LSI kundër rritjes së çmimit të ujit. Kryemadhi: Kjo është opozita e vërtetë
Lëvizja Socialiste për Integrim ka kundërshtuar vendimin për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Këshilltarët e kësaj force politike në Këshillin Bashkiak kanë paraqitur propozimet konkret për përjashtimin e shtresave në nevojë nga kjo rritje, si dhe për marrjen e masave urgjente kundër abuzimeve.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaron se për LSI misioni kryesor mbetet mbrojtja e interesave të qytetarëve. “Përgëzoj sot për kurajën dhe vendosmërinë grupin e këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës. Më shumë se çdo aksion politik, sot është e rëndësishme të ravijëzohet një opozitë e vërtetë dhe konstruktive, pa kompromise dhe interesa të mëdha a të vogla”,- shkruan Kryemadhi në një status në Facebook.
Ajo shton se “Shqipëria sot ka nevojë për një opozitë që lufton dhe përpiqet për qytetarët dhe jo për partitë politike. Këshilltarët e LSI-së treguan sot se më shumë se kartoni dhe karriget në këshill ka rëndësi shërbimi ndaj qytetarëve, se më shumë se opinioni i grupeve të ngushta të interesit është parësor shërbimi ndaj qytetarëve. Ky është dhe do të mbetet qëndrimi ynë!”.
Kreu i Këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Tiranës, Endrit Braimllari ka paraqitur rezervat e kësaj force politike për projekt-vendimin për rritjen e çmimit të ujit. Në dëgjesën e thirrur nga LSI me kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për problemet e ujësjellësit, Braimllari propozoi që vendimi i Bashkisë së miratohej me një sërë ndryshimesh që lehtësojnë nga taksat shtresat në nevojë dhe bizneset që lidhen me artikujt e shportës.
“Ne nuk mund të pranojmë asnjë pagesë më shumë për shtresat në nevojë. Propozimet tona i çlirojnë të varfrit nga shtesa e çmimit të ujit”,- tha Braimllari.
Përfaqësuesi i LSI-së theksoi se bizneset e mëdha duhet të paguajnë më shumë. Ndërkohë që bizneset që janë të lidhura me produktet e shportës nuk duhet të preken nga rritja.
Lidhur me shqetësimin e kryebashkiakut Veliaj, se rritja e çmimit të ujit duhet për investime, Braimllari deklaroi se qeveria duhet të financojë projektet e rëndësishme. “Oligarkia të mbajë barrën, le të paguajë më shumë. Bizneset që lidhen me artikujt e shportës të mos u rritet çmimi. Qeveria të lërë sheshet dhe të financojë projektet për ujin e pijshëm”,- tha Braimllari.
Deklaratat e Braimllarit u bënë sot në dëgjesën publike me kryebashkiakun Erion Veliaj, të thirrur nga këshilltarët e LSI.
Këshilltarët e PD nuk morën pjesë dhe kanë deklaruar se do të votojnë kundër këtij projekt-vendimi.
Në takim, kryebashkiaku Veliaj tha se modeli që po propozohej për rritjen e çmimit të ujit ishte miratuar më parë nga Bashkia e Korçës. Por këshilltarët e LSI-së deklaruan se projekti i Korçës nuk është bërë me paratë e qytetarëve, por ka qenë një investim i financuar nga Qeveria dhe nga kompania gjermane KFW.
Po sot në një reagim publik, Lëvizja Socialiste për Integrim sqaroi se dëgjesa e zhvilluar në Këshillin Bashkiak synon një njohje më të plotë e të detajuar të të gjithë problematikës që ka ujësjellësi i Tiranës. LSI vlerëson se këto problematika “nuk janë të lidhura vetëm me nevojën për rritjen e çmimit, po pikësëpari me domosdoshmërinë e mirëmenaxhimit të këtij sektori jetik dhe të ujit si pasuri kombëtare, për rritjen e faturimeve që janë në një nivel skandaloz që nuk i kalon as 30 përqind të prodhimit, për luftën kundër informalitetit e lidhjeve të paligjshme të shumë bizneseve të deputetëve të PS -së apo të bizneseve të klientëve të pushtetit me fabrika birre, me fabrika pijesh freskuese apo alkoolike, me pika karburantesh që përdorin pa kontratë ujin e pishëm për lavazhe e me dhjetëra e dhjetëra biznese të tjera tek fresku, në Tufinë, në unazën e re apo në të gjithë autostradën deri në Vorë!”.
Debati për çmimin e ujit:
Veliaj: Ja si do ta bëjmë Tiranën me 24 orë ujë të pijshëm
Tirana 24 orë ujë, Mazniku: 220 milionë euro investime në 5 vite
Basha: Rritja e çmimit të ujit, veprim kriminal ndaj qytetarëve