Zbardhet mesazhi/S.Tahiri u shkarkua nga presioni i ndërkombëtarëve
Ish-ministri i Brendshëm, Saimi Tahiri akuzoi sot LSI-në dhe ish-kryetarin e saj, Ilir Meta për zgjedhjet dhe për rolin e LSI-së në këtë fushatë. Mes rreshtave të një reagimi të gjatë Tahiri akuzonte LSI se e kanë përgjuar në zyrë gjatë kohës që ishte në detyrë. Ministri aludoi se zv/ministri i tij, Ilir Marko i ka vendosur një përgjues ambientet e Ministrisë.
Zv/ministri i brendshëm Ilir Marko ka treguar atë që ka ndodhur me Saimir Tahirin gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Brendshme.
Në një mesazh privat (të cilin “Koha Jonë” arriti ta marr në mënyrat e gazetarisë investigative) Ilir Marko i kujton Saimir Tahirit se nuk ishte nevoja ta përgjonte ai (siç aludon Tahiri), pasi këtë gjë e kanë bërë shërbimet sekrete ndërkombëtare.
Në mesazhin e tij, Marko shkruan se edhe motivi i shkarkimi për Saimir Tahirin ka ardhur nga partnerët ndërkombëtarë. Ai shkruan se nëse Saimir Tahri do sqarime për motivet e shkarkimit lë të pyesë Edi Ramën për letrën ultimatum që i ka mbërritur në zyrë nga ndërkombëtarët. Kryeministri Rama e ka shkarkuar mënjëherë nga posti sapo ka marrë një ultimatum prej një ambasade të rëndësishme perendimore.
Gjatë ditës së sotme, Tahiri reagoi mjaft ashpër pas akuzave që kandidatja për deputete e LSI-së, Eriona Bixha i bëri për blerje votash në Vorë. Kandidatja e LSI-së tha se Saimir Tahiri dhe njerëzit e tij po blejnë vota në Bashkinë e Vorës. LSI paraqiti emra dhe targa makinash që përdoren për të shpërndarë lekë.
Në vend të përgjigjes për këtë akuzë, Saimir Tahiri tha se sulmet e LSI ndaj tij janë politike. Ai tha se e kanë akuzuar pa të drejtë edhe gjatë kohës që ishte ministër. Aludimet e forta që bëri Ministri për përgjime, kanë nxitur dhe reagimin e Zv/Ministrit Ilir Marko. Ky i fundit, ndryshe nga Tahiri me etikë qytetare i kujton se përgjimet dhe shkarkimet i kanë ardhur nga ndërkombëtarë, për shkak të trafikut të drogës.
Mesazhi i Ilir Markos, një zyrtar i lartë i qeverisë tregon dhe prapaskenat që kanë ndodhur me ndryshimet e Ministrave. Edi Rama deklaronte shpesh se Saimir Tahiri ishte ministri i tij më i suksesshëm. Po ashtu, Edi Rama e vlerësonte për reformat që Tahiri bëri në Policinë e Shtetit. Në të gjitha akuzat që PD dhe LSI i kanë bërë Tahirit për kanalizimin e vendit, Edi Rama e ka marrë në mbrojtje duke e lavdëruar për punën që ka bërë Ministrin kundër drogës.
Por zëvendësi i Tahirit thotë se Ministri u largua jo me kërkesë, por me ultimatum nga partnerët ndërkombëtarë. Gjë që do të thotë se puna ka arritur deri në pikën kur partnerët e Shqipërisë e kanë vënë në presion Edi Ramën që të largonte Tahirin. Tashmë lind pyetja, për çfarë arsye Edi Rama e mbronte kaq shumë ministrin e tij që ndërkombëtarët e donin me patjetër të shkarkuar?
Nga ana tjetër, nëse raportet e nxijnë Shqipërinë për drogën, cila është përgjegjësia e ish-ministrit të Brendshëm dhe pse askush nuk jep llogari për këtë?
Në faksimile është sms e dërguar sot ish-ministrit Saimir Tahiri nga zv/ministri Ilir Marko