“Četnik Toma” me shpatë në dorë: serbët tallen me presidentin e tyre

Kishte edhe komente pa humor, për shembull ky: “Në mëngjes në linjën e rregullt Kralevë-Mitrovicë treni shkoi dhe u kthye krejt normalisht, pa asnjë problem, kaq sa i përket pretendimit se shqiptarët duan konflikt. Mendoj se konflikt donin ata që e gëlqerosën trenin”.

Nga Enver Robelli

Në rrjetet sociale po qarkullon fotografia e një treni me simbole kombëtare shqiptare. Kjo është përgjigjja e publikut shqiptar të Facebookut ndaj trenit serb me parullën “Kosova është Serbi» dhe me ikonografi ortodokse. Ka aty-këtu edhe ndonjë anekdotë të mirë të palës shqiptare ndaj dalldisë së fundit nacionaliste serbe. Por në sportin e shpotitjes së politikës dhe politikanëve serbët janë më kreativë se shqiptarët. Një përdorues i Twitterit shkroi: “Vija e ardhshme të cilën do ta hapim është: Serbia deri në Tokio”, “Srbija do Tokija”, një referencë në parullën e viteve ’90 të nacionalistëve serbë, kur kishte nisur zbatimi në praktikë i planit për Serbinë e Madhe.

Një tjetër postoi këtë shënim: “Nga lajmet e rajonit veçojmë: treni nga Beogradi në Mitrovicën e Kosovës është kthyer në kufirin kosovar për shkak të gabimeve të shtypit”. Treni është prodhim rus dhe mediat serbe njoftuan se shumë informacione në vagonë ishin shkruar me një serbishte të mjerueshme – përkundër vëllazërisë së madhe sllave. Duket se në Rusi njohësit e gjuhës serbe janë të rrallë. “Na shpërtheu goma!… Duhet të kalojmë në tren!” – këto fjalë janë pjesë e dialogut në komedinë “Ko to tamo peva”, e cila me dekada ka argëtuar miliona njerëz nga Sllovenia në Maqedoni. Një përdorues Twitteri i zgjodhi këto fjalë për t’u tallur me trenin e kryeministrit Aleksandar Vuçiq.

Një tjetër dashakeqës shkroi në mediat sociale: “Qytetarët e entuziazmuar i brohorasin trenit përgjatë rrugës”. Kështu, në të vërtetë, ka qenë vetëm në epokën e shokut Tito, kur ai me trenin e tij të kaltër shëtiste nga qyteti në qytet në Jugosllavinë e tij. “S’është gjë puna e këtij treni nëse në të nuk këndon Ivica”, shkroi në Twitter Lazar Laziq. Fjalën e kishte për Ivica Daçiqin, i cili kur nuk bërtet parulla kërcënuese e nacionaliste i pëlqen të këndojë. Daçiq rrjedh nga komuna Zhitorada në jug të Serbisë, aty ku hapat e parë në muzikë i ka bërë edhe Ceca, mbretëresha e turbo-folkut serb dhe ish-gruaja e deputetit të “Kosovës e Metohisë» Arkan, një kriminel lufte i vrarë më 15 janar 2000, pra para 17 vitesh. Gjatë vizitës së fundit të Edi Ramës në Beograd Daçiq ka treguar se i ka kënduar kryeministrit shqiptar për ditëlindje këngët “O, sole mio» dhe “Santa Lucia”. Në rrjetet sociale nuk kanë munguar edhe klishetë e njohura kundër shqiptarëve si shitës të akulloreve dhe farërave, bartës thëngjilli, druvarë. Njëri ka shkruar në Twitter: “Sad kad na granici ulete šiptari pa: kokice, kikiriki, semenke». (“Kur të hidhen shqiptarët në kufi dhe: pupagjela, kikirikë, farëra»).

 Gjatë të dielës kanë qenë në formë edhe komentuesit në webfaqen e radios dikur të famshme B92. Më së shumti është tallur presidenti Tomislav Nikoliq, i cili për një takimi në Shtabin e Përgjithshëm të Armatës është kërcënuar se do t’i prijë vetë ushtrisë për t’u kthyer në Kosovë – “nëse shqiptarët i vrasin serbët». Një lexues ka shkruar: “Tregoni kur doni të filloni luftën, që në Horgosh (në kufi me Hungarinë) të shkruaj parullën <i fundit që del, le ta ndalë dritën>». Një tjetër: “Si do t’ju dukej, zoti president, nëse Hungaria do ta niste një tren me destinacion Novi Sadin me mbishkrimin <Vojvodina është Serbi>». Një lexues ka thënë se stuhia e re nacionaliste me tren është “një arsye më shumë për të braktisur këtë vend», ndërsa një komentues me cinizëm ka shtuar: “Pas 18 vitesh Serbia sërish do ta shpëtojë NATO-n».

Kishte edhe komente pa humor, për shembull ky: “Në mëngjes në linjën e rregullt Kralevë-Mitrovicë treni shkoi dhe u kthye krejt normalisht, pa asnjë problem, kaq sa i përket pretendimit se shqiptarët duan konflikt. Mendoj se konflikt donin ata që e gëlqerosën trenin”. Një lexues tjetër e ka komentuar krejt situatën me ironi dhe në kontekst rajonal: “Po, po, shqiptarët, kroatët, maqedonasit, malazezët janë fajtorë, ndërsa ne po mbjellim lule». Presidentit Nikoliq i është përmendur disa herë në komente shtëpia e tij e pushimit afër Beogradit, të cilën akuzohet se e ka ndërtuar ilegalisht. Klithmat nacionaliste të Nikoliqit disa lexues i kanë parë edhe si tentim për të mobilizuar elektoratin nacionalist para zgjedhjeve presidenciale, në të cilat Nikoliq me gjasë do të kandidojnë për një mandat të dytë. “Shqiptarët luftë, ti një mandat të ri. Kjo s’do të kalojë».

Një lexues e ka këshilluar Nikoliqin të shkojë vetë në Kosovë me tren dhe të mos sakrifikojë jetën e qytetarëve të pafajshëm. Një tjetër ka folur për situatën në kryeqytetin serb: “Dilerët e drogës po luftojnë në Beograd, benzina, kafeja dhe cigaret dhe çdo gjë tjetër po shtrenjtohet, atëherë pushteti i paaftë duhet të luftojë me ndokënd». Përballë të gjitha provokimeve nga pala serbe një lexues ka shkruar: “Pastaj ne habitemi që të gjithë fqinjët na urrejnë dhe na quajnë rusët e vegjël». Një lexues ka treguar mirëkuptim për reagimin e shtetit të Kosovës. Ai ka shkruar: “E ne trenin me parullën Kosova Republikë dhe me ngjyrat e flamurit shqiptar do ta kishim pritur me lule dhe askush nuk do të kishte thënë se ky është provokim». Lexues të tjerë kanë komentuar shkurt: “mos na trajtoni si budallenj», “nëse fillon lufta, unë shkova», “nuk e di për ju të tjerët, por mua disi s’po më luftohet». Sjelljen e presidentit serb një lexues e ka përshkruar me fjalën osmane: “Baksuz”.

Dialogplus.ch

SHKARKO APP