Asambleja e PS/Tahiri: Vitin tjetër, rezultate të paimagjinueshme kundër drogës

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri premtoi luftë të pa imagjinueshme kundër drogës vitin e ardhshëm.

Gjatë fjalës së mbajtur përpara Asamblesë së Partisë Socialiste, ku renditi edhe sukseset e Policisë së Shtetit, ministri veçoi këtë premtim për vitin e ardhshëm.

Tahiri: Dhe për vitin tjetër, me strategjinë për luftën kundër drogës, do të kemi rezultatet më të pa imagjinuara në këtë luftë.

Fjala e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në Asamblenë e PS:
 
Të nderuar kolegë, 
 Nuk ka nevojë të kthehesh larg në histori, për të kujtuar sa fushata janë bërë duke u trokitur në derë qytetarëve që u janë përmbyur shtëpitë. 
 Besoj e kujtoni si kanë ardhur deputetë e përfaqësues lloj lloj në secilin prej qyteteve që ju përfaqësoni. Lulzim Basha vishte edhe çizme të gjata madje.
U trokisnin në derë atyre që fatkeqësia natyrore u kishte zënë derën, dhe me atë stilin “Ju  flet Tirana”, duke fërkuar një herë ndonjë kurriz njeriu por jo rrallë, kohët e fundit, edhe kurriz kafshësh, lopë e dhi, akuzonin qeverinë se po i harronte, dhe se kur të ktheheshin prapë këta, do i jepnin zgjidhje. 
Kur të kthehen me mend të tjera, se kur ikën, i lanë shqiptarëve të përmbytur në 18 vjet, plot 16 milion usd borxh. Për kë nuk i ka qef këto shifrat me shumë zero, ka dhe më thjesht. 
Këta që duan të kthehen, kur ikën lanë në rezervat e shtetit, vetëm 80 kg sheqer nga minimumi 40.000 kile dhe zero kile fasule, nga 40.000 kile fasule që duhet të linin. 
 Ndërkohë që buxhetin e Emergjencave Civile e gjetëm “plot”  570 dollarë.
 Në këto 3 vjet, shlyem borxhin e trashëguar nga fatkeqësi të së kaluarës dhe detyrimin nga përmbytjet që ndodhën, duke shpërblyer dëmet për 5.418 familje në vlerën e 17.4 milion usd. 
 E duke filluar nga sot, dëmshpërblejmë 2.500 familje në vlerën e 4.5 milion USD. 
Qarku Tiranë     –  përfitojnë 594 familje
 Qarku Fier         –  përfitojnë 513 familje
 Qarku Elbasan  – përfitojnë 508 familje
 Qarku Berat       – përfitojnë  92 familje
 Qarku Durrës     – përfitojnë 489 familje
 Qarku Lezhë       – përfitojnë 120 familje
 Qarku Vlorë        – përfitojnë  175 familje
 Qarku Korçë       – përfitojnë    7 familje
 Një qeveri mund të zgjidhte ndryshe. T’i linte në fatin e vet këto familje, kështu kanë bërë në të kaluarën. 
 Kryeministri Rama dhe qeveria, vendosën të dëmshpërblejnë në vlerë të plotë. 
 Kjo na bën qeveri solidare, sociale, që mbështet ata ndër ne që kanë më shumë nevojë.
Ndaj është koha jonë për tu trokitur derë më derë të gjithë qytetarëve që dëmshpërblehen. Ti bëjmë me dije se nuk i kemi harruar, se jemi aty për t’i mbështetur e për t’u bërë bashkë, atëherë kur secili prej nesh është në vështirësi. 
T’i kujtojmë rrenat e atyre që ishin e që shkojnë prapë sot si të rinovuar. 
Prej 2 ditësh, MPB ka shpërndarë listën e qytetarëve përfitues në çdo bashki si dhe dëmshpërblimin për t’u tërhequr në çdo zyrë postare. 
