Presidenti Ilir Meta fjalim në OKB: Ne kemi pasur “Mandelat” tanë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në seancën plenare të Samitit të Paqes “Nelson Mandela” të OKB-së. Në këtë forum ku marrin pjesë kryetarë shtetesh, kryeministra dhe personalitet ndërkombëtare, Presidenti Ilir Meta mbajti një fjalim ku theksoi rëndësinë që ka promovimi i paqes frymëzimi nga njerëzit që kanë lënë gjurmë në botë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Duke folur për figurën e Nelson Mandelës, Presidenti Ilir Meta u ndal dhe në vuajtjet që regjimi komunist u shkaktoi qytetarëve shqiptarë. Presidenti Meta tha se “në Shqipëri ne kemi pasur ‘Mandelat’ tonë, të cilët për dekada me radhë gjatë regjimit komunist, janë përndjekur mizorisht e pa mëshirë dhe janë privuar nga liria për shkak të ideve dhe besimeve të tyre. Por ata mbijetuan për të na treguar dhe për të na inkurajuar që të jemi më tolerantë për besimet, fenë dhe etninë e njëri-tjetrit”.

Fjala e plotë e Presidentit Ilir Meta:

“Do të doja t’u bashkëngjitesha folësve të mëparshëm duke mirëpritur miratimin e Deklaratës Politike.

Dëshiroj të përgëzoj organizatorët si dhe ata që mundësuan këtë Samit të Paqes për të na risjellë sërish në mendje imazhin e Njeriut, i cili frymëzoi botën mbarë me angazhimin e tij për paqen dhe pajtimin si dhe me përkushtimin e këmbënguljen e tij duke luftuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Duke njohur e pranuar periudhën e viteve 2019-2028, si Dekadën e Paqes të Nelson Mandelës, ne si Shtete Anëtare, angazhohemi për të bërë më shumë përpjekje të përbashkëta duke qenë së bashku përgjegjës ndaj vlerave dhe parimeve të kësaj Deklarate.

Në Shqipëri ne kemi pasur ‘Mandelat’ tonë, të cilët për dekada me radhë gjatë regjimit komunist, janë përndjekur mizorisht e pa mëshirë dhe janë privuar nga liria për shkak të ideve dhe besimeve të tyre. Por ata mbijetuan për të na treguar dhe për të na inkurajuar që të jemi më tolerantë për besimet, fenë dhe etninë e njëri-tjetrit.

Ne duhet të luftojmë dhe të veprojmë së bashku për këto vlera.

Zonja dhe zotërinj!

Ndërsa ne flasim këtu, në mbarë botën ka ende shumë konflikte të dhunshme, si dhe mundësi të ndryshme për luftë që duhet të parandalohen si dhe kriza humanitare që duhen të përballen e tejkalohen. Ka shumë shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, dhe qëllimi ynë për paqen globale ende nuk është arritur.

Në mes të gjitha këtyre dimensioneve të paqëndrueshmërisë, ekziston trashëgimia e njerëzve që kanë luftuar për paqen dhe për një të ardhme paqësore.

Sot ne po kërkojmë mënyra të reja për të promovuar sa më mirë qëndrueshmërinë e paqes dhe për ta përdorur sa më mirë parandalimin e konflikteve në një perspektivë afatgjatë.

Në këtë drejtim, Shqipëria vëren se kemi nevojë për një qasje të gjithë shoqërisë njerëzore, të mbështetur nga institucione të forta dhe sundimi i ligjit, siguria njerëzore, zhvillimi përfshirës dhe gëzimi i plotë i të drejtave të njeriut për të gjithë njësoj.

Në prag të përvjetorit të 70-të të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dëshiroj të theksoj se të drejtat e njeriut përbëjnë me të vërtetë një bazë kritike për paqen dhe se elasticiteti ka hedhur spirancën dhe është ankoruar në sinergjitë mes përmbushjes së të drejtave të njeriut dhe bashkëjetesës paqësore në gjirin e shoqërive tona.

Meqenëse të drejtat e njeriut janë universale, ato përbëjnë shtyllën kurrizore të shoqërive tona në ndërtimin e paqes dhe garantimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë.

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/308022160023185/

Zbatimi i Axhendës 2030 dhe qëllimi i saj për nxitjen dhe mëkimin e shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse na çojnë drejt promovimit të parandalimit si një hap i hedhur para nga kultura e paqes dhe e sigurimit të bashkëjetesës paqësore mes kombeve, shoqërive, bashkësive dhe individëve.

Të dashur kolegë,

Miratimi i reformës së Sekretarit të Përgjithshëm mbi Paqen dhe Sigurinë që u mbështet nga Shqipëria, është një qasje e re për t’iu përgjigjur në mënyrë efikase kombeve të brishta dhe shoqërive të cenueshme, për të parandaluar konfliktet dhe për të ndërtuar një paqe sa më të qëndrueshme e të drejtë.

Unë besoj se nxitja e dialogut politik dhe forcimi i multilateralizmit janë mënyrat më të mira në promovimin e shoqërive globale me bazë rregullash bazuar në vlerat e të drejtave të njeriut dhe në respektimin e të drejtës ndërkombëtare.

“T’u mohosh njerëzve të drejtat e tyre njerëzore do të thotë që të sfidosh vetë thelbin e njerzillëkut të tyre”. – ky ka qenë mësimi i Nelson Mandelës për të gjithë ne.

Ju faleminderit dhe ju uroj një takim sa më të suksesshëm e të mbarë!”.

SHKARKO APP