Ylli Manjani nuk është shkarkuar. Kush po e fut zjarrin në Koalicion?

Qeveria zien. Ministrat sulmojnë njeri-tjetrin. Kryeministri nuk flet direkt, por nxjerr ministrin Tahiri. Ministri i Brendshëm kundërsulmon fort me termin “Fronti i së keqes” për ata që e sulmojnë, por ishte kolegu ministër, Lefter Koka, i cili e akuzoi hapur. Erion Braçe, deputeti i PS, thumbon LSI-në duke thënë se ” nuk e mbani fjalën se keni vetëm llafe, dhe pse nuk ikni”. Prapë një tjetër deputet i PS-së Pjerin Ndreu, shkruan se “Të ik LSI”. Nuk ndalon PS-ja duke ngacmuar dhe fyer. Deputeti i selisë rozë Vladimir Kosta tregohet me kategorik kur thotë se duhet ta largojmë Metën dhe me mirë bashkëqeverisje me PD! Pazari vitit të kaluar Rama-Basha në Vjenë?!

Ndërkohë kreu i LSI nuk kishte folur. E gjeti një mënyrë të qetë të sqaroj dhe këshillojë.

Ilir Meta mori pjesë, ditën e dielë, në takimin me strukturat e Njësisë 5 në Tiranë, që u zhvillua në kuadër të Konventës Zgjedhore të Tiranës. E filloi me rajonin e ballkanit perendimor dhe me finesë doli te problemi mes ministrave.

Duke u ndalur te zhvillimet në rajon, Kryetari i LSI-së përshëndeti qëndrimin pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve për Kosovën, i cili konfirmoi se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet i rëndësishëm për administratën e re të SHBA-ve.

“Përshëndes një qëndrim mjaft pozitiv të Sekretarit të ri të Mbrojtjes së SHBA-ve, Mattis për Kosovën, që konfirmoi përkundër çdo lloj shqetësimi dhe paragjykimi më parë se stabiliteti dhe siguria e Kosovës është një prioritet shumë i rëndësishëm edhe për administratën e re të SHBA-ve dhe kjo është tepër pozitive duke patur në konsideratë tensionimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi kohët e fundit. Dhe njëkohësisht shumë e rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë në këto kohë ndryshimesh, por edhe pasigurish”, – deklaroi Meta.

Gjithashtu, Ilir Meta theksoi se vizioni i LSI-së është zgjidhja institucionale dhe jo retorikat konfliktuale politike, teksa premtoi angazhimin e kësaj force politike për forcimin e shtetit ligjor.

“Zgjidhja institucionale me përgjegjshmëri të plotë dhe jo retorikat konfliktuale politike, fajësuese dhe shfajësuese, do ta çojnë angazhimin tonë për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit në vend në nivele të reja, shumë më të larta dhe të qëndrueshme. Ky është vizioni dhe kjo është përgjegjshmëria e Lëvizjes Socialiste për Integrim”, – deklaroi Kryetari i LSI-së.

Ilir Meta kërkoi që të jenë të kujdesshëm ministrat, duke lenë të nënkuptohet se problemet që kanë lindur dhe shqetsimet e ministrave duhet të gjejnë rrugë institucionale. Meta nuk i hodhi benzinë zjarrit që ka shpërthyer mes ministrit Koka dhe Ministrit Tahiri. Dhe jo vetëm. Ndërkohë po vjen koha për të vendosur për koalicionin ose jo me PS. Të gjithë janë me veshë në krah, por dhe me ura zjarri për t’i djegur PS dhe LSI, duke synuar ti fusin në luftë mes vetes.

Në darkë u përhap se kryeministri Rama ka shkarkuar Ylli Manjanin ministrin e drejtësisë, vetëm se flet pa leje! Jo për punën, por se ka protoganizëm. Ndërkohë nëse shkarkohet ministri i LSI për këtë fakt atëhere Rama forcohet dhe tregon në publik se nuk pyet njeri. Duket se kreu i LSI nuk duhet ta ketë pranuar, siç thonë lajmet, pasi deri tani LSI ka mbajtur në këmbë qeverinë, edhe kur Rama donte të sakrifikonte kreun e parlamentit para një viti. Nëse Rama e arrin shkarkimin, pa lejen e LSI, duket se koalicioni ka mbaruar, është rrëzuar. Po u rrëzua nuk ka më koalicion të dytë.

Marrëdhëniet në një koalicion nuk zgjidhen me shkarkime ministri, por me bashkëbisedim, qetësi dhe me kujdes. Natyrisht kur flitet për shkarkim jo për paaftësi pune. Nëse shkarkimi është pretekst për të acaruar palën tjetër që të ikë nga qeveria, atëhere llogaritë i bën sejcila parti veçmas se kush e ka numrin 71 kur plas kriza! Mos harroni se janë mbi 20 deputetë të PS-së që nuk do jenë më në listat e PS, pa harruar se pesë deputetë socialistë nuk kanë asnjë dashuri për Ramën. Dy deputetë të tjerë në PS do të jenë në listat për kandidatë për deputetë te LIBRA e po presin rastin të ikin.

Po pse Ylli Manjanin? Pse nuk kërkon për Lefter Kokën? Ministri Lefter Koka ishte më i egër dhe me akuza shkatërruese ndaj ministrit të brendshëm, por kryeministri nuk guxon ta shkarkojë apo t’i kërkojë dorëheqjen. Pse? Sepse grupi Koka ka shumë fakte dërmuese për PS-në. Nga inati për ministrin Koka duan të palosin ministrin e drejtësisë që ka qenë korrekt me detyrën. Kjo nuk shkon. Nëse kryeministri e ka ndarë mendjen, siç e këshillon një biznesmen, le t’i shkarkojë të dy! Por nuk dihet si shkojnë numrat dhe përplasjet….

Deri tani, zjarri po mbahet nën kontroll, por nëse era e shkurtit frynë më e fortë se e janarit, duket se ndertesa e përbashkët, do digjet. Analistë, bejtexhi, kumarxhinjë, interesaxhinjë lejesh ndërtimi,etj po bëjnë çmos që të fusin sa më shumë zjarr mes Ramës dhe Metës në mënyrë që të shtojnë lejet e ndërtimit nga qeveria dhe bashkia e Tiranës.

Edi Rama ndodhet në Firencë. Ilir Meta në Tiranë në takim me strukturat dhe njërëzit. Mes tyre janë futur plot “keshilltarë” në mënyrë që t’i sakatojnë, siç ka dhe një prej tyre që bind kryeministrin se “je edhe një mandat kryeministër, pa LSI”.

Por numrat nuk dihet se si dalin ! Në selinë blu ka filluar festa e përçarjes mes PS dhe LSI e mundësisë së rënies së qeverisë pa hyrë shkurti. LIBRA po rri gati për sulmin ndaj Ramës. Partitë e tjera për të kapur kocka nga sherri PS-LSI.

Shkarkimi mbetet si akt lufte. Por asnjëherë nuk dihet se si përfundojnë luftërat. Dihet vetëm fillimi. Zotësia e udhëheqësve tregohet se sa janë të zotët për mosfillimin e luftës. Po filloi, përdorën të gjitha llojet e armëve!

SHKARKO APP