 Kjo është një arsye më shumë për të trokitur në derën e qytetarëve që presin dëmshpërblim. Për t’i bërë me dije e për t’i ndihmuar të shkojnë të tërheqin dëmshpërblimin.
Të nderuar kolegë,  të drejtosh MPB është përgjegjësi jo e vogël, duke parë çfarë trashëguam, angazhimet tona e mbi të gjitha, pritshmërinë e lartë të publikut. 
 Ndaj dua t’ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin tuaj. Ka shumë shumë gjëra që mund t’i kishim bërë ndryshe, ka shumë gjëra që duhet ti bënim edhe me koston e keqkuptimit mes nesh, siç ka shumë të tjera që presin ende për t’u bërë, sepse punët që kemi nisur, kërkojnë kohë por më shumë se kaq, mirëkuptim. 
Mes nesh, e pastaj patjetër mes nesh dhe qytetarëve që me plotë të drejtë presin më shumë. 
 I kam kuptuar dhe i kuptoj vështirësitë e Limanit në Kukës, durimin e Flamurit dhe këmbënguljes së Tërmetit, hallet e Fadilit, apo shqetësimet e Qazimit, përfshirë edhe disa nisma për sigurinë që Elbasanin e bëjnë vërtetë kampion për nga vetëdija dhe vëmendja te përpjekja e përbashkët për qytete dhe komunitete të sigurta. 
 Do zgjatesha po t’i përmendja të gjithë me emër, por në këto kohë, kemi pasur rast të bëjmë punë të mira e të gjejmë rrugë për të ecur përpara me ato që nuk kemi bërë ende.
 Ndaj ju falënderoj edhe një herë, kolegët deputet, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare. 
 Është ndoshta e tepërt të zgjatem tek sesi e gjetëm policinë. 
 Pa mjete, pa uniformë, të shkalafitur nga të gjitha anët, por mbi të gjitha, të tradhëtuar në besim, nga eprorët, duke tradhëtuar mbi të gjitha, besimin e qytetarëve te vetë policia. 
 Sot Policia e Shtetit është në krye të detyrës. Duke i shërbyer qytetarëve, ndaj është institucioni më i besuar krahasuar me çdo institucion tjetër në vend. 
Zyrat e Shërbimit Unik, në çdo qark e në shumicën e komisariateve, veç shërbimit të shpejtë, me transparencë e mbi të gjitha pa korrupsion, ka ndryshuar së pari vetë perceptimin e detyrës dhe mentalitetin e policit, duke e bërë të qartë se ky është e mund të vazhdojë të jetë në detyrë vetëm duke shërbyer.
 Sot nuk ka rëndësi nëse shkon të denoncosh vjedhjen e patentës, apo të makinës.
Polici shërben njëlloj, e puna e tij matet vetëm nga sa e si i shërben qytetarëve. 
Deri dje, kjo as imagjinohej. Sot është themeli i punës tonë. Sepse më shumë shërbim, dmth më shumë besim. E më shumë nbesim nga qytetarët, dmth më shumë siguri. 
 Për t’ju dhënë një shembull, vetëm në numrin unik 112 në Tiranë, nga 11.000 telefonata nga qytetarët përpara se të merrja detyrën, sot janë mbi 66.600, gjë që tregon besim nga qytetarët, por që na detyron ne më shumë përgjegjësi dhe shërbim ndaj tyre. 
 Dua të falenderoj secilin prej jush, që ka kontribuar, duke sjellë te mua shqetësimet e qytetarëve. Ashtu siç do ju kërkoja me shumë dashamirësi të sillni problemet që hasni përditë me policinë, jo apo cilido nga qytetarët që takoni.
 Kjo është e vetmja mënyrë për t’i shërbyer akoma më shumë njerëzve, por edhe një mënyrë mjaft e mirë për të monitoruar vazhdimisht punën e Policisë në çdo qytet e lagje. 
