VIDEO/ Bllokohen rrugët në gjithë Shqipërinë nga Partia Demokratike
Ka nisur në orën 11:00 protesta e Partisë Demokratike për bllokimin e rrugëve në të gjithë vendin.
Rrugët që u bllokuan:
Rrethrrotullimi i Plugut (Lushnje) – Automjetet që vijnë nga Jugu,
Rrethrrotullimi i Milotit – Automjetet që vijnë nga Veriu,
Rrethrrotullimi i Bradasheshit (Elbasan) – Automjetet që vijnë nga Juglindja dhe Jugu,
Sheshi “Shqiponja” (Tiranë) – Automjetet që vijnë nga Veri dhe Jugu
Mbikalimi te Shkolla Teknologjike – Tiranë.
ORA 12: 00-Ka përfunduar protesta e Partisë Demokratike. Kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili ndodhej në sheshin “Shqiponja” tha se kjo protestë ishte model i qytetarisë.
“Protesta e sotme ishte për të mos e lejuar Shqipërinë të jetë në dorë të trafikanteve”,- tha Basha.
Kreu i PD-së shtoi se demokratët nuk ju përgjigjën provokimeve të Qeverisë.
ORA 11: 48- Bumçi: Policia provokoi protestuesit
Nga rreth rrotullimi i Milotit në Lezhë, deputeti i PD-së Aldo Bumçi pohoi se deri tani situata vijon të jetë e qetë, ndërsa akuzoi Policinë e Shtetit se kërcënoi dje qytetarët. “I bëj thirrje shqiptarëve pavarësisht presionit antiligjor iu bë nga policia, se do i filmojmë dhe do i bëjnë ndjekje penale. Por ligji nuk kërkon që të merret leje, por të njoftohet. Protesta është paqësore. Disa punonjës policie kanë tentuar që të provokojnë qytetarët, pasi kanë filmuar ata duke i bërë protestë. Ata duhet tri hapin rrugë kërkesës paqësore për krijimin e qeverisë teknike. Shqipëria nuk mund të kthehet në plantacione droge. Në këto kushte nuk ka zgjedhje. Qeveria teknike është kërkesa minimale. Ne do vijojmë me protesta paqësore. Do ishte një pjesëmarrje më e lartë nëse nuk do kishim pasur një veprim kriminal nga ana e Policisë së Shtetit, por ne kemi pjesëmarrës në protestë”, tha Bumçi.
ORA 11:40-Bllokohet Jugu, Ristani: Protesta vazhdon paqësore
Të ndarë në pesë akset kryesore të vendit, demokratët kanë vendosur të paralizojnë trafikun e automjeteve nga ora 11:00-12:00 të ditës së sotme, në shenjë proteste ndaj qeverisë për mungesën e reagimit ndaj kërkesës për krijimin e një qeverie teknike. Në rrethrrotullimin e “Plugut”, prej më shumë se 30 minuta ka nisur bllokimi i rrugës, ku përgjegjës është deputeti i PD-së Arben Ristani, së bashku me deputetët e qarkut të Fierit, Kosma Dashi dhe Bedri Mihaj. Përmes postimeve në rrjete sociale, Arben Ristani ka publikuar foto, në të cilën shkruan se protesta vazhdon paqësore. Ndërkaq kryedemokrati i Lushnjes, Myslim Murrizi sapo ka publikuar atë se çfarë po ndodh në kohë reale në protesten e thirrur nga opozita. Nga postimet në rrjete sociale, kreu i PD-së së Gjirokastrës, bën me dije se mijëra qytetarë të Gjirokastrës, e jo vetëm janë bërë bashkë.
Ora 11: 25 -Protestuesit e PD i hapin rrugën autoambulancës
Protestuesit demokratë edhe pse kanë vendosur të bllokojnë rrugët në gjithë vendin, kanë qenë të vëmendshëm në rastet e emergjencave. Video më poshtë tregon sesi protestuesit e PD i hapin rrugën autoambulancës në zonën e Kombinatit.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=PPPmPaVqkAc” width=”560″ height=”315″]
Ora 11: 15: Policia: S’do ketë përplasje me protestuesit, do menaxhojmë situatën por…
Janë 5 pika kyçe të qarkullimit që protestuesit e opozitës bllokuan sot në protestën e thirrur nga PD për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Skenarët e PD për bllokimin e rrugëve dhe paralizimin e qarkullimit sollën dje edhe paralajmërimin e Policisë se do të ketë masa për ata që shkelin ligjin, ndërsa protesta u quajt e paligjshme.
