3.4 mln euro tek ”Toyotat”, mister emri i biznesmenit
3 milionë e 470 mijë euro, është shuma e parave që janë sekuestruar në dy makina “Toyota Yaris”, në Portin e Durrësit. Kjo është shifra zyrtare që jepet nga policia. Fillimisht u dyshua për 1.5 mln euro në një automjet të vendosur në një transportues me 8 makina të tjera, ku dyshohet se do dërgoheshin në Kosovë. Por pas verifikimeve është zbuluar dhe një makinë e dytë.
Policia po kryen verifikimin e dokumentacionit të makinave për të parë se cili është personi apo firma, për llogari të të cilit është kryer blerja e automjeteve nga vendi ku janë nisur për t’u dërguar për qëllime tregtie në vendin tonë.
Administratori i firmës, Edi Lika, i cili ka kryer transportin e makinave ku ishin fshehur paratë, ka deklaruar para Policisë se nuk kishte asnjë dijeni për prezencën e shumës së eurove të gjetura brenda tyre.
Gjatë marrjes në pyetje pas shoqërimit në Policinë e Durrësit, ai ka thënë se makinat po i transportonte për llogari të një biznesmeni, por pa dhënë emrin e tij.
“Nuk kam asnjë lidhje dhe dijeni për paratë, kam kryer thjesht transportin. Ishim kontraktuar nga biznesmenë kundrejt pagesës për të bërë transportin”, mësohet të jetë shprehur shkurtimisht Lika. Ndërsa ende mbetet mister se cili ka qenë biznesmeni nga Kosova që ka porositur 9 makinat, 7 prej të cilave “Toyota Yaris”.
Policia ka shoqëruar dhe dy shoferët e trajlerit, Klevis Lika, 19-vjeç, i cili është dhe djali i pronarit të firmës dhe Agim Ceka, 61-vjeç. Ata kanë deklaruar në Polici se nuk kanë lidhje me shumën e eurove pasi kanë kryer thjesht transportin e makinave, siç edhe kanë bërë në shumë raste të tjera.
Lika rezulton se ka kryer një itinerar të tillë të paktën 4 herë nga periudha shkurt-qershor, për të transportuar makina nga Italia për në Shqipëri.
61-vjeçari, nga verifikimi në sistemin TIMS, rezulton se ka kryer një proces të tillë dy herë. Policia po vijon hetimet për të zbuluar biznesmenin. Ndërkohë që makinat dhe shuma e eurove janë sekuestruar nga Prokuroria për llogari të hetimeve.