Akuza e Bashës: Taulant Balla ishte garanti i parave të drogës në makinë
Një ditë pasi në Durrës u sekuestruan 3.5 milionë euro në Durrës, Lulzim Basha ka akuzuar kreun e deputetëve të PS-së, Taulant Balla si personin e përfshirë në pastrimin e parave të drogës.
Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së tha se “Taulant Balla ishte garanti që paratë në makinë do hynin në Shqipëri”.
Sipas kreut të PD-së, policia shqiptare është detyruar nga policia e një vendi fqinj për të kapur sasinë e parave, pasi urdhri ka qenë të paratë të mos zbuloheshin. Kreu i PD-së tha se paratë do të përdoreshin nga grupe të fuqishme kriminale në qarkun e Elbasanit.
“Paratë janë të një prej bandave më aktive në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë. Balla kishte marrëveshje për të garantuar hyrjen e këtyre parave. Policia ka qenë nën presion nga një prej vendet partnere. Kemi një ish-ministër të Brendshëm kokën e trafikut të drogës, që del e shëtit me kalë. Kemi edhe kryetarin e grupit parlamentar të PS që merret me pastrimin e parave të drogës. Balla ka hyrë garant, pakti ishte për 1.5 milionë euro. Çfarë e lidh Tahirin, Xhafën, Ballën dhe Veliajn, përveç Edi Ramës? Trafiku i drogës dhe ndërtimi i kullave, të cilat do të ndërtohen për të pastruar paratë e krimit”,-tha Basha.
Sasia e padeklaruar e parave u gjet brenda dy automjeteve tip ”Toyota Yaris”, pa targa, ditën e diel. Mjetet ishin pjesë e 9 makinave që transportoheshin me kamionë nga Belgjika dhe mbërritën me traget me linjën e Ankonës në Durrës. Mjetet transportoheshin nga Edi Lika, i cili është ndaluar nga policia. Ai është i licencuar për Auto Service në Tiranë dhe transport ndërkombëtar mjetesh për vete, të tretë dhe dhënie me qira. Paratë u gjetën pjesërisht në një valixhe dhe të tjera të fshehura në pjesë të ndryshme të mjeteve që po transportoheshin.
Gjithçka erdhi pas një sinjalizimi paraprak të mbërritur pranë autoriteteve shqiptare nga zyra e Europolit në Itali. Dyshohet se rasti është një tentativë për pastrim parash në vendin tonë. Deri tani janë 3 të ndaluar për paratë; Edi (Eduart) Lika, pronar i subjektit transportues, djali i tij, Klevis Lika (19 vjeç), i cili shoqëronte drejtuesin e kamionit në udhëtim dhe shoferi i kamionit, Agim Ceka.
Kapja e parave në Durrës u paralajmërua ditën e enjte nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, gjatë fjalës së mbajtur në Parlament. “Njëri prej atyre që zgërdhihen më shumë ( duke treguar me gisht nga Balla) ka qenë në Gjermani para tre ditësh. Mbajeni mend këtë që po ju them! Dhe ka porositur një Toyota Yaris! Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda! Vazhdo qesh, do ta shikosh se çfarë do të tundet para hundës shumë shpejt.”- tha Basha në Parlament.
https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1931655840218921/
LEXONI EDHE….