 Unë nuk e them për egzagjerim e as për krenari, por sot Shqipëria është vend shumë më i sigurt sesa 3 vjet më parë. 
 Numri i vrasjeve është më i vogli krahasuar me çdo vit të 25 viteve të kaluara. 3 herë më pak vrasje se në kohën kur në detyrë ishte qeveria e kaluar. 
 Por kemi numrin më të vogël të vrasjeve për 100.000 banorë, krahasuar edhe me gati gjysmën e vendeve të BE.  Po kështu plagosjet, vjedhjet, e thuajse çdo vepër penale. 
 Pavarësisht vrrullit të pashembullt të opozitës, ndaj meje e ndaj policisë, me nga 2 e 3 deklarata çdo ditë, sot kemi pa asnjë diskutim një Shqipëri më të sigurt se kurdoherë tjetër. 
 Raportet e DASH, të BE dhe të të gjithë parterëve, janë konfirmim i vazhdueshëm për gjithçka kemi bërë në luftën kundër krimit të organizuar, kundër korrupsionit, kundër paligjshmërisë dhe informalitetit, e mbi të gjitha, edhe në luftën kundër drogës, së fundmi çështje dite e PD për t’iu shmangur reformës në drejtësi. 
Policia e Shtetit ka gjurmë të fortë në thuajse të gjitha reformat që kemi ndërmarrë, nga prerja e lidhjeve të paligjshme të energjisë, lufta kundër ndërtimeve të paligjshme, lufta kundër informalitetit në tregun e hidrokarbureve dhe informalitetit në ekonomi.
 Janë mbi 100 milion euro asete kriminale të sekuestruara e po 100 milion euro dëm i provuar nga hetimet për evazion fiskal e kontrabandë, ashtu siç janë po kaq përfitimet në buxhetin e shtetit nga lufta kundër pikave të paligjshme të lojrave të fatit (150 milion euro/vit) dhe luftës kundër paligjshmërisë dhe krimeve ekonomike. 
 Sot punonjësi i Policisë ka uniformë të re, pajisje të reja, po rinovojmë mjetet e policisë, duke futur për herë të parë në shqipëri dhe në të gjitha rajonin e ballkanit, makinat që nuk furnizohen me karburant por vetëm me energji elektrike, falë edhe ndihmës së OSHE.
 Ndërkohë, puna e përditshme monitorohet nga kamerat e trupit e po kaq, nga Komisariati Dixhital, i cili është jo vetëm mënyra më e mirë për të denoncuar pa t’u dashur fare të shkosh në një komisariat, por të lejon edhe të monitorosh punën e policisë lidhur me denoncimin tënd por edhe me denoncimet e tjera që bëjnë qytetarët.
 Dhe për vitin tjetër, me strategjinë për luftën kundër drogës, do të kemi rezultatet më të paimagjinuara në këtë luftë.
 Gjetëm policinë më të moshuar të rajonit, me moshë mesatare 48 vjeç, ndërkohë që sot punonjësit e rinj të policisë janë model i padiskutueshëm, me sjellje korrekte, komunikim etik me qytetarët, dhe shërbim shembullor ndaj publiut. 
 Gjetëm policinë më të paarsimuar të rajonit, e ndërkohë sot kemi një universitet në polici, akademia e lartë e sigurisë, pikërisht pse ne besojmë që përpjekja për ta bërë vendin më të sigurtë, fitohet jo me muskuj por me mënd. 
 Sigurisht ka shumë punë për të bërë. Ndaj jemi të fokusuar të lufta kunër korrupsionit në polici. Janë gati 3.000 punonjës policie, 23% e të gjithë policisë, në procedim penal e disiplinor për shkelje të ligjit, abuzim me detyrën, korrupsion e shkelje të tjera gjatë detyrës. 
 Mjafton kjo shifër për të kuptuar jo vetëm ç’kemi trashëguar por edhe sfidën tonë për të ndërtuar integritet në polici, me punonjës që refuzojnë korrupsionin dhe bahksishin. 
