E PLOTË/ Nuhu: Si më vunë pistoletën në kokë njerëz me pushtet
Në një intervistë për emisionin ‘Kjo Javë’ me gazetaren Nisida Tufa, ish oficeri Emiljano Nuhu, flet sërish nga arratia pas deklaratave të SHÇBA-së, në lidhje me rastin e Xhisiela Malokut. Ish oficeri Nuhu thotë se nuk i heq asnjë presje asaj c’ ka ka deklaruar në intervistën e tij të parë, ndërsa thotë se disponon fakte e prova të cilat do i bëjë publike vetëm në Gjykatë. Ndër të tjera ish oficeri, akuzon institucionet përgjegjëse se po tentojnë të manipulojë ngjarjen.
Nisida Tufa: Z. Nuhu faleminderit që pranuat të intervistoheni në News24, bashkë do të zhvillojmë këtë intervistë. Përshëndetje!
Emiljano Nuhu: Përshëndetje, faleminderit edhe ju për ftesën
Nisida Tufa Ka bërë shumë bujë intervista juaj Z.Nuhu, ka ndodhur një sërë ngjarjesh një sërë zhvillimesh pas deklaratës tuaj të fortë. Si i keni ndjekur zhvillimet e fundit?
Emiljano Nuhu: I kam ndjekur të gjitha zhvillimet e fundit ku nuk del asnjë nga ato që kam thënë unë, po mundohen të manipulohen nga institucionet që ka në dorë pushteti. Dhe politika mundohet të hedhë baltë në ato cfarë unë deklaroj.
Nisida Tufa: Cfarë do të thotë që nuk ka dalë asgjë nga ato cfarë ju keni thënë. Unë dua ti referohem fillimisht datës 21 korrik. Ku ju pretendoni se gjithçka ka ndodhur në komisariat. Mirëpo në reagime deklaratat e fundit, si ajo e SHCBA, ju nuk rezultoni fare në detyrë në datën 21 korrik. Si e provoni ju dhe cfarë keni për të thënë
Emiljano Nuhu: Atë që kam deklaruar për në datën 21 korrik i qëndroj dhe është e vërtetë. Pse drejtoresha e SHKB nuk publikon pamjet filmike të datës 21, por mundohet se nuk ka gjetur laborator për ti modifikuar, dhe pret derisa ti modifikojë dhe t’i nxjerrë. Këtë pret drejtoresha? Dhe më ngre disa akuza që nuk qëndrojnë. Kalimi i paligjshëm i kufirit nga ana ime nuk ekziston nga ana ime.
Nisida Tufa: Do t’i marrim me radhë edhe ato por unë dua të qëndroj të data 21 ju vetë si e provoni se keni qenë në komisariat. A keni ju prova? Sepse cështja ka shkuar në gjykatë tani. Z.Balla ka bërë kallëzim penal ndaj jush dhe personave të tjerë. Ju vetë si e provoni se keni qenë në gjykatë.
Emiljano Nuhu: Unë kam prova për ta provuar por vetëm në gjykatë do t’i dorëzoj këto prova që kam për ta provuar praninë e njerëzve që kam përmendur dhe që kanë qenë në komisariat. Pavarësisht se institucionet po mundohen që t’i manipulojnë me të gjitha mundësitë dhe hallkat shtetërore që ato kanë.
Nisida Tufa: Pra ju mendoni dhe jeni i bindur se keni prova të forta për ta hedhur poshtë pretendimin e SHCBA e cila flet në fakt me prova. Nga kqyrja e pamjeve filmike e gjithçka tjetër që disponon në bazë të hetimeve.
Emiljano Nuhu: SHCBA pse nuk i mori pamjet filmike në momentin që rasti u bë publik dhe ti publikonte
Nisida Tufa: Po, ndoshta këtë e ka lënë për një hap të dytë dhe për pjesë të hetimeve
Emiljano Nuhu: E ka lënë për një hap të dytë për të arritur për ti modifikuar pamjet filmike ose për ti fshirë dhe për të mos të nxjerrë personat e implikuar, për shkak se kanë fuqi politike dhe janë persona të parlamentit shqiptar.
Nisida Tufa: Ju e mohoni faktin që cështjen në fjalë e keni marrë më datë 27 korrik. Sepse në datën 21 ka qenë një tjetër oficer policie, i cilë është pezulluar.
