PS dhe Kushtetuta e Rilindjes
Nga: Ylli Manjani
Metmorfozë..
—————
Partia Socialiste e ka patur të shenjtë Kushtetutën dhe ligjin!
Sa herë juristët ngrinin zërin për një çështje ligjore, socialistët bindeshin. Kushtetuta, ligji, vendimet e qeverisë, gjithë hierarkia e normave të shtetit ishin të shenjta.
Askush nuk guxonte të mos priste hyrjen në fuqi të një akti dhe në asnjë rrethanë nuk lejoheshin interpretime bajate.
Ligje si puna e këtij të Teatrit ishin të pa imagjinueshme!
E pra debat politik kishte shumë. Shumë më tepër se të gjitha partitë e marra së bashku. Pa dyshim shumë më shumë sesa ka sot në partitë one man show…
Por, etika politike e Socialistëve nuk lejonte që ky debat të devijonte Kushtetutën e ligjet e vendit!
Gjykata Kushtetuese ishte perëndi. Ishte e tillë edhe kur vendimet e saj bllokonin ligje e vendime të parlamentit e qeverisë!
PS ishte partia që bëri vendin me Kushtetutë, megjithë vështirësitë e dialogut politik post ‘97.
Por pas 2005-ës, çdo gjë filloi të zhbëhej. E filloi zhbërjen që kur ishte në opozitë gjatën viteve 2005-2009. Socialistët me Edi Ramën në 2007 dhe 2008, prishën Kushtetutën që bënë vetë!
Deri sa lindi Rilindja si filozofi politike Anti-shtet, anti-ligj e anti-demokraci! Kjo është filozofia që prodhoi modelin më të rrezikshëm qeverisës në vend. Model që nëpërmjet propagandës fshihet mungesa e demokracisë; hajnia e pasurisë publike e private; vendosja ligjit dhe shtetit nën varësinë e pushtetit.
Eshtë modeli i kultit të individit dhe i polarizimit ekstrem të shoqërisë. Ky model, megjithëse nuk është i panjohur për ne, pari sukses!!!
Nuk ka më mbledhje kryesie ku kryetari i partisë dhe Kryeministri japin llogari me orë të zgjatura! Ka mbledhje 5 minutëshe ku kryetari apo edhe kryeministri kërkojnë hesap!
Ja ku është katandisur Partia Socialiste, që ka qenë më demokratikja në vend!
Ndaj nuk ka më asnjë surprizë në sjelljen e tyre në krye të pushtetit. Kanë zhbërë çdo nocion demokracie, ligji dhe shteti!
Rilindja riktheu pushtetin mbi të gjitha! Pushtetin që buron nga populli i portaleve e sondazheve…
Ndaj beteja me këtë farë të keqe politike, është më shumë sesa politike apo elektorale…
Populizmi është e keqja më e madhe që mund të zërë një shoqëri! Aq më keq kur përsëritet relativisht shpesh…