Tarifa e ”Rrugës së Kombit”, Vasili: Rama e urren Kosovën, e sheh si klient
Qëndrimi i Kryeministrit Rama, se nuk ka pse diskutohet tarifa e ”Rrugës Kombit” me qeverinë e Kosovës, pasi pagimi i kësaj tarife është patriotizëm, për Petrit Vasilin kjo tregon se sa Rama e urren Kosovën.
Në një status në facebook, kreu i grupit parlamentar i LSI-së, shkruan se gjatë konferencës me gazetarët kreu i qeverisë pati një moment sinqeriteti, atë të të treguarit se sa e përbuz Kosovën, dhe që nuk mendon aspak për interesat ekonomike.
”Ai e tregoi qartë dhe egër urrejtjen dhe përbuzjen ndaj Kosovës. Ai me arrogancë dhe përçmim i tregoi derën Kosovës, tregoi se nuk i bëhet vonë fare për interesat ekonomike të saj, tregoi se Kosova është si të gjithe shtetet e tjera në glob, tregoi se e përbuz Kosovën dhe drejtuesit e saj dhe as begenis të flasë fare me ta për asnjë problem”,-shkruan Vasili në një status në facebook.
Duke e cilësuar Ramën si figurën më antishqiptar të historisë, dhe qëndrimin si një turp të madh, pasi për Vasilin ”Rruga e Kombit” është si një arterie ku vëllezërit lëvizin lirshëm si në shtëpinë e tyre.
”Shkurt për kryeministrin që urren Kosovën, ajo është thjesht një klient. Për kryeministrin më antishqiptar të historisë, Kosova nuk është vendi i vëllezërve tanë të një gjaku, nuk është vendi i martirizuar nga gjenocidi serb, nuk është një djep i patriotizmit dhe atdhedashurisë, nuk është vendi i mendjeve të ndritura e shumë të dashura shqiptare, për të është thjesht një klient, që s’ka nga t’ja mbajë dhe do kalojë te rruga e kombit ku pret t’i plaçkisë ky kryeministër antishqiptar”,-shkruan më tej kreu i grupit parlamentar i LSI-së.