Emiljano Nuhu: Në datën 27 është bërë urdhri i delegimit për vazhdimin e hetimit nga ana ime. Më është deleguar dosja nga Prokuroria, kurse data 21 unë kam kryer veprime jo të deleguara me urdhër, por të deleguara me anë të telefonit, janë kryer veprimet hetimore. Dhe unë nuk kam arritur ti kryej këto veprime hetimore për shkak të kërcënimit që kam denoncuar. Që u kërcënova në zyrën time nga personat që unë kam përmendur dhe i përmend përsëri. Dhe ky ishte shkaku që erdhi oficeri tjetër dhe vazhdoi veprimet hetimore të datës 21.
Nisida Tufa: Kur i keni kryer këto veprime, për të qenë më konkret. Kur i keni kryer veprimet?
Emiljano Nuhu: Të thash, në datën 21 veprimet e mia u ndërprenë për shkak të ndërhyrjes së deputetit Rrahman Rraja, Taulant Ballës dhe kryetarit të bashkisë që më kërcënuan brenda në zyrën time. Nuk arrita dot të bëja më veprime dhe në datën 21 veprimet i kaluan oficerit Gentian Citozi. Unë kam vazhduar hetimet pasi prokuroria mi delegoi me urdhër delegimi në datën 27, sepse asnjë oficer nuk i mori përsipër për ti kryer ato hetime. Unë pranova t’i merrja përsëri përsipër dhe në datën 30 u kërcënova përsëri, që kam bërë kallëzim në komisariatin
nr. 6.
Nisida Tufa: Z.Nuhu në respekt të të gjithë atyre që janë të prirur për t’ju besuar për gjithçka që ju thoni, ju lutem a mund të jepni apo mund të shfaqni disa detaje rreth personave që kanë qenë në komisariat në datën që ju pretendoni. Flasim këtu për deputetin Balla, për z.Bushi dhe persona të tjerë që këni përmendur. Mund të ndani me mua, ndonjë detaj që ata vërtet kanë qenë në komisariat edhe pse provat i keni lënë për një hap të dytë për në gjykatë.
Emiljano Nuhu: Ata kanë qenë në komisariat dhe detaji që unë kam nga zyra ime janë fjalët e tyre që ata më kanë thënë me ironi, që janë shprehur nga deputeti Taulant Balla dhe Artur Bushi që: ‘hiqe pistoletën nga koka e oficerit se nuk i bën oficeri këto gabime’ dhe kam qenë nën trysninë e armës së zjarrit brenda zyrës time. Presioni psikologjik që kam pasur në ato momente, ishte shumë i madh dhe nuk më linte mua mundësi i vetëm në zyrë të kapja detaje të shumta përballë 4-5 personave që kisha përballë.
Nisida Tufa: Cdo detaj që ju mund të thonë përbën kuriozitet por edhe fakt për publikun që ndjek me shumë interes. A mbani mend si ishin veshur? Mbani mend ndonjë detaj tjetër, si u drejtuan kush hyri i pari.. Gjithcka që mund të na thoni ?
Emiljano Nuhu: I pari mesa më kujtohet ka hyrë deputeti Rrahman Rraja, ka qenë i pari që ka hyrë në zyrë. Pastaj të tjerët me radhë. Dhe më agresiv nga të gjithë personat që kanë qenë brenda, ka qenë vëllai i deputetit Xhelal Rraja.
Nisida Tufa: Pse?
Emiljano Nuhu: Ai ka qenë më agresiv, për shkak të veprimeve kriminale që ka kryer gjatë gjithë kohës dhe është person me precedentë të theksuar kriminalë i dënuar për disa vepra penale. Njihet në të gjithë në zonë ca përfaqëson. Njihet nga strukturat e policisë pavarësisht se nuk marrin guximin të shprehen. Ai person ka hyrë i armatosur në zyrën time me armë pa leje. Këtë e theksoj ka qenë i armatosur me armë pa leje. Një person me 3-4 vepra penale. Dua të theksoj se shtetasi Xhelal Rraja në 1997 – 1998 së bashku me vëllain e tij ka shkëmbyer zjarr me një punonjës policie të stacionit të policisë Fushë Krujë, dhe do të shpjegoj faktin tjetër që deputeti ka ngelur i plagosur në ato vite dhe prandaj qëndron gjithmonë me syze, dhe polici ka ngelur i plagosur. Këta cfarë përfaqësojnë përfaqësojnë njerëz intelektualë që janë brenda parlamentit të Shqipërisë. Janë njerëz me precedentë kriminalë.
