i drejtësisë është më i korruptuari dhe i mungon profesionalizmi dhe pavarësia.
Kush është baza ligjore e procesit të vetingut në Shqipëri?
Më 22 korrik 2016, Kuvendi miratoi ndryshimet e Kushtetutës që reformonin sistemin e drejtësisë. Këto amendamente ndryshuan “fytyrën” e sistemit të drejtësisë dhe synojnë që ta bëjnë më të pavarur, të paanshëm dhe eficent. Në ndryshimet e parashikuara në kushtetutë, ndër të tjera, janë vendosur edhe dispozita për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri. Më pas, u miratua edhe ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur gjerësisht si ligji i vetingut, që përcakton kriteret dhe procedurën që duhet ndjekur për procesin e vetingut. Duhet vënë në dukje që ky ligj ishte i pari ndër më shumë se 20 ligje të tjera të nevojshme për zbatimin e reformës në drejtësi sipas parashikimeve të ndryshimeve kushtetuese.
Rëndësia e tij e veçantë tregohet edhe nga fakti që ligji u miratua në një seancë plenare të jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë, me datën 30 gusht 2016.
Kush i nënshtrohet vetingut
Sipas ligjit të vetingut, janë subjekte të rivlerësimit, pra që i nënshtrohen procesit të vetingut, personat e mëposhtëm:
– Të gjithë gjyqtarë, duke përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.
– Të gjithë prokurorët duke përfshirë edhe Prokurorin e Përgjithshëm.
– Kryeinspektori si dhe të gjithë inspektorët e tjerë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
– Të gjithë këshilltarët ligjor pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësit ligjorë pranë gjykatave administrative dhe ndihmësit ligjorë pranë Prokurorisë të Përgjithshme.
– Ish-gjyqtarët, ish-prokurorët, ish-këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet, në rast se paraqesin kërkesë për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit.
Mbi çfarë çështjesh do të vlerësohen subjektet e mësipërm
Procesi i vetingut bazohet në:
– vlerësimin e pasurisë
– kontrolli i figurës
– vlerësimi i aftësive profesionale
Vlerësimi i pasurisë
– Subjektet që i nënshtrohen vetingut si dhe çdo person tjetër i lidhur me te plotëson deklaratën e pasurisë dhe së bashku me të gjitha dokumentet që justifikojnë pasurinë e deklaruar e dërgon pranë ILDKPKI-së brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.
– ILDKPKI-ja, bazuar në deklarimet e pasurive, zhvillon një procedurë të plotë kontrolli dhe jo më vonë se 180 ditë nga dita e depozitimit të deklaratës së pasurisë dërgon një raport të hollësishëm nëse ka apo jo probleme me pasurinë e deklaruar.
Kontrolli i figurës
– Subjektet që i nënshtrohen vetingut plotësojnë një deklaratë për kontrollin e figures e cila ka si qëllim deklarimin nëse subjekti ka pasur kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar.
– Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar fillon menjëherë procedurën e kontrollit të figurës dhe verifikon nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar. Vërtetimi i kontakteve të papërshtatshme mund të kryhet nëpërmjet fotografive, dëshmive, telefonatave, shkëmbimi i parave, favoreve, dhuratave ose pasurive, pjesëmarrja ose prania në takime me një ose disa persona të përfshirë në krimin e organizuar.
– Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar duhet të paraqesë një raport jo më vonë se 100 ditë nga data e ngritjes së grupit të punës përgjegjës për verifikimin e deklaratës për kontrollin e figurës.
Vlerësimi i aftësive profesionale
– Subjektet që i nënshtrohen vetingut plotësojnë një formular për vetëvlerësimit profesional brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të ligjit të vetingut.
– Organi që kryen vlerësimin rishikon dokumentet ligjore të përpiluara nga subjekti që i nënshtrohet procesit të vetingut dhe jo më vonë se 90 ditë nga dita e depozitimit të formularit të vetëvlerësimit profesional përgatit një raport të hollësishëm dhe të arsyetuar.
– Subjekti i vetingut mund të vlerësohet si “i aftë”, “me mangësi” ose “i papërshtatshëm”.
