E hëna për PD, prova e zjarrit
E hëna do të jetë nga një ditët më të tensionuara, jo vetëm nga pikëpamja politike. Partia Demokratike ka njoftuar zhvillimin e një proteste masive në gjithë vendin. Edhe pse detajet e organizmit të saj mbahen sekret, ajo që dihet deri tani është se PD-ja ka planifikuar një demonstratë të ngjashme me mosbindje civile. Të gjitha rrugët kryesore të vendit do të bllokohen. Deputetët e PD, militantët dhe simpatizantët e opozitës janë porositur që gjatë orës 11:00 deri në orën 12:00 të bllokojnë rrugët kryesore në çdo qytet të Shqipërisë. Protesta më masive është parashikuar të zhvillohet në Tiranë. Drejtuesit e PD-së dhe mbështetësit e opozitës do të bllokojnë autostradën Tiranë-Durrës, rrugën e Rinasit si dhe krejt rrugët e kryeqytetit.. Protesta zhvillohet në të njëjtën ditë kur nga Brukseli dhe Partia Popullore Europiane pritet të vijnë të dërguarit për zgjidhjen e krizës.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha kanë lënë të kuptohet se negociatat do të jenë të pasuksesshme. Rama deklaroi dje në Gjirokastër se zgjedhjet do të zhvillohen me 18 qershor. Ndërsa Basha nga çadra e PD-së në Tiranë theksoi edhe një herë se nuk ka zgjedhje pa qeveri teknike. Pra duket se edhe negociatorët e huaj që po vijnë nuk do kenë sukses. Kjo nisur nga sa thanë dje Rama dhe Basha. Nuk mjaftuan të dy personalisht, por nxorën edhe selitë përkatëse politike që të sulmojnë me të gjitha bateritë njëra- tjetrën.
Selia rozë në një deklaratë për mediat akuzoi PD-në se po i rikthen vendit vitin e mbrapshtë 1997 kur u rrëzua shteti. Ndërsa PD theksoi se të hënën dhe në vijim, nëse Rama shkon në zgjedhje duke shpikur parti të tjera opozitare më mirë “të bëjë gati valixhen e të shkojë në azil, para se populli ta ngrejë zgupthi”. Pra gjuhë lufte.
Edhe mediat serioze ndërkombëtare kanë nisur të flasin për tensione dhe përplasje fizike mes palëve. Agjenci lajmesh në Bruksel raportojnë se në rrugët e Tiranës mund të ketë shpërthime të forta dhune dhe përplasje mes militantëve të opozitës dhe policisë së Shtetit. Ambasadat e huaja në Tiranë kanë këshilluar shtetasit e tyre të cilët jetojnë në Shqipëri apo ku mund të jenë me punë që të hënën të shmangin lëvizjet në rrugët e Shqipërisë nga frika e përplasjeve. Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri numër një për ti paraprirë çdo përshkallëzimi të situatës. Janë mobilizuar mijëra forca policie. Është dhënë një urdhër nga ministria e mbrojtjes që të jenë në gadishmeri edhe ushtria në rast destabiliteti. Drejtuesit e PD-së thonë se tubimi do të jetë paqësor, por askush nuk është më i sigurt sesi do të mbahet nën kontroll një protestë që bllokon gjithë qarkullimin e mjeteve në vend e ku policia do tentojë ti arrestojë. Asnjë nuk e di përfundimin.
Përveç përplasjes apo provokimeve mes protestuesve dhe policisë ka dhe një skenar që është më negativ. Ekzistojnë mundësitë që gjatë bllokimit të rrugëve të ketë përplasje mes protestuesve dhe qytetarëve të zakonshëm, ose mbështetësve të Partisë Socialiste. Në PS , por as në PD, askush nuk ka një ide të qartë se çfarë do të prodhojë dita e hënë. Me e keqja është se asnjë prej palëve, në këto orë tensionesh dhe provokimesh, nuk flet për negociata dhe ulje të palëve në një tryezë bisedimesh si politikanë dhe njerëz normale.
Fillimi i javës ka shumë të panjohura që do të zbulohen vetëm pas orës 11:00 ku do përcaktojnë, pothuaj, fatin e zgjedhjeve të ardhshme.
E hëna është dhe prova e zjarrit për Partinë Demokratike dhe kreun e saj Lulzim Basha. Prova e parë ka të bëjë me kauzën politike të PD-së. Nëse protesta zhvillohet vetëm në disa lagje të Tiranës, padyshim që do të jetë një dështim për PD-në, Çadrën e Opozitës, por edhe të gjitha idetë e Republikës së Re që Basha thotë se mbështeten nga qytetarë. Nëse pjesëmarrja do të jetë e pakët në numër dhe përveç bulevardit kryesor në kryeqytet nuk do të ketë asnjë impakt në qytetet e tjera të vendit, atëherë Basha bën mirë të pranojë ofertën e parë që i vjen nga negociata. Me dështimin e protestës duhet që bashkë me çadrën të hyjë në zgjedhje. Në të kundërt, nëse protesta do të jetë masive dhe paqësore në gjithë vendin; nëse qytetet kryesore të Shqipërisë i bashkohen thirrjes së PD-së, ky është sinjali që do të tregojë se Partia Socialiste duhet të rishikojë dhe një herë qëndrimet e saj.
Prova e dytë dhe më e rëndësishme ka të bëjë më mbarëvajtjen e protestës. Nëse forca e numrave në shesh kthehet në përplasje fizike kjo mund të jetë dhe humbja e betejës së Bashës. Partia Demokratike dhe kreu i saj Lulim Basha ndodhen në një udhëkryq të rëndësishëm politik. Nëse protesta kthehet nga tubim në konflikt me forcat e rendit, opozita mund të shkaktojë një nga trazirat më të rënda të viteve të fundit në vend. Jo rastësisht këto ditë përmendet kaq shpesh viti 1997. Kalimi i protestës në konflikt do të jetë një minus i madh që nuk ndëshkon vetëm selinë blu dhe Bashën, por gjithë vendin. Basha duhet të tregojë se ashtu siç mbajti për më shumë se 60 ditë çadrën në mes të Tiranës pa pasur asnjë incident serioz, ashtu di të kontrollojë dhe një protestë masive. Por kjo protestë është provë edhe për kryeministrin Edi Rama, Qeverinë dhe sidomos Ministrinë e Brendshme. Nëse protestuesit do të provokohen apo do të përdoren anti-mitingje me socialistë të zëmëruar nga bllokimi i rrugëve, situata mund të dalë në çdo minutë jashtë kontrollit.
Nesër për Lulzim Bashën është prova e parë e zjarrit. Është betejë e vështirë opozita dhe lufta me pushtetin, aq me shumë me një pushtet, siç thotë PD-ja, të kapur nga krimi i organizuar. Nesër do shikohet nëse PD-ja ka shpirtin e parë të kohës së parë kur u krijua apo është një çadër-parti.
Deri nesër, po presim!
Qamil Xhani