Berlini vendos sot fatin e statusit të Shqipërisë në BE
Nga Qamil Xhani.
Kryeministri Edi Rama është nisur mbrëmjen e djeshme për në Berlin, në një vizitë zyrtare dy ditore. Mes shumë vizitash që ka zhvilluar në kryeqytetin gjerman, kjo e fundit është më e rëndësishmja. Rezultatet e takimeve në Berlin do të përcaktojnë nëse Shqipëria do të marrë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian apo procesi do të shtyhet për më vonë, pa afat. Qëndrimi i politikës gjermane sot do të vulosë nëse Shqipëria do të marrë përgjigje pozitive në muajin qershor.
Pavarësisht se vendimi zyrtar jepet në muajin qershor, sinjalet që Edi Ramës do t’i përcjellin nga Berlini do të përcaktojnë dhe vendimin final të gjithë vendeve të BE. Ndaj dhe gjithë vëmendja e qeverisë dhe opozitws është sot në Gjermani. Kreu i qeverisë ka parashikuar një axhendë të ngjeshur takimesh, e cila pritet të ketë edhe zhvillime të paparashikuara. Mesazhet më të rëndësishme do të jepen në konferencën për shtyp me kancelarin Agela Merkel. Takimi mes dy politikanëve është parashikuar në orën 15:30. Tema e bisedimeve është publikuar nga zyra e shtypit e kancelares Merkel. Në njoftim theksohet se Merkel dhe Rama do të diskutojnë për “marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”. Mes temave kryesore, ajo e integrimit është dhe më e nxehta, bile më e rëndësishmja për qeverinë shqiptare. Në 28 dhe 29 qershor Këshilli i Ministrave të BE pritet të vendos për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë. Në këtë institucion të BE, qëndrimi i Gjermanisë, si vendi lider i Unionit Europian është orientues dhe për shtetet e tjera. Nëse Gjermania jep votën e saj pro, gjasat janë që shumica e vendeve të tjera të mos kenë asnjë rezervë. Nga mesazhet që do të japë Merkel në deklaratën me Edi Ramën do të parashikohet edhe vota e thuajse gjithë vendeve të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Përgjithësisht politike gjermane nuk i përdor fjalitë e spërdredhura diplomatike, ndaj nëse Merkel thotë “po” Rama kthehet në Tiranë me “negociata në xhep”. Nëse qëndrimi është “jo” nuk duhet të presim qershorin për të parë se çfarë do të ndodhë. Por veç takimit me Merkel, kryeministri Edi Rama ka një detyrë aspak të lehtë me anëtarët e parlamentit gjerman, Bundestagut. Sipas axhendës provizore, sot është parashikuar dhe një takim informues i kreut të qeverisë shqiptare me një grup deputetësh të komisionit për Europën në Bundestag. Ky komision do të orientojë dhe debatin politik në Bundestag lidhur me votën gjermane për Shqipërinë. Pavarësisht dëshirës për integrimin e Shqipërisë, fakti është se ka jo pak deputetë gjermanë që e shohin me rezerva integrimin e Shqipërisë pwr shkak tw korrupsionit dhe krimit tw organizuar e sidomos pwr rastin Tahiri. Edhe më problematik duket takimi me deputetët e Bundestagut, për shkak se komisioni për Europën drejtohet nga Gunther Krichbaum. Për këtë të fundit në Tiranë prej një jave ka nisur një sherr pozitë-opozitë. Partia Demokratike dhe eurodeputetë akuzuan Edi Ramën se ka urdhëruar një fushatë denigruese ndaj Gunther Krichbaum për shkak të qëndrimeve që ai ka mbajtur kundër integrimit të Shqipërisë. Shkrimet e mediave shqiptare kanë mbërritur deri në duart e deputetëve të Bundestagut dhe tashmë kryeministrit shqiptar, përveç kritereve të BE duhet të japë llogari dhe për sulmet që mediat afër tij kanë bërë ndaj një politikani gjerman. Nga kjo pikëpamje debati në komisionin gjerman pritet të jetë jo i lehtë, kur dihet se qëndrimi i deputetëve do të pasohet dhe nga qëndrimi i parlamentit gjerman. Është një situatë jo fort e favorshme për kreun e qeverisë shqiptare, ku bashkë me problemet e reformave duhet të jap llogari dhe për mëkatet e politikës së brendshme në Tiranë.
Pas Gjermanisë janë dhe dy vende të BE që shihen si jo në favor të Shqipërisë për çeljen e negociatave. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha dje se Franca dhe Holanda mund të kenë rezerva për Shqipërinë. Është parashikuar që kryeministri Edi Rama të zhvillojë dhe një seri vizitash në këto vende.
Gjithsesi, fati i negociatave vendoset sot në Berlin. Djersë të ftohta e presin kryeministrin Rama në vendin me të fuqishëm të Bashkimit Europian. Nëse i bind e kaloi lumin në Shqipëri, nëse jo atëhere mot me rrebesh e pret në Tiranë.