Nisida Tufa: Po mirë, Z.Nuhu një person që hyn në komisariat i armatosur përbën rrezik apo jo? Pse nuk e bëtë të madhe që në ato momente? Pse reagoni shumë më pas? Pse nuk reaguat që aty? Pse nuk e kallëzuat?
Emiljano Nuhu: Direkt pas castit që unë u kërcënova sa gjeta mundësinë reagova duke kontaktuar me prokurorin e gatshëm dhe me drejtuesin tim të komisariatit. Në rrugë institucionale, këta persona për të zbatuar ligjin, drejtuesi im i komisariatit duhet të më kishte dërguar forca shtesë policie që unë të kisha mundësi këta persona të ndaloheshin në ambjentet e komisariatit dhe të fillonte procedimi penal ndaj tyre. Por drejtuesi im i komisariatit nuk e bëri këtë gjë. Më tha merre me qetësi, qetësohu se do flasim me të e zgjidhim në mënyrë jo ligjore. Dhe prokurorisë unë ia shpjegova të gjithë situatën dhe prokuroria më tha që shko në prokurorinë e Përgjithshme për të bërë kallëzim. Se prokuroria e Përgjithshme është kompetencë e saj për të marrë kallëzime nga persona me imunitet. Duke e menduar që nuk po më mbështeste asnjë nga strukturat e policisë dhe nga prokuroria, i ndodhur i vetëm përpara dy njerëzve të Parlamentit të Shqipërisë dhe një Kryetari të Bashkisë dhe grupet kriminale që ato mbështesin, cfarë mund të bëja unë i vetëm po të kisha kallëzuar këta që kallëzova nga BE ta kisha kallëzuar në Shqipëri. Unë nuk do isha, nuk do ekzistoja më sot. Do isha …
Nisida Tufa: Z.Nuhu unë vijoj të theksoj që z.Balla mohon kategorikisht që ka qenë në dt. 21 në komisariat. Madje thotë që nuk ka qenë fare, ka qenë diku tjetër, duke peshkuar. Ju cfarë keni për të thënë në lidhje me këtë. Duke i qëndruar fort detajeve, cfarë kujtoni nga z.Balla se ju ka thënë atë ditë sipas pretendimeve tuaja?
Emiljano Nuhu: Dua të jap një shpjegim të vogël. Edhe mostra e Selenicës që vrau 8 persona në prani të të gjithë fshatit e mohoi si krim në hapat e para. Tha: Nuk i kam vrarë unë . Edhe Taulant Balla do ta mohojë këtë krim.
Nisida Tufa: Po ai ju ka kallëzuar apo jo, është i bindur në faktet dhe provat e tij që nuk ka qenë aty.
Emiljano Nuhu: Po mirë ta vërtetojë që nuk ka qenë.
Nisida Tufa: Pas gjithë kësaj ju do ti ndryshonit diçka deklarimeve tuaja
Emiljano Nuhu: Nuk i ndryshoj asnjë presje deklarimit, dhe vazhdoj t’i qëndroj atij deklarimi deri në fund.
Nisida Tufa: Z.Nuhu shtetasja Maloku është mirëpritur dhe trajtuar me përparësi nga policia, gjithmonë sipas deklaratave dhe reagimit të zv/drejtoreshës së policisë e ndani këtë mendim me ne?
Emiljano Nuhu: Kam mendim krejt të kundërt. Ajo ka shkuar në disa komisariate në kohë të ndryshme. Në komisariatin nr 3, në komisariatin nr 6 në komisariatin e Krujës për të kallëzuar këto veprime ndaj atij shtetasi por nuk janë marrë kallëzimet. Dhe e vetmja ditë kur është marrë kallëzimi është në datën 21 në komisariatin nr. 3 pas shumë përpjekjeve të shtetases Xhisiela Maloku. Dhe pas kësaj kohe veprimet janë kryer por ajo nuk është trajtuar mesa di unë me përparësi, sic e shpjegon drejtoresha.
Nisida Tufa: Nga 11 detyra të lëna nga prokuroria ju keni zbatuar vetëm 4. Zgjerohemi pak te kjo?
