Mungon roja bregdetare, 3 kilometra plazh në Durrës pa asnjë masë sigurie
Tre kilometra vijë bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, tepër e frekuentuar nga pushuesit, nuk ka asnjë kullë vrojtimi apo roje bregdetare.
Mungesa e sigurisë po shndërrohet në problem serioz kur nuk mungojnë ngjarjet e rënda.
Edhe plazhet private nuk kanë siguruar roje bregdetare për t’u ardhur në ndihmë pushuesve në det. Vetëm një ditë më parë në plazhin e Durrësit humbi jetën në det një pushues nga Kosova, ndërsa më herët janë regjistruar edhe dy viktima të tjera.
Autoritetet vendore nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të vendosur roje bregdetare apo për të detyruar privatët të pajisin hapësirën që menaxhojnë me masa sigurie. Edhe pushuesit thonë se ndjejnë mungesën e sigurisë.
Tre vite më parë dhjetëra te rinj që u trajnuan në Mal të Zi, u punësuan si roje bregdetare në ndihmë të pushuesve gjatë sezonit turistik. Por, sot tre vite më pas rojet bregdetare mungojnë në plazhin e Durrësit, ndërsa kullat e vrojtimit u hoqën.
Në bashkinë e Durrësit nuk ka asnjë koment për këtë situatë.