PS-LSI kërkesë KQZ: Shtyni afatin për PD

Sot është afati i fundit i regjistrimit të partive politike dhe koalicioneve në zgjedhjet e 18 qershorit. Partia Demokratike nuk ka dhënë asnjë shenjë për thyerjen e bojkotit dhe pjesëmarrjen në fushatën elektorale. Pas kësaj date, ligjërisht asnjë subjekt politik nuk mund të paraqesë më kandidatë dhe bojkoti opozitar bëhet fakt i kryer duke shkuar për herë të parë në historinë pluraliste drejt zgjedhjeve pa opozitën zyrtare. Pavarësisht se, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të ketë zgjedhje edhe pa PD-në, një skenar i tillë është negativ dhe për mazhorancën qeverisëse. Për këtë qëllim, partitë kryesore të mazhorancës PS-LSI janë duke kërkuar një zgjidhje për daljen nga situata. Po përdorin çdo mënyrë që t’i plotësojnë çdo kërkesë opozitës, përjashtuar largimin e Kryeministrit.

Mbrëmjen e djeshme drejtuesit e koalicionit: Kryeministri Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta; kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili si dhe Luan Rama kreu i grupit parlamentar të LSI-së janë takuar pas seancës së Kuvendit dhe diskutuan për mos djegien e afateve për regjistrimin e koalicioneve. Burime nga mazhoranca bëjnë me dije se është rënë dakord që përfaqësuesit e dy partive t’i drejtohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një shkresë zyrtare për shtyrjen e afatit të regjistrimit. Edhe pse zyrtarisht KQZ-ja është e detyruar të zbatojë ligjin duke mos pranuar më regjistrime pas orës 00:00 të ditës së sotme, partitë do të kërkojë një vendimmarrje ekstra ligjore nga ana e KQZ-së. Duke qenë se bëhet fjalë për një rast specifik, PS dhe LSI do të kërkojnë që anëtarët e KQZ të lënë hapur mundësinë e regjistrimit të opozitës në zgjedhje.

Ky vendim edhe pse juridikisht ka mjaft probleme, sepse Kodi Zgjedhor nuk lejon interpretim, por zbatim, në këtë rast duket se është i justifikuar me krizën politike në të cilën ndodhet vendi. Mungesa e opozitës në zgjedhje mund të sjellë një kaos dhe zhvillime të paparashikuara. Ndaj dhe për hir të stabilitetit të vendit do të kërkohet një shtyrje e afateve procedurale nga ana e KQZ-së.

Arsyeja që ka çuar në këtë vendim PS dhe LSI nuk është për t’i dhënë kohë PD-së të mendohet, por për t’u dhënë kohë negociatave dhe arritjes së një marrëveshje politike. Ditën e hënë në Tiranë pritet të mbërrijë zëvendëspresidenti i Partive Popullore Europiane, David McAllister. Zyrtari i PPE dhe politikani gjerman David McAllister ka marrë përsipër negociatat mes dy partive, PS-PD dhe pritet që gjatë ditëve në vijim të ulë palët në bisedime serioze. Ndërhyrja e PPE u kërkua nga Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar ditën e shtunë. Për shkak se PD është pjesë e Partive Popullore Europiane, dy aleatët e koalicionit kanë gjykuar se një zyrtar i PPE do të jetë më i besueshëm se çdo negociator tjetër për krizën politike. Kjo ndërhyrje parimisht ka gjetur dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Takimet mes Taulant Ballës dhe Oerd Bylykbashit ditët e fundit, pavarësisht se nuk kanë dhënë rezultat kanë shërbyer për vendosjen e kontakteve dhe prezantimin e qëndrimeve zyrtare që do të diskutohen pas mbërritjes në Tiranë të David McAllister.

Se cili do të jetë fati i negociatave dhe cila nga palët do të lëshojë në bisedime është herët për t’u parashikuar. Por përveç qëndrimeve të kundërta PS dhe PD, pengesë emergjentë është ligji dhe Kodi Zgjedhor që ndalon regjistrimin e koalicioneve pas datës 19. Për të shmangur këtë ngërç që do të minonte zgjedhjet dhe negociatat, PS dhe LSI kanë qenë dje në të njëjtin mendim për shtyrjen e afatit të regjistrimit.

Dhe kanë bërë mirë, pasi për të ruajtur stabilitetin politik e vendit dhe për t’i dhënë mundësi opozitës të ulet me një negociator të nivelit të lartë të PPE, ku bën pjesë PD-ja; Ilir Meta dhe Edi Rama po përdorin çdo mjet dhe çdo njeri me influencë ndërkombëtare për t’i dhënë garancitë e duhura Lulzim Bashës.

Në një marrëveshje përherë palët lëshojnë secila nga pak, prandaj quhet marrëveshje pasi ndryshe do të quhej luftë. Basha vjen nga një vend si Holanda, ku kultura e kompromisit është jetike dhe kulturë brezash. Shpresojmë që të mos ketë mësuar shumë nga kultura politike shqiptare e konfliktit.

Qamil Xhani

SHKARKO APP