Emiljano Nuhu: Po do përqëndrohemi pak te kjo. Mesa mbaj mend unë nuk janë 4 janë diçka më shumë por, këto m’u ndërprenë për shkak të transferimit tim dhe dosjes time që mu hoq brenda ditës në datën 15 gusht kur unë u transferova. Nuk i lash unë përgjysmë, mi ndërpreu transferimi që më bëri drejtori i përgjithshëm dhe dosja m’u mor po në atë datë në datën 15.
Nisida Tufa: Në bazë të komunikatës për shtyp që mbajti zv/drejtoresha, nga pamjet filmike, rezulton se ju z.Nuhu jeni takuar me personin nën hetim në një lokal në një bar në Tiranë, në datën 30.
Emiljano Nuhu: Jo, nuk jam takuar me personin nën hetim. Shikojeni mirë dosjen Rexhep Rraja.
Nisida Tufa: Policia flet me pamje z.Nuhu..
Emiljano Nuhu: Por aty kanë ardhur kushurinjtë e tij. Redian Rraja dhe Ramazan Rraja, shikoje i ke edhe në dosjen që ndodhet në Prokurori që unë kam dorëzuar në Tiranë.
Nisida Tufa: Pra, bashkë me ta ju nuk keni qenë fare i pranishëm? Pra s’keni qenë fare në datën 30 në këtë lokal?
Emiljano Nuhu: Jo unë kam i qenë i pranishëm kur më kanë kërcënuar me jetë që të mos vazhdoja përsëri hetimet.
Nisida Tufa: Ku? Ku keni qenë?
Emiljano Nuhu: Kërcënimi ishte nga ata në datën 30 unë i kam takuar dhe më kanë kërcënuar që mos vazhdo hetimet ndaj nesh se do të vrasim dhe do të zhdukim familjen dhe këtë e kam kallëzuar
Nisida Tufa: Po pra dmth konfirmohet ky takim po ku ? Ku është zhvilluar.
Emiljano Nuhu: Është zhvilluar në një lokal në zonën e unazës së re. Reach mond e ka emrin lokali.
Nisida Tufa: Në datën 30?
Po
Nisida Tufa: Edhe një herë kush ishin të pranishëm dhe sa ndenjët në këtë lokal?
Emiljano Nuhu: Redjan Rraja dhe Ramazan Rraja. Ramazani është djali i Xhelalit që më kërcënoi në zyrë. Sa kam ndejtur? Ka qenë shumë kohë e shkurtër komunikimi me ata.
Nisida Tufa: Cfarë ju thanë ?
Emiljano Nuhu: Po vazhdove më hetimet kundrejt nesh, kundër fisit tonë, të pyesësh për ne, ne do të zhdukim ty dhe familjen tëndë për 24 orë.
Nisida Tufa: Z. Nuhu një pyetje, ju pse pranuat ti takonit jashtë komisariatit këta persona?
Emiljano Nuhu: Ata po më ndiqnin nga mbrapa dhe më kontaktuan ‘ po vijmë të të takojmë, kërkojmë takim me ty’ dhe unë për shkak të asaj cfarë ata përfaqësonin, lidhjen e tyre rrezikshmërinë e tyre isha me idenë për ti sqaruar dhe për ti minimizuar problemet se nuk po mund ti përballoja problemet ti acaroja, dhe i prita në një lokal, të mbikëqyrur nga kamerat e sigurisë dhe duke pasur njerëz e ndjeja veten më të sigurtë.
Nisida Tufa: Dhe cfarë ju thatë ju? Si iu përgjigjët ju ?
Emiljano Nuhu: Unë i jam përgjigjur duke bërë kallëzim në komisariatin numër 6. Cfarë përgjigje t’i jepja dy kriminelave që po më kërcënonin.
Nisida Tufa: Ishin të armatosur?
Emiljano Nuhu: Nuk ia vura fort veshin. Nga informacionet që disponon policia ata lëvizin gjithmonë të armatosur dhe janë të dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje dhe kanosje me armë.
Nisida Tufa: Në datën 15 shtator ju jeni larguar nga Shqipëria, përmes aeroportit të Prishtinës z.Nuhu por ju nuk rezultoni në sistemin TIMS, as të Shqipërisë dhe as të Kosovës. ..
Emiljano Nuhu: Unë jam larguar në datën 12 rreth orës 23:30 kam kaluar në pikën e kalimit kufitar në Morinë.
Nisida Tufa: Në datën 12?
