Basha në Uashington. PD: Takime me bashkëpunëtorë të Trump
“Me ardhjen e presidentit Trump nis një erë e re, jo vetëm për Amerikën por edhe për Shqipërinë. Personalitete të larta politike, bashkëpunëtorë të Presidentit Trump, anëtarë të Kongresit dhe Senatit i kanë shprehur Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbështeje në garën e ardhshme elektorale, si dhe për zbatimin e projektin e tij politik, për një Shqipëri të zhvilluar, Shqipërinë e mundësive për të gjithe, gjatë takimeve në Uashington”,- thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga Zyra e Shtypit në PD.
I ftuar në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni, Heritage, për inaugurimin e Presidentit Trump, Basha u takua me Newt Gingrich, një ndër këshilltarët më të afërt të Presidentit Trump. Zgjedhjet në SHBA, tha zoti Basha, janë një model frymëzimi edhe për Shqipërinë, për bashkimin e qytetarëve me besimin te demokracia, te vota e lirë e cila nuk mund të mposhtet nga asnjë aleance kundër interesit qytetar.
Lulzim Basha ishte i ftuar në një drekë pune nga Kongresmeni dhe kryetari i Komisionit për Europën, Dana Rohrabacher, një njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri dhe mbështetës i madh vendit tonë.
Kryetari i opozitës i shprehu kongresmenit nevojën e madhe që ka Shqipëria për mbështetjen e SHBA, në një kohë kur standardet demokratike janë cënuar rëndë, media është nën presionin qeveritare, droga dhe korrupsioni po cenojnë mirëqënien e qytetarëve, nevojën për zbatimin e plotë të dekriminalizimit dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha mori në këtë takim premtimin për angazhimin personal të kongresmenit për të ndihmuar në garantimin e zgjedhjeve te lira dhe të ndershne, zbatimin e standardeve demokratike, dhe në mbështetje të reformave ekonomike dhe qeverisëse që do të ndërmarrë Partia Demokratike në pushtet.
Në takimin me Presidentin e Fondacionit Heritage, Senatorin Jim DeMint, u diskutua për reformat për çlirimin e ekonomisë shqiptare nga monopolet, oligopolet e klientelizmi dhe krijimin e një ekonomie të vërtetë tregu. Presidenti DeMint e siguroi z.Basha se në këto përpjekje, PD do të ketë ekspertizën dhe mbështetjen e Fondacionit Heritage. Gjatë qendrimit në SHBA, Lulzim Basha ishte i ftuar në pritjen e organizuar nga Senatori Ted Cruz, kandidat për zgjedhjet për President, një jurist i njohur, prokuror dhe avokat i suksesshëm i Shtetit të Teksasit dhe njohës i rrallë i politikave publike. Senatori Kruz ndau me z.Basha idetë dhe praktikat më të mira që ndiqen dhe në SHBA për të luftuar korrupsionin dhe forcuar drejtësinë. Z.Kruz e siguroi z.Basha se do të ketë mbështetjen e tij në projektin për një Shqipëri të drejtë dhe të mundësive për të gjithë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, z.Basha theksoi se kjo vizitë konfirmoi interesimin e thellë të Uashingtonit për përparimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, ku në qendër do të jetë qytetari, vota e qytetarit, ku zëri i qytetarit do të përbëjë ndryshimin e vërtetë. “Unë do të mbështetem fuqimisht tek ky shembull dhe kam besim të madh se ky shembull jo vetëm do mbështesë por edhe do të frymëzojë një ndryshim të madh dhe të shpejtë në Shqipëri”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe lideri i opozitës, Lulzim Basha gjendet në Uashington i ftuar në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Trump, nga Komiteti Kombëtar Republikan, përfaqësues të shumicës në Kongresin Amerikan dhe të Partisë Republikane.