Për Gilman Bakallin, profesorin ideal
Nga Henri Çili*
Me Gilman Bakallin paraprakisht i kisha të gjitha premisat të konfliktohesha. Ai, një pedagog i ri, shpirt i lirë, natyrë antikonformiste e unë administrator i një strukture private universitare që mëtonte strukturimin e një institucioni të ri dhe të një praktike të re të arsimit privat në Shqipëri. Dhe në fakt shumë herë u konfliktuam, gjatë bashkëpunimit tonë afro 8-vjeçar në Universitetin Europian të Tiranës, por asnjëherë për thelbin e problemeve, asnjëherë për esencën e rolit të secilit në shoqëri sipas teorisë së roleve, asnjëherë për gjëra të rëndomta.
Gilman Bakalli ishte dhe mbeti profesori ideal, ai arketip që shërben të krijojë strukturat ose kolektivat universitare si struktura elitare të shoqërisë.
Kishte një formim universitar të kompletuar edhe pse në dukje eklektik: me një profesion të ri në shkencat e komunikimit, duke ardhur nga linguistika, pas studimeve të mëparshme në shkencat gjeologjike. Me metodën e tij të kërkimit filozofik nëpërmjet dialogut ai ishte një sokratian, sokratian në kuptimin e njohjes së thellë të filozofisë e të njohjes së kulturës në tërësi. Ashtu si filozofi i Athinës, ai kërkonte “të nxirrte” nga studenti ato mendime që janë krejt personale, ndryshe nga ata që duan t’u imponojnë pikëpamjet e tyre të tjerëve, me anën e retorikës dhe artit të bindjes. Si pjesë integrale të kësaj metode ai përdorte batutat e shkurtra dhe të mprehta. Ishte një profesor i përsosur, profesor frymëzues, profesor i cili për studentët është një frymëzim me një mënyrë për t’ju qasur botës në një formë të re, përtej skolastikës, përtej funksionalizmit, përtej lidhjeve të akademisë me tregun e punës. Më kujtohen shumë prej hipotezave të tij, një nga të cilat në lidhje me tregun e punës: “dija në vetvete që nuk ka nevojë për lidhje me tregun e punës dhe, pa pasur nevojë për lidhje me botën praktike, e lidh studentin master shumë më tepër me botën e punës sepse i krijon një overvieë të përgjithshëm mbi botën”.
Ai ishte i mbrujtur me tiparet e një njeriu që kishte lexuar e që kishte përkthyer e që vazhdonte të lexonte pafundësisht e të përkthente; komunikimi me të ishte një kënaqësi më vete. Bisedat me Gilman Bakallin ishin gjithnjë të gjalla, konceptuale e të strukturuara, duke krijuar kështu nocione të reja e mënyra të reja për vështrimin e botës. Si bashkëbisedues i kulturuar ai mund të konsiderohet një mëndje e bukur, një mëndje e pajisur me atë dije që përbën bazën për një profesor sui generis, të dashur nga studentët dhe kolegët.
Unë thuajse nuk kam ndeshur ose kam ndeshur shumë pak njerëz me një erudicion të tillë dhe me një përvojë jete nga më të pasurat të cilat ai arrinte t’i konvergonte në një pikë, në mendimin e shpejtë, në klikun e shpejtë që i bënte logjika ose mendja e tij e mbështetur në një kulturë shumë të gjerë.
Gilman Bakalli ishte i veçantë, ishte i veçantë sepse ishte një erudit dhe ky ishte tipari kryesor i tij. Tipari i dytë i Gilman Bakallit ishte fakti që ai nuk i kishte qejf rregullat e ngurta, ai kishte një mënyrë të lirshme dhe një mënyrë të vetën të ndërtimit të ditës së tij, të javës së tij, së jetës së tij. Një mënyrë autentike e të adhurueshme. Si shpirt i lirë ai mendonte ndryshe nga ajo që të tjerët prisnin nga ai e nuk u bazonte në opinionet dominuese. Ai ishte një përjashtim, sepse ishte i vetëdijshëm në lidhje me kompleksitetin e pikëpamjeve të ndryshme, prandaj edhe në kundërshtim me çdo fanatizëm. Për dikë ndoshta ndonjë veprim i tij ndaj dikujt a diçkaje mund të ishin pabesi; por ai kishte zgjedhur lirinë e shpirtit duke hequr dorë pa keqardhje e pa mëri ndaj të gjitha atyre gjërave që kanë rëndësi për të tjerët, për t’u ngritur pa frikë mbi njerëzit, zakonet, ligjet dhe traditat duke tejkaluar kufijtë e individualitetit e duke kuptuar e jetuar në vetvete krejt vetëdijen e njerëzimit.
Si shpirt i lirë ai kishte si objektiv të jetës së tij “njohjen”, duke përçmuar çdo lloj dogme. Ndërsa tipari i tretë i Gilman Bakallit ishte “Mens sana in corpore sano”: një njeri me një regjim të përsosur për sa i përket aktiviteteve fizike e sportive. Me jetën e tij ai tregoi kotësinë e vlerave, si pasuria e fama, që njerëzit përpiqen me çdo mjet të arrijnë. Vetëm një person vërtet i mençur e kupton se çdo gjë është kalimtare. Prioriteti i tij ishte pastërtia e koncepteve, kuptimi i tij për botën, axhenda e tij kishte një strukturim gilmanian të ditës së tij duke filluar nga sporti tek dieta, nga oraret e studimit tek angazhimet e ndryshme, duke i dhënë kohën e duhur të gjithave dhe duke qenë i saktë si një “sahat zviceran” në vetëdisiplinimin e jetës. Ishte një njeri bashkërendues i veprimeve të veta e kjo krijonte pikërisht atë harmoni midis mendjes dhe trupit, shëndetit të shpirtit dhe shëndetit të trupit, në regjimin e tij të përditshëm. Njëkohësisht nuk mund të mos përfillte tek vetvetja një lloj adhurimi për të bukurën por pa rënë në hedonizëm; në harmoni me shpirtin, të mirën e të vërtetën; pa fraktura ndërmjet tij dhe ambientit rrethues, ndërmjet tij dhe universit. Gilman Bakalli dallohej për idetë e tij origjinale, këndvështrimin origjinal dhe mënyrën tërësisht autentike me të cilën e shihte botën si një të tërë, mendje, trup dhe shpirt së bashku. Përcaktimi në tre dimensione i Gilman Bakallit si trup i bukur, mendje e bukur, shpirt i bukur, duket metafora më e goditur për këtë mik të cilin shumë pak njerëz patën fatin e mirë ta njohin për njëfarë kohe, por edhe fatin e keq që nuk e patën për më gjatë…
*Pasthënie e librit “Alfabeti i tranzicionit” me autor Gilman Bakallin botuar nga UET-Press në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta. Libri promovohet nesër, 10 tetor, në UET në një aktivitet të veçantë në nderim të profesor Bakallit