Emiljano Nuhu: Dhe kam kaluar me automjet. Dhe aty dokumentat e identifikimit ia kemi dhënë një punonjësi policie kosovar. Që i ka parë dhe i ka regjistruar ai ca ka parë të arsyeshme sipas procedurave ligjore që zbaton pika e kalimit. Pika e kalimit është e mbikëqyrur me kamera, mund të shkojë drejtuesja e SHKB ti marrë ti shohë që unë kam kaluar aty në mënyrë të ligjshme, jo të paligjshme.
Nisida Tufa: Pra, flisni për datën 12 dhe që menjëherë keni lëvizur në një vend të BE?
Emiljano Nuhu: Po në datën 12 kam lënë Shqipërinë në shtator
Nisida Tufa: Ku ndodheni
Emiljano Nuhu: Në një vend të BE
Nisida Tufa: Keni lëvizur gjatë kësaj kohe?
Emiljano Nuhu: Kam lëvizur pas publikimit të vendndodhjes time që bëri z. Artan Hoxha. Për arsye sigurie kam lëvizur
Nisida Tufa: Z. Nuhu në datën 16 ju keni telefonuar për armën tuaj që ta dorëzoni
Emiljano Nuhu: Unë armën e kam dorëzuar sipas procedurave. Dhe arma ndodhet në magazinën e drejtorisë vendore të policisë Berat. Dhe kam dokumentin që kam dorëzuar armën sipas procedurave. Ato pretendime që ngre zonja drejtoreshe e SHKB nuk rezultojnë.
Nisida Tufa: Kur e dorëzuat armën?
Armën e dorëzova pasi u largova nga Shqipëria. Largimi im në 12 shtator është marrë vendimi brenda ditës për arsye sigurie se mua më kërcënohesh jeta edhe nga një grup shumë i fuqishëm dhe do ekzekutohesha dhe nuk doja t’i lija asnjë hapësirë që të kuptonte largimin tim nga Shqipëria. Se nuk do kisha arritur dot të largohesha nga Shqipëria nëse do i kisha dhënë të kuptonin që unë e kisha kuptuar gjithçka.
Nisida Tufa: Z.Nuhu unë dua ti rikthemi përsëri datës 21. Pasi ndodhi ajo që ju pretendoni, me kë folët për këtë gjë? Për deputetin Taulant Balla, për kërcënimin që keni marrë?
Emiljano Nuhu: Fola me drejtuesin tim të komisariatit dhe prokuroren e gatshme me këta dy persona kam komunikuar atë ditë. Më pas në datën 3 gusht kam vënë në dijeni drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe ministrin e brendshëm për problemin dhe në datën 14 përsëri e kam vënë në dijeni me email po asnjë reagim nuk ndodhi nga këto institucione. Pse si përmend zv/drejtoresha në deklaratën e saj dy emailet që unë i kam nisur drejtorit të përgjithshëm të policisë dhe ministrin e brendshëm?
Nisida Tufa: Pra ky email ekziston?
Emiljano Nuhu: E mail është nisur nga email zyrtar i policisë së shtetit dhe ekziston .
Nisida Tufa: Janë dy emaile tuaja?
Emiljano Nuhu: Po që unë i kam kërkuar ndihmë drejtorit të përgjithshëm për kërcënimin që më është bërë.
Nisida Tufa: Tek ky email ju e përmendni deputetin Taulant Balla?
Emiljano Nuhu: Jo nuk e përmend deputetin Taulant Balla në e mail për shkak të hakmarrjes që do bënin ata ndaj meje po ta kisha përmendur.
Nisida Tufa: Pra ju emrin e deputetit socialist Taulant balla për herë të parë e përmendni vetëm publikisht kur vendosët të flisni.
Emiljano Nuhu: Po nuk kisha guximin dhe besim që mund ti përmendja duke qenë në Shqipëri, për shkak të njerëzve që përfaqësojnë dhe fuqinë që kanë me pushtetin
Nisida Tufa: Po në email cilët emra përmendët?
Emiljano Nuhu: Në email i kam treguar rastin dhe kërcënimin që më është bërë nga shtetasit në datën 30 korrik të 2018 dhe ngjarjes se si ka ndodhur me hollësi ca përfaqësonin njerëzit që më kërcënuan dhe rrezikshmërinë e tyre. Dhe për shkak të këtij problemi drejtori i përgjithshëm duhet minimalisht të më kishte thirrur dhe të më kishte pyetur si qëndron problemi dhe pastaj ta vlerësonte kisha nevojë unë për ndihmë, për mbështetje për mbrojtje, ose s’kisha. Por drejtori i përgjithshëm as këtë gjë minimale nuk e bëri për të më pyetur si qëndron e vërteta.
