Shtyrja e afatit për koalicionet, Osmanaj: S’është kompetencë e KQZ

Anëtari i KQZ, Hysen Osmanaj thotë se është jashtë kompetencave të KQZ shtyrja e afatit për regjistrimin e koalicioneve.

Duke komentuar kërkesën e PS-LSI, Osmanaj tha për Report TV se çdo vendim i KQZ në këtë funksion përbën shkelje të Kodit Zgjedhor.

“Është jashtë kompetencave të KQZ për ta marrë atë vendim. Është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Ne nuk mund të marrim asnjë vendim. Jemi organi më i lartë i administrimit të zgjedhjeve dhe nuk mund të marrim asnjë vendim që të dalim në kundërshtim me kodin zgjedhor”, tha Osmanaj.

Çfarë mund të ndodhë me këtë kërkesë të PS-LSI?
Edhe me shumicë të cilësuar, edhe me shumicë të thjeshtë nuk mund të marrim asnjë vendim. Kemi pasur një precedent për Laçin, ka pasur regjistrim të partive, ka pasur kandidat, kandidati ishte i regjistuar dhe në KQZ nuk mori vendim përtej afateve për çregjistrimin dhe regjistrimin e kandidatit tjetër. Afati është i qartë, jo më larg se 70 ditë para zgjedhjeve. Pra, është një kërkesë e kotë.

Po për shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive politike?
Do ishte çmenduri nëse ne votojmë të shtyhet, sepse nuk kemi mundësi ligjore. Çdo vendim është nul dhe i pavlefshëm. Afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve është mesnata e sotme. Të mblidhen, të bëhen ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe më pas ne të vendosim.

Mund të vendosë Kolegji Zgjedhor për këtë?
Çdo vendim i KQZ është i ankimueshëm në Kolegj. Por edhe Kolegji nuk mund të marrë vendime në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Kodi është mbi të gjithë.

SHKARKO APP