Ministria e Jashtme thërret ambasadoren greke: Athina të distancohet nga aktet e dhunës
Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka thirrur për herë të dytë brenda pak ditëve ambasadoren e Greqisë në Tiranë.
Zyra e shtypit e Ministrisë njofton se diplomates greke i është kërkuar që Greqia të distancohet nga aktet e dhunës që po ndodhin ndaj shqiptarëve këto ditë.
Deklarata e plotë e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani u thirr sot në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në lidhje me ngjarjet e ndodhura në Greqi, duke nisur nga alarmi për bombë pranë Ambasadës tonë në Athinë, djegia e bizneseve shqiptarë, protesta para ambasadës dhe konsullatës tonë si dhe djegia e flamurit kombëtar.
Ambasadores iu kërkua distancimi dhe në të njëjtën kohë, dënimi nga ana e autoriteteve greke ndaj këtyre akteve të rënda që cenojnë klimën e marrëdhënieve miqësore mes fqinjëve.
MEPJ nënvizoi gjithashtu nevojën që autoritetet greke të marrin masat e duhura për të garantuar jetën dhe pronën e shtetasve shqiptarë me banim në Greqi.