Meta flet për herë të parë për përplasjet PS-LSI
Në dy ditë, koalicioni qeverisës ka pasur përplasje të forta, të cilat vënë pikëpyetje mbi vazhdimësinë e saj. Për herë të parë, ka reaguar edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ai ka folur për reagimin e LSI-së me akuza të forta ndaj PS-së dhe Policisë së Shtetit.
z.Meta në një takim me strukturat e partisë në Njësinë 5 në Tiranë, është shprehur se LSI është për zgjidhje institucionale dhe jo për retorika konfliktuale politike.
“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”,-deklaroi kryetari i LSI-së.
Ndërsa për zhvillimet në rajon, Kryetari i LSI-së përshëndeti qëndrimin pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve për Kosovën, i cili konfirmoi se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet i rëndësishëm për administratën e re të SHBA-ve.
“Përshëndes një qëndrim mjaft pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, Mattis për Kosovën, që konfirmoi përkundër çdo lloj shqetësimi dhe paragjykimi më parë se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve dhe kjo është tepër pozitive duke patur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kohët e fundit. Dhe njëkohësisht shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh, por edhe pasigurish”,-deklaroi Meta.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari theksoi në fjalën e tij se kolegjialiteti në vendimmarrje është garanci për realizimin e reformave.
“Njerëzit besojnë te LSI-ja, besojnë të puna e përditshme e çdo anëtari të forcës sonë politike. Ky kolegjialitet i brendshëm që ka LSI dhe ky kolegjialitet në vendimmarrje është garanci për funksionimin e qeverisjes, por është garanci nesër për realizimin dhe zbatimin e reformave. Vendimet nuk mund të merren vetëm, vendimet e mëdha merren në bashkëpunim të plotë. Vendi nuk ka nevojë për arrogancë, por ka nevojë për më shumë punë, ka nevojë për shërbim dhe ne jemi të bindur se mund ta bëjmë këtë gjë”, – tha Braimllari.
Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha në fjalën e saj përshëndetëse tha se i gjithë procesi zgjedhor është bërë në bazë të konkurrencës dhe të transparencës.
“I gjithë procesi zgjedhor në Njësinë 5, por edhe në të gjithë të Tiranës është bërë në bazë të konkurrencës dhe të transparencës që janë dy cilësi shumë të rëndësishme, pjesë e LSI-së. Jam e bindur që i gjithë mesazhi politik që do të përcillni, jo vetëm në këtë sallë, por edhe jashtë kësaj salle, do të jetë pikërisht fryma konstruktive që LSI përcjell, fryma e ndihmës që ne i japin qytetarëve shqiptar, i qëndrimit pranë të problemeve që ata kanë dhe ky është mesazhi dhe thelbi me të cilën u krijua LSI-ja”, u shpreh Gjosha.