Por sot burime nga policia bëjnë me dije se në rast bllokimi rrugësh, do të menaxhohet trafiku në akset e lira, por nuk do të ketë përplasje me protestuesit. Policia do të identifikojë gjithë personat që bllokojnë rrugën dhe mjetet dhe do t’i procedojë sipas ligjit për tubimet.
ORA 11:11- Ashtu siç ishte parashikuar, protesta në Fier ka nisur në orën 11:00. “BalkanWeb” mëson se ka pasur një përplasje të lehtë mes qytetarëve dhe policisë, të cilët kanë tentuar të bllokojnë rrugën. ‘Rama ik, Rama ik”, brohorasin qytetarët, të cilët sipas gazetarit Alfred Gurraj janë të shumtë në numër. Ata janë mbledhur në Fier që është një nga 5 pikat në vend që do të bllokojë rrugën për 60 minuta.
Ora: 11:07 – Mësohet se është bllokuar “Sheshi Shqiponja” si dhe ka mbërritur aty edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha po qëndron në këto momente me qytetarët që kanë bllokuar edhe trafikun dhe pritet të flasë para tyre për pak minuta.
Në orën 10:50 kreu i PD-së, Lulzim Basha ka mbërritur në sheshin “Shqiponja” për t’ju bashkuar protestuesve.
Deputeti Flamur Noka flet për Ora News deklaroi se “Protesta nuk do jetë e dhunshme, s’jemi opozita e djeshme që djegim gomat. Do të jem unë garant, jam në krye të protestës te shkolla ‘Teknologjike’. Qeveria të lexojë qartë mesazhin, ndryshe protesta përshkallëzohet”.
Ora 10: 45: Rama: Koha për të bërë shtet jo për të bllokuar rrugët
Teksa në kryeqytet po përfundonin përgatitjet për nisjen e protestës së PD, kreu i qeverisë Rama u shpreh nga Apollonia se kjo nuk është koha e duhur për të bllokuar rrugët por është koha për të bërë shtet. “Nuk është koha për të bllokuar rrugët e Shqipërisë, bllokuar njerëzit që duan të lëvizin lirisht në rrugët e vendit, njerëzit që kanë punë, që kanë nevojë të lëvizin, fëmijët, nxënësit, studentët, gjyshërit, kompanitë, mallrat që janë gjaku i ekonomisë tonë cdo ditë por është koha për të hapur përfundimisht rrugën e të bërit një shtet modern demokratik e evopian” tha Rama.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=NNFu8tHaXZ4&feature=em-lbcastemail” width=”560″ height=”315″]
Dita e sotme do të jetë e mbushur me shumë zhvillime në Shqipëri. Sot vjen në Tiranë David McAllister, Zv/Presidenti i Partisë Popullore Europiane dhe kreu i komitetit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian, është një nga njerëzit e besuar të grupimit më të madh politik të të djathtës europiane dhe i kancelares gjermane Angela Merkel, por njëkohësisht edhe një i njohur i kryetarit demokrat Lulzim Basha. Ai do të qëndrojë dy ditë në Shqipëri në përpjekje të zgjidhjes së krizës politike, por arritja e qëllimit parashikohet shumë e vështirë, pasi opozita itensifikon aksionin, pasi mbi 60 diteve në çadër. Në këtë vizitë, zyrtari gjerman do të shoqërohet nga një tjetër gjerman, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein.
VIDEO NGA BLLOKIMI I RRUGES TE ZOGU I ZI
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/813426135449177/
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/813394992118958/
https://www.facebook.com/reporttval/videos/758262651001307/
LEXONI EDHE:
Ja PS-ja duke bllokuar rrugët kur ishte në opozitë
Rama i përgjigjet protestës së PD me “një prej engjëjve mbrojtës”
Ekspertët e Avokatit të Popullit monitorojnë protestën e PD
Mesazhi i Bashës për demokratët e protestës