Daci-Baot e Kryeministrit Rama
Kryeministri Edi Rama ka publikuar raportin e stafit të së tij për zyrtarët që nuk kanë zbatuar ligjin. Raporti, me një listë të gjatë emrash, bazohet në denoncime që qytetarët kanë ngritur në strukturat e qeverisë. Sigurisht që një pjesë e emrave mund të kenë abuzuar me detyrën dhe nuk u kanë dhënë shërbime qytetarëve. Këta zyrtarë, nëse kanë shkelur ligjin, dhe kjo gjë verifikohet nga institucionet përkatëse në rrugë ligjore, meritojnë të shkarkohen bile të shkojnë për ndjekje penale.
Por nga mënyra sesi denoncohen dhe publikohen emrat me letra, SMS, facebook, email, etj, në vend të shërbejë për zbatimin e ligjit bën një tjetër shkelje. Së pari, struktura qeveritare që ka bërë mbledhjen e denoncimeve nuk është ligjore. Nuk janë as institucione kontrolli dhe as auditimi. Nuk janë struktura të ligjshme. Natyrisht që janë punonjës të Kryeministrisë, por ato informacione mbeten vetëm për kryeministrin dhe nuk mund të bëhen publike. Aq më tepër, nisur nga emrat dhe mënyra e konceptimit me “letra nga populli” këtë strukturë Edi Rama e quan me termin “Skuadra e Shënimeve”!! Nuk dihet kush e drejton, kush i kontrollon denoncimet dhe me çfarë baze ligjore bëhen publikimet e emrave të zyrtarëve të lartë. E thënë ndryshe, kjo është vetëm një strukturë me njerëz partiakë të Partisë Socialiste që ka vënë nën kontroll administratën me urdhër të Kryeministrit. Në punën e tij kryeministri mund të organizojë anketime për të krijuar ide se ku çalon administrata, apo se në cilët sektorë ka me shumë korrupsion, por kurrsesi nuk bëhen publike. Të paktën emrat. Sepse edhe nëse nuk ka hile nga stafi i Ramës në këtë listë, secili që mbetet korrekt me ligjin dhe ndërgjegjen profesionale, i lind e drejta të padisë kryeministrin në gjykatë për dëm moral. Dhe gjyqet në këtë rast i fitojnë pothuaj të gjithë emrat e lakuar nga stafi i kryeministrit Rama. Flitet për dëm moral ndaj secilit, e ndaj paratë që mund të fitojnë të përmendurit në gjykata mund të jenë në shuma marramendëse për buxhetin e shtetit. Nuk i paguan kryeministri apo stafi i tij nga xhepat e tyre, por buxheti i shtetit.
Tjetër problem lind se si janë verifikuar denoncimet. Kryeministri publikoi një adresë emaili dhe Facebook-u ku ftoi qytetarët të ankoheshin ndaj administratës. Deri këtu është çdo gjë në rregull. Por kush jep garanci që denoncimet janë reale dhe nuk janë letra anonime? Cila është garancia se mes qytetarëve që kanë denoncuar nuk ka nga ata që kanë inate, hatërmbetje jo ligjore, ose që kanë motive politike apo edhe qejfmbetje personale. Nëse ka fakte për secilin nga lista, atëherë pse i boton kryeministri sa për show publik dhe nuk firmos shkarkimin e tyre, bile edhe arrestimin, natyrisht duke ia dërguar organeve ligjzbatuese, pasi nuk mund ti arrestojë shefi i qeverisë. Nëse kanë fakte vetëm ndëshkim për secilin nga emrat e përmendur, asnjë lëshim.
Një fakt tjetër që bie në sy është se në listën e Edi Ramës nuk ka asnjë drejtor të lartë të emëruar nga Partia Socialiste apo ministra për të cilët qytetarët ankohen gjithë ditën në Facebook. Mes emrave ka vetëm nga LSI dhe PDIU, pra nuk ka asnjë socialist në nivelin e lartë të administratës shtetërore, për të cilin të janë ankuar qytetarët! Ndaj kjo listë ngjan më shumë se një luftë politike sesa pasqyrë e asaj që ndodh sot në administratën shqiptare. Është e vërtetë që administrata ka abuzime pa fund, por është po kaq e vërtetë që abuzimet nuk mund të faktohen me letra anonime dhe ankesa që ngjajnë më shumë si larje hesapesh politike.
Si ka mundësi që “populli” nuk paska nisur asnjë SMS, letër apo ankesë për ministra, zv/ministra apo drejtues të kupolës së lartë shtetërore, por vetëm për ca drejtues të LSI dhe PDIU? Si ka mundësi që asnjë ankesë për ministrinë e Shëndetësisë apo për Policinë? Po për kryeministrin a ka ndonjë ankesë? Po për tatimet?
Veç nëpunësve të administratës në listë ka dhe njerëz të drejtësisë. Kjo e bën edhe më të rëndë shkeljen. Qeveria dhe drejtësia janë dy pushtete të ndarë. Vettingu, për të cilin u fol kaq shumë gjatë tre viteve të fundit, ka pasur si qëllim ndëshkimin e korrupsionit dhe abuzimet në drejtësi. E vërteta është se këtë ndëshkim do të bënin institucionet e vetingut dhe jo Kryeministri me fletë rrufe dhe “Skuadra Qeveritare”. Një kryeministër nuk mund tu bëj gjyqin publik gjyqtarëve, aq me tepër mbi bazën e denoncimeve të paverifikuara. Te drejtësia ka plot probleme, ndaj u bë reforma, por nuk mundet që ekzekutivi të sulmojë drejtësinë me emra, pa patur fakte, video, dosje etj. Kjo e kompromenton Vettingun, edhe nëse ka shpresa për drejtësi, pas kësaj liste duket se drejtësia mund të ndërrojë padron; nga pushteti i PD në pushtetin e PS.
Vettingu u bë projektua për drejtësi të pavarur. Por shenjat duken se po e merr kryeministri edhe drejtësinë.
Kjo skemë e Ramës, me letra apo SMS apo edhe me facebook, ngjan më shumë me dacibaot kineze të kohës së Mao Ce Dunit. Nuk mund të luftohet korrupsioni me letra anonime dhe as me ankesa që vijnë nga populli pa u verifikuar në institucionet. “Skuadra e Shënimeve” të Kryeministrit ngjan më shumë si “Skuadra e pushkatimeve politike” me fletërrufe të kohës që komunizmit.
Edhe nëse kryeministri u nis nga dëshira për diçka të mirë, në thelb ka gabuar duke e kompromentuar procesin, pasi me shumë duket si lojë politike se sa si hall për të reformuar administratën. Ka një muaj që në zyrat e PS-së në Tiranë si dhe në degët në rrethe po hartohen lista militantësh socialistë për të zënë vendin e këtyre të cilët Kryeministria u ka përgatitur largimin. Reforma e madhe që po synon Rama ngjan më tepër me shprehjen popullore: Ikën Lena dhe po vjen Prena!
Qamil Xhani
LEXONI DHE:
Rama publikon emrat: Ja zyrtarët që janë denoncuar për abuzime
Manjani: Sot Rama rrëzoi Vettingun. Ky është akti i parë i diktaturës