Familja e gardistit, mesazh politikës: Mos shpifni, na lini të qajmë djalin tonë

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm, ku shoferi i ministrit Fatmir Xhafaj, Shkëlzen Qordja u gjet i pajetë brenda makinës së tij, ka pasur një numër të lartë versionesh mbi ngjarjen të cilat janë përcjellë nga mediat, por edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Kjo ka nxitur edhe reagimin e familjes së të ndjerit të cilët kanë gjetur forcë për të kërkuar respekt për viktimën.

Deklarata e familjarëve të Shkëlzen Qordja

“Është e pabesueshme për ne qe ne kushtet e nje tragjedie familjare qe nuk i urohet as hasmit, te na duhet te përballojmë edhe shqelmat e politikes mbi trupin pa jetë të djalit dhe vëllait tonë që e kemi në mes të shtëpisë!

Kur s’ka fjalë dhe ngushëllim për ne sot, detyrohemi nga këto shqelma egërsirash të gjejmë fjalë për të bërë deklarata publike si familje!

Por fatkeqësisht nuk kemi asnjë rruge tjetër përveçse t’i drejtohemi publikisht politikaneve qe te na lene te qajmë njeriun tone.

Të mos shkelin mbi çdo ligj e zakon, duke bere atë që as gjakësi i kanunit nuk e ka bërë kurrë për viktimën e tij.

U lutemi mos e rendoni djalin e vellain tonë me fantazi dhe fabrikime për qëllimet tuaja.

Për shpirtin e zi që ju shtyn në ë tilla akte çnjerëzore nuk është fajtor i shtrenjti ynë dhe zija jonë del e tepron për supet e familjes sonë të thjeshtë.

Prindërit dhe vëllezërit e të ndjerit Shkëlzen Qordja”.

SHKARKO APP