Presidenti i KE: Skënderbeu mbrojti Europën. Vendi juaj është në BE

Nga Donald Tusk

(Deklarata e Presidentit të Këshillit Europian, gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama në Tiranë)

Jam vërtet mirënjohës për komplimentet dhe fjalët e tua të ngrohta. Në fakt është e vërtetë. Unë jam miku juaj. Pra, kemi marrëdhëniet më të mira personale, jemi miq të mirë, por edhe sepse në të gjithë jetën time, në përvojën time politike kam qenë një mik i përkushtuar i kombit dhe vendit tuaj. Kjo është arsyeja pse jam i lumtur që gjendem në Tiranë dhe i jam mjaft mirënjohës Kryeministrit Rama për mikpritjen e tij.

Më lini ta nis duke përgëzuar popullin shqiptar. Rekomandimi i fundit i Komisionit Europian për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit tregon që keni bërë përpjekje të mëdha dhe po bëheni gati të nisni një prej projekteve më pozitive politike në historinë e vendit tuaj. Negociatat për anëtarësim me Bashkimin Europian nuk janë të lehta, por mund t’ju them nga përvoja ime politike dhe personale se ato ia vlejnë çdo përpjekje.

Kur vendi im nisi bisedime të ngjashme, rreth 20 vjet më parë, ne e dinim se shumëçka duhej të ndryshonte në Poloni. Megjithatë vendosmëria e plotë e klasës politike dhe mbështetja e njerëzve të zakonshëm e bëri ëndrrën realitet dhe është ëndrra ime që Shqipëria të ndjekë të njëjtin rrugëtim për në BE si atdheu im.

Me historinë tuaj krenare, me Skënderbeun që e mbrojti Europën nga Perandoria Otomane, nuk kam asnjë dyshim se ju do ta bëni këtë dhe është po kështu, në interesin më të mirë europian që Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit të jetë i integruar plotësisht në Bashkimin Europian. Nuk do të ndodhë brenda natës. Do të ketë shumë sfida dhe punë të madhe gjatë rrugës, duke filluar me sigurimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe reformën ambicioze të drejtësisë.

Ajo çka keni bërë dhe dua të jem shumë i qartë, është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për anëtarësim, nuk ka asnjë dyshim. Nuk është vetëm thelbi i rekomandimit të Komisionit Europian, por është dhe opinioni im dhe nuk jam i vetëm në këtë dhe kjo është ajo çka besoj thellësisht. Një tjetër sfidë do të jetë që të binden të gjithë shtete anëtare të BE-së në qershor, për të nisur negociatat.

Jam i vetëdijshëm që ky proces do t’i ngjajë më shumë një gare me pengesa sesa një autostradë, por nuk kam dyshim se integrimi i plotë mbetet fati ynë i përbashkët. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor e kanë vendin sëbashku dhe i nderuar Edi, mund të mbështeteni tek unë, edhe në këtë proces mjaft të ndërlikuar dhe sfidues.

Sot mund të them dhe tradicionalisht jam shumë i kujdesshëm, por mund të them se jam optimist kur bëhet fjalë për këtë perspektivë afatgjatë dhe i kujdesshëm për perspektivën afatshkurtër, por sërish optimist.

BE-ja deri më tani është investuesja më e madhe, donatorja më e madhe dhe partnerja tregtare më e madhe për të gjithë rajonin. Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Për shembull, 78% e eksporteve shqiptare shkojnë në Bashkimin Europian. Për ta krahasuar, vetëm 3% e eksporteve shqiptare shkojnë në Kinë. Me fqinjët tuaj të Ballkanit Perëndimor, që janë në vendin e dytë me 14% të eksporteve që shkojnë aty. Por krahasojeni, 78% me BE-në, Kina 3%, Turqia 1% dhe Rusia 0%.

Vizita ime këtu në Tiranë është ndalesa e parë e një turi prej një jave në Ballkan, për t’u përgatitur për samitin midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje.

Më 17 maj, samiti do të mbledhë sëbashku udhëheqësit e BE-së dhe të rajonit.

Në Sofje duhet të riafirmojmë perspektivën Europiane të Ballkanit Perëndimor, por ajo çka është po me rëndësi, është që samiti duhet të përcaktojë mënyrat dhe mjetet për të përmirësuar lidhjet me dhe brenda rajonit. Kjo ka të bëjë me lidhjet njerëzore, dixhitale dhe infrastrukturore. Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të jenë plotësisht të integruara në korridoret paneuropiane të transportit. Të udhëtosh midis kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk duhet të zgjasë më shumë sesa fluturimet për në Pekin, siç ndodh ndonjëherë. Për të shmangur ndërprerjet energjetike duhet të investohet më shumë sëbashku për përmirësimin e rrjeteve energjetike dhe ndërlidhjet.

Të rinjtë nga rajoni duhet të kenë më shumë mundësi për të studiuar në Bashkimin Europian. Një dyfishim i fondeve të “Erasmus+” do të sigurojë që ky objektiv të jetë i arritshëm dhe së fundi, ne duhet të rrisim përpjekjet e përbashkëta për shkëmbimet kulturore dhe promovimin e identiteteve kombëtare.

Për ta nxitur bashkëpunimin në këto fusha konkrete, nuk kemi nevojë të presim deri në zgjerimin e BE-së. Përmirësimi i konektivitetit tonë do të jetë në përfitim si të qyteteve dhe bizneseve nga Shqipëria dhe të partnerëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor dhe nga Bashkimi Europian. Dua të jem shumë i qartë. Ky program konektiviteti, nuk është alternativë ndaj zgjerimit, apo që e zëvendëson zgjerimin. Është mënyra për ta shfrytëzuar kohën midis të sotmes dhe së nesërmes në mënyrë më efektive se më parë.

Së fundi, samiti do të jetë dhe një rast që udhëheqësit të diskutojnë sfidat e përbashkëta të sigurisë, si kontrabandimi i emigrantëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar. Këtu duhet të vijojmë luftën si vëllezër nën armë.

Më lini të falënderoj Kryeministrin për solidaritetin shqiptar me BE-në dhe shtetet anëtare në sfidat tona gjeopolitike, si ato që kemi dëshmuar, me sulmin “Skripal” në Salisbury. E kemi marr parasysh dhe e kemi vlerësuar. Keni një reputacion shumë të mirë, si një ndër partnerët më besnikë të Bashkimit Europian në këtë kontekst.

Më lini ta përmbyll duke i bërë homazh markës unike të Shqipërisë, tolerancës fetare dhe bashkëjetesës. Këto cilësi vijojnë të jenë tejet të rëndësishme në botën e sotme. Këto janë themelet mbi të cilat mund të vijojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët dhe kam këtë ndjesinë personale që jeni më europianë ju këtu, sesa disa europianë të BE-së.

Faleminderit!​

SHKARKO APP