Raport nga “Freedom House” apo nga Kolumbia?  

“Freedom House”, një organizatë jo qeveritare, publikoi dje raportin për Shqipërinë për vitin 2017. Dokumenti që si rregull hartohet nga një grup ekspertësh dhe bazohet në fakte, sondazhe ose të dhëna zyrtare, këtë herë ishte hartuar në një mënyrë aspak profesionale në raport me disa fragmente që lidheshin me Presidentin e Republikës e ku dukej dora e njerëzve të kryeministrit Rama në financimin e disa akuzave absurde. Raporti që merr përsipër të bëjë analizën për Shqipërinë nuk mban firmën e ekspertëve të organizatës apo një grupi analistësh, por vetëm të një personi. Fjala është për aktivistin e shoqërisë civile në Shqipëri, Blendi Kajsiu, i cili për herë të fundit është shfaqur në Tiranë në krye të protestave kundër armëve kimike dhe vendimit të SHBA për t’i sjellë në Shqipëri. “Faktmbledhësi” prej disa vitesh nuk jeton më në Tiranë. Ai që ka stisur “faktet” gjëndet në qytetin Medelin të Kolumbisë, atje ku mafia e drogës ka shtrirë tentakulat deri në Tiranë, siç erdhi edhe sasia prej 613 kg kokainë, e cila u kap në Durrës. Megjithatë nuk mund të atakojmë direkt Kajsiun, sepse ka disa “kajsi” të tjerë që fshehin dorën në raportin në fjalë, duke shfrytëzuar lidhje të nëndhenshme të filantropistëve të huaj, të cilët kanë interesa private për naftën shqiptare.

“Freedom House” që në hyrje të raportit thotë se dokumenti nuk përfaqëson qëndrimin e saj, por pikëpamjet e hartuesit, pra të atyre që kanë paguar me shumë nën dorë për këtë raport. Pra, vetëm logoja është e organizatës jo qeveritare me qendër në SHBA, ndërsa mendimet dhe raporti shprehin qëndrimet e vetëm një njeriu. Veç vlerësimeve për qeverinë, standardet e zgjedhjeve dhe problemet me demokracinë hibride në vend, raporti përmend edhe Kreun e shtetit, Ilir Meta. “Dokumenti” kritikon procesin e zgjedhjes së Presidentit duke bërë dhe aludime që edhe në një media periferike bulevardeske nuk mund të botoheshin pa verifikim dhe jo më në një raport që pretendon të jetë ndërkombëtar. Në pjesën për Presidentin, hartuesi i dokumentit u referohet pa më të voglin mundim për verifikime disa portaleve në Tiranë që financohen dhe klikohen vetëm nga zyrtarë të qeverisë. Tallja me “raportin” vazhdon më tej me faktin se vetë portalet ku merren “faktet”, shkrimet i bazojnë në komente të personave anonimë në Facebook. Në këtë mënyrë, hartuesi i të ashtuquajturit raport arrin në përfundime që përdoren si fakte të Freedom House, kur në fakt janë thjesht aludime apo interpretime nga mendja të një një personi apo disa komentëve të paguara në facebook. Raporte të tilla duhen të jenë serioze dhe mbi fakte e dokumente e jo se ç’mendon një “kajsi” apo “pjeshkë” pranë qeverisë Rama.

“Freedom House” është organizatë serioze, por me sa duket këtë radhë, nga nxitimi apo nga shpërdorimi që i kanë bërë emrit të saj disa politikanë nga Tirana, ka humbur një pjesë të kredibilitetit në raport me të vertetën.

Duke zbërthyer mënyrën sesi është hartuar dokumenti kuptohet se asnjë prej “fakteve” nuk ja vlen të merret seriozisht. Mjafton të hysh në një portal të financuar nga qeveria, apo në faqet e Facebook-ut të militantëve të partive politike dhe zbulon për politikanët çudira të padëgjuara, madje edhe më interesante se ato që paraqet hartuesi i “raportit” që rri në Kolumbi, meqënëse edhe gruan e ka kolumbiane. Çështja është se të gjithë e dijnë që këto janë llogje Facebooku apo ushqim për militantët dhe nuk i merr njeri si referenca serioze. Bile në darkë vonë doli ambasadori amerikan në Tiranë Lu i cili theksoi se asnjë kërkesë nuk i ka bërë për Ilir Metën, ish-kryeprokurorit të përgjithshëm, Adriatik Llalla, por përkundrazi ambasadori shton se Presidenti Meta është njeri i nderuar, por Llalla ka gënjyer në ato çka janë shpërndarë nëpër disa portale. Duken si pa lidhje raporti Freedom House me “letrën” e Llallës  për ndërhyrjet e ambasadorit, të cilat u botuan në një ditë. Në të vertetë një dorë kryeministrore i menaxhoi, ndonëse zyrtarisht ambasadori i hodhi poshtë aludimet e shpërndara nga mediat pranë qeverisë.

Megjithatë jemi para faktit të kryer, raporti është publik dhe ai apo ata që e kanë shkruar nuk u interesojnë faktet, por qëllimi ku duan të arrijnë. Asnjë fjalë raporti nuk shkruan për zgjedhjet e vitit të kaluar dhe paratë e drogës në blerjen e tyre nga PS. Personi që e ka shkruar prej vitesh nuk ka asnjë lidhje me zhvillimet në Shqipëri. Situatën këtu në Tiranë ai e ndjek si mijëra emigrantë të tjerë nga Facebook dhe mediat online. Për ata që e Kolumbinë e njohin vetëm nga filmat për drogën, kjo është zona ku Pablo Eskobar themeloi kartelet dhe perandorinë e trafikut të kokainës që operonte në gjithë botën. Nga Kolumbia është bërë një pjesë e raportit, të paktën nga nënteksti i përdorur duket si stil kolumbian. Interesant është fakti se në këtë qytet kolumbian udhëton shpesh një biznesmen shqiptar i njohur për lidhje shumë të afërta me qeverinë. Biznesmeni në fjalë, zotëron biznese, bile kohët  e fundit është nën hetim për trafik droge nga Kolumbia. Këto të dhëna të krijojnë idenë e një “raporti” të hartuar nga “Grupi Kolumbisë” që për të shpëtuar nga problemet me drejtësinë këtu në Shqipëri kërkojnë të krijojnë destabilitet duke sulmuar kryetarin e shtetit. Është një skemë ku financimi i një “raporti” të dyshimtë përfshinë segmente mes krimit dhe politikës. “Grupit të Kolumbisë”, në fazën aktuale u intereson kaosi dhe destabiliteti, por skema që kanë vënë në përdorim do të sjellë si pasojë hapjen e frontin e Normandisë, ose atë që njihet si zbarkimi i madh i aleatëve që i dha fund Luftës së Dytë Botërore.

Këtë të mërkurë zbriti në “Normandi” vetë ambasadori amerikan Lu që përgënjështroi publikisht thëniet e përhapura nga ish-kryeprokurori Llalla dhe shtoi se ai (pra SHBA) respektojnë Kryetarin e Shtetit të Shqipërisë zotin Meta. Loja e “Grupit të Kolumbisë” synon spostimin e vëmëndjes nga hallet e përditshme ekonomike të shqiptarëve.

Pritet të fillojë sulmin në Normandi kundër “frontit kolumbian” edhe Presidenti Meta. Burime të rezervuara tregojnë se një numër dokumentash, DVD, filmime, regjistrime të shërbimeve partnere për persona politikë nga mazhoranca do të publikohen, çka nuk dihet fundi i këtij dueli që vetofruan “kolumbianët” e qeverisë.

Dit Bushatlliu

SHKARKO APP