 Besoj dallimin e keni ndjerë të gjithë. Tashmë nuk është ndër gjerat më të lehta t’i japësh para policit rrugor, për më tepër kur vetëm këtë vit janë rreth 50 qytetarë që janë arrestuar nga polici rrugor për dhënie rryshfeti, dhe vetë polici që deri dje presupozohej të merrte paratë, sot të arreston. 
 Ka mjaft për të bërë ende. Sot nuk ka më asnjë cm2 ku policia nuk shkel, nuk ka më asnjë njeri deri dje të konsideruar si të paprekshëm, që nuk vë rripin e sigurimit, që nuk ndalon te semafori, dhe t’i bindet çdo polici. 
 Por ka ende shumë shumë punë për të bërë, e ndaj duhet ndihma juaj dhe e çdo qytetari. Për ti shërbyer më mirë akoma, e për t’i bërë lagjet, qytetetet e komunitetet më të sigurta. 
 Këtë javë fillojmë “Popullimin”, trokitjen derë më derë për të konfirmuar kush banon ku. 
 Me ligjin për Gjendjen Civile që miratuam këtë vit në parlament, bëjmë zero taksën e ndrrimit të adresës për 5 muajt e ardhshëm. 
 Ju kujtohet sa kemi vuajtur veçanërisht në opozitë, duke nxitur qytetarët të ndërronin adresën pasi figuronin në listat zgjedhore të një QV ndërkohë që vetë jetonin në një QV tjetër, ose në ndonjë cep tjetër të qytetit, ose më keq akoma, në një qytet tjetër.
 Dhe një ndër vështirësitë, ishte pagesa e 30.000 lekë për çdo ndërrim adrese në gjendjen civile. 
 Me këtë ligj, nga Janari e 5 muaj në vijim, këtë tarifë e bëjmë zero, duke bërë të mundur garantimin e të drejtës themelore të qytetarëve, të drejtën e votës.
 Ndaj ka shumë rëndësi që këtë ta konsiderojmë një motiv më shumë për të trokitur te qytetarët. Për t’i lajmëruar, për t’i ndihmuar e për t’i nxitur që të mos hezitojnë të ndrrojnë adresën në mënyrë që vendi ku jetojnë realisht, të jetë edhe e vërteta zyrtare që njeh shteti. 
 Kjo padyshim ndihmon për të garantuar të drejtën që këta qytetarë të votojnë, por vë në pozita shtetin, për t’i shërbyer më mirë këtyre qytetarëve. 
 Po kështu me popullimin. Procesin e trokitjes derë më derë, për të hequr një herë e mirë errësirën, kaosin dhe amullinë, sipas meje lënë kështu jo pa shkak, me thuajse 1/5 e popullsisë që jeton në Shqipëri, por që shteti zyrtarisht nuk e di se ku. 
 Edhe ky është një motiv për të trokitur në çdo derë. Për të biseduar, për t’i bërë me dije qytetarët, për t’i asistuar, për t’i dhënë shërbim nëpërmjet strukturave shtetërore në çdo bashki. 
 Kjo është mënyra më e mirë për të këmbëngulur që qytetarët të shërbehen, që administrata të punojë, e që ne bashkarisht të ndihmojmë e të monitorojmë që puna të bëhet shpejt e mbi të gjitha, pa korrupsion. 
 Kemi humbur shumë kohë në të kaluarën por kemi shumë mundësi ta fitojmë kohën ndaj meqë dhe Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë Vettingut dje kjo na shton angazhimin tonë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe qytetarët më në fund shikojnë përmbushje të një angazhimi tonë, angazhimit tonë madhor që është reforma në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht ngritja dhe funksionimi i BKH për të luftuar përfundimisht krimin e organizuar, korrupsionin dhe kulturën e pandëshkueshmërisë.
Ju faleminderit shumë për besimin!

SHKARKO APP