– Subjektet që vlerësohen “me mangësi” mund t’i rekomandohet pezullimi nga detyra dhe detyrimi për të ndjekur programin e trajnimit për një periudhe 1-vjeçare, ndërkohë që për subjektet që vlerësohet si “të papërshtatshëm” shkarkohen nga detyra.
Kush e kryen vetingun
Procesi i vetingut kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe komisionerët publik në bashkëpunim me vëzhguesit ndërkombëtar. Komisioni organizohet në 4 trupa gjykuese të përbërë nga 3 anëtarë, të cilët caktohen me short, ndërkohë që Kolegji i Apelimit gjykon në trupa gjykuese të përbërë nga 5 gjyqtarë.
Cila është procedura që ndiqet për vetingun
Anëtarët e Komisionit si dhe vëzhguesit ndërkombëtar hetojnë çdo fakt dhe vlerëson çdo rrethanë të nevojshme për procedurën e rivlerësimit, mbledhin prova nëpërmjet vetëdeklarimeve të subjekteve që i nënshtrohen vetingut, të marrë dokumente të tjera shkresore, sipas formave të parashikuara në ligj ose dokumenteve të marra nëpërmjet mjeteve fotografike, të regjistrimit ose mjeteve të tjera teknike si dhe të këqyrin dhe të kontrollojnë sende të luajtshme ose të paluajtshme.
Ata kanë akses të plotë në çdo të dhënë, veçanërisht të dhënat personale apo të dhënat që lidhen me punësimin, të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme, llogaritë bankare dhe të dhënat tatimore, të dhënat mbi marrëdhënie të mundshme biznesit, veprimtaritë tregtare ose të dhëna të tjera financiare.
Komisioni zhvillon seancë dëgjimore në përputhje me rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative.
Komisioni ka të drejtë të marrë në pyetje subjektin që i nënshtrohet vetingut. Subjektit mund t’i drejtojë pyetje edhe vëzhguesi ndërkombëtar, nëse ai pranon të përgjigjet. Subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të refuzojë t’u përgjigjet pyetjeve.
Komisioni, në përfundim të procesit, mund të vendosë konfirmimin në detyrë, pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës ose shkarkimin nga detyra. Në rastin e ish gjyqtarëve dhe ish prokurorëve dhe këshilltarëve ligjor Komisioni mund të vendosë emërimin si gjyqtar ose prokuror ose refuzimin për ta emëruar si gjyqtar apo prokuror.
Subjekti që i nënshtrohet procesit të vetingut dhe/ose Komisioneri Publik kanë të drejtë që të ankohen ndaj vendimit të Komisionit në Kolegjin e Apelimeve 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Për sa vite do të zbatohet procesi i vetingut
Procesi i vetingut është parashikuar të zgjasë 9 vite, pra deri në 2024.
A po zbatohet ligji i vetingut?
Ligji i vetingut ishte ligji i parë që u miratua nga Kuvendi pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, që hapën rrugën për zbatimin e reformës në drejtësi. Ligji hyri në fuqi me datë 7 tetor 2016, megjithatë zbatimi i ligjit u pezullua nga Gjykata Kushtetuese me 25 tetor 2016.
Çfarë procedure po ndiqet në Gjykatën Kushtetuese për ligjin e vetingut
Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Kushtetuta i jep të drejtën të paktën një të pestën e anëtarëve të Kuvendit që të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkoi deklarimin e ligjit të vetingut si në kundërshtim me Kushtetutën dhe, gjatë periudhës që gjykata duhet të shqyrtonte kërkesën dhe të merrte një vendim përfundimtar, pezullimin e zbatimit të ligjit. Siç u përmend më sipër, me 25 tetor 2016 Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë zbatimin e ligjit. Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion mbi përputhshmërinë e ligjit të vetingut me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Komisioni i Venecias u shpreh që ligji i vetingut është në pajtueshmëri me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën e Shqipërisë. Megjithatë, vendimin përfundimtar mbi pajtueshmërinë ose jo të këtij ligji me Kushtetutën duhet ta marrë Gjykata Kushtetuese.
Marrë nga “Lex Ferenda”