Tahiri lë mandatin! Kryemadhi: Teatër, opozita gati për zgjedhje
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat nga jashtë kuvendit, është shprehur se akuzat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ndaj LSI-së janë jo shqetësuese.
Për të dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit është një teatër fëminor, “por që nuk mund t’u hedhë hi syve shqiptarëve”.
Kryemadhi shton se kreu i qeverisë, Edi Rama është koka e krimit. Ndaj, tha kryetarja e LSI-së, ndërkombëtarët kërkojnë largimin e Ramës, jo të ”ushtarit” Tahiri, siç e cilësoi Kryemadhi.
”Unë flas si kryetare e LSI, e para, e dyta bërja kurban për dy orë e Saimir Tahirit nga Edi Rama është teatri i radhës, pasi është një lëvizje për të mbuluar gjërat e mëdhaja që vijnë dhe evidentimin e shkeljeve, që Edi Rama i ka bërë. Dorëzimi i mandatit i Saimir Tahirit është qesharak, sepse e mbani mend që në 19 prill vreapoi në seancë për të mos humbur mandatin. Ai është një nga ushtarët e vegjël të perandorisë së drogës të Edi Ramës dhe kërkon sa të mundet t’u japë Edi Ramës dhe grupeve kriminale oksigjen. Është teatër fëminor që nuk mund tu hedhë hi syve shqiptarëve. Ajo që dua të them është që lotët e krokodilit që shohim tashmë nga ata që kanabizuan Shqipërinë janë shfaqje e shëmtuar që varfëron shqiptarët”, tha Kryemadhi.
Nga ana tjetër, kryetarja e LSI tha se: ”Opozita është gati gjithmonë për zgjedhje të parakohshme”.