Vrasja tek ish-Blloku, të plagosurit jashtë rrezikut
Mbrëmë në zonën e ish-Bllokut u vra Fabiol Gaxha, truproja i Ervis Martinajt, ky i fundit dhe Eljon Hato janë duke u mjekuar në spital nën arrest, siguria e tyre po bëhet nga forcat speciale. Policia dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë u janë dashur të sigurojnë dy ambiente mbrëmjen e së enjtes, lokalin ku ndodhi ngjarja e përgjakshme dhe Spitalin e Traumës ku u dërguan për mjekim të plagosurit.
Në orët e para të mëngjesit Ervis Martinaj është transportuar në Spitalin Amerikan 2, ndërsa aktualisht në Spitalin e Traumës po mbahet Eljon Hato, i cili është në reanimacion pas ndërhyrjes kirurgjikale. Mjekët thonë se gjendja e tij është e stabilizuar edhe pse ka marrë plagë në kokë dhe bark.
Sipas mjekëve Hato është operuar deri në orën 6 të mëngjesit të së premtes dhe ende nuk mund të japin parashikime nëse ka dalë nga rreziku për jetën apo jo. Në reanimacion përveç bluzave të bardha janë edhe disa efektivë të policisë disa prej të cilëve të armatosur me armë automatike që ruajnë Haton, si nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme po aq edhe për faktin që është një i arrestuar për ngjarjen e përgjakshme.