PS: Më mirë qeveri me Bashën sesa me Metën
Qeveri PS-PD? Duket se PS e ka menduar me kohë një qasje të tillë, derisa e ka shprehur edhe deputeti socialist Vladimir Kosta. Në një prononcim për citynews deputeti i PS-së ka thënë, pas akuzave të ministrave Koka e Manjani, se ““Ndarja me LSI është e vonuar. Nuk na bashkon asgjë me ta. Ky mund të jetë një qëndrim më radikal, por më mirë të qeverisë PS-PD se sa me Ilir Metën në koalicion. Duhet menjëherë të ndahemi nga LSI”. Pra nisur dhe nga deklarata të deputetëve të tjerë të PS-së gjatë këtyre ditëve si dhe mënyrës së si po hesht selia rozë ndaj tyre duket se takimi i Vjenës në gushtin e kaluar mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, ka një projekt konkret. Pra kulisat tregojnë, siç e pohon dhe deputeti i PS-së Kosta, se “më mirë një qeveri me PD-në se sa me Ilir Metën”. Këtë gjë tha pardje edhe deputeti i PS-së Pjerin Ndreu, por në një mënyrë me të moderuar. Pjerin Ndreu shkroi se LSI të ikë sa më shpejt nga qeveria me PS.
Këto deklarata të deputetëve të PS-së vijnë sapo Ilir Meta u prit në Kongresin dhe Senatin Amerikan, bile nga Presidenti i Senatit, i partisë së Presidentit Trump.
Krisja është shumë e fortë në koalicionin PS-LSI. Akuzat e ministrit Lefter Koka, të cilat pasuan ato të ministrit tjetër të LSI, Ylli Manjani, përforcuar nga deputeti i LSI në Gjirokastër Vangjel Tavo, kanë krijuar një termet në PS. Shto mbrëmë edhe akuzat e Luan Ramës për përfshirjen e policisë në trafikun e drogës. Ndërkohë kryeministri Rama doli në facebook me ca radhë “sqarimi” duke mbrojtur ministrin e brendshëm nga sulmet e LSI . Një burrë shteti merr përsipër çdo rrisk politik, duke shkuar dhe në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve. Përderisa nuk i shkarkoi ministrat e LSI tregon se nuk ka numrat në parlament dhe ka frikë nga votat që do marrë Ilir Meta. PS-ja në rastin më të mirë të mundshëm, dhe sikur “Zoti” të zbresë në qendrat e votimit me datë 18 qershor, nuk i kalon dot 60 deputetë. Pa LSI nuk bëhet numri magjik 71 deputetë që duhet për të krijuar qeverinë.
Ndaj po mendohet që pas ditës së zgjedhjeve, PS-ja mund të bashkojë votat me Lulzim Bashën për të krijuar qeveri të përbashkët. E tha qartë deputeti i PS-së. Përderisa selia rozë nuk e përgënjështroi deputetin, po mban në xhep planin B, pra qeveri PS-PD.
LSI-ja ndjehet e tradhëtuar nga PS. Edhe kryebashkiaku durrsak Vangjush Dako u deklaroi hapur strukturave të PS-së se “armik kemi LSI dhe jo PD”. Vangjush Dako është miku më i ngushtë i Edi Ramës. Pra ajo çka po kalkulohet në selinë rozë se më mirë një koalicion qeverisës, pas zgjedhjeve, me PD-në se sa me LSI, po sjell një kundër reagim te Ilir Metës. Duket se ai po shikon krijimin e një Poli Politik ku mendohet të jenë LIBRA e Ben Blushit, mundet dhe ZGJIDHJA e Koço Kokëdhimës, si dhe 17 parti të tjera politike. Nëse ky Pol konturohet atëhere humbja e PS-së do jetë alarmante në mandate deputetësh.
Edi Rama mund të shtrijë shtrin dorën e pajtimit me Ilir Metën në mënyrë të sinqertë, ndonëse duket se mosbesimi mes tyre është sa një mal akulli. Po që se Meta dhe Rama ulën e bisedojnë, pa hile, ka një mundësi shpëtimi për të majtën, pra të mos përçahen rrezikshëm. Gjithsesi duket se pajtimi dhe rivendosja e miqësisë politike mes Ramës dhe Metës është gati e pamundur.
S.P.