Nisida Tufa: Pra në vija të përgjithshme me aq sa kujtoni, cfarë përmbajtje kishte ky email.
Emiljano Nuhu: Disa reshta nga ky email: Z.Drejtor i Përgjithshëm kërkoj mbështetjen tuaj pasi unë në këtë vend ndihem i kërcënuar për shkak të dosjes hetimore që unë po vazhdoj hetimin dhe për shkak të kërcënimeve që më janë bërë në mënyrë të njëpasnjeshme nga shtetasit që kam përmendur. Dhe kërkoj të merrni masa në mënyrë ligjore për të më mbrojtur.
Nisida Tufa: Po përgjigje a morët?
Emiljano Nuhu: Jo nuk mora asnjë lloj përgjigje, as me email zyrtar, as më mori njeri në telefon për të më pyetur si qëndron e vërteta. Një neglizhencë totale ndaj strukturave të policisë së shtetit ndaj meje
Nisida Tufa: Dhe kjo ju bëri që ju të largoheni. Të merrni vendim që të largoheni pas kësaj?
Emiljano Nuhu: Vendimin e kam marrë në datën 12 shtator pasi mora një informacion që duan të më vrisnin dhe ky ishte vendimi që nuk mund të rrija dot më në atë vend.
Nisida Tufa: Edhe një herë cfarë informacioni morët ?
Emiljano Nuhu: Informacioni i datës 12 ishte deputeti i Krujës kishte porositur ekzekutimin tim te një personazh shumë i njohur në atë zonë që ai e mbështet politikisht.
Nisida Tufa: Kush ua dha këtë informacion?
Emiljano Nuhu: Burimet e mia sekrete
Nisida Tufa: Z. Nuhu edhe një pyetje ju përvec se me personat zyrtarë të policisë, me dikë tjeteër e konsumuat? Apo e mbajtët hermetikisht të gjithën
Emiljano Nuhu: E konsumova vetëm me njerëzit e beusar. Pasi nuk kisha shumë besim se po të më dilte fjala prisja shumë gjëra të këqija. Pavrësisht se në 29 korrik ajo u denoncua nga ish kryeministri berisha ne media dhe aty më hyri jashtëmase frika. Se nga kërcënimi ata më thanë që do të vrasim nëse del jë informacion për këto që po ndodh në zyrë.
Nisida Tufa: Në bazë të këtij informacioni që ju keni marrë si do të kryhej ky ekzekutim?
Emiljano Nuhu: Unë do vritesha. Mënyrën se si do e kryente personi që e kishte marrë përsipër.. mënyra e tij e ekzekutimeve. Nuk mund të them. Po ajo zonë mbahet për vendosjen e tritoleve dhe grupi që e kishte marrë përsipër mbahet për vendosjen e tritoleve
Nisida Tufa: Po tani që vendosët të ikni, ndiheni të kërcënuar keni frike?
Emiljano Nuhu: Vazhdoj të ndihem i kërcënuar por autoritetet ku kam kërkuar mbështetje dhe mbrojtje ma kanë siguruar këtë mbrojtje.
Nisida Tufa: E keni fituar statusin e azilantit?
Emiljano Nuhu: Më kanë sigruar mbrojtje
Nisida Tufa: Me ish oficerin Zagani si jeni njohur?
Emiljano Nuhu: Me ish-oficerin Zagani jam njohur për shkak të hallit që më ka zënë dhe pasi kam ardhur në këtë shtet nuk dija kujt ti kërkoja ndihmë. Jam munduar të kontaktoj kam kontaktuar me të dhe ndihma e vetme që më ka dhën më ka treguar portën e institucionit ku unë doja të trokisja, më ka marrë një ditë të shtëpia e tij më ka dhënë bukë dhe kaq ka qenë ndihma
Nisida Tufa: Ndryshe nga ish oficer Zagani zgjidhni të shfaqeni i mbuluar. Pse?
Emiljano Nuhu: Për shkak të punës ku unë kam punuar për 6 vjet me grupet kriminale si agjent në mbulim. Nuk mund të shfaqem me fytyrë të ekspozohem ndaj grupeve kriminale që unë kam futur në burg