Nënkryetari grek i Parlamentit Europian: Kacifas ishte ekstremist i armatosur, mos e bëni hero
Në Greqi vrasja e Kostancinos Kacifas në Bularat ka shkaktuar reagime nacionaliste dhe urrejtje të pa hasur më parë ndaj Shqiptarëve. Partitë e opozitës dhe sidomos deputetë me prirje radikale kanë bërë deklarata ekstreme që nisin nga “bombardimi i Shqipërisë me avionë”, “aneksimi i Jugut të Shqipërisë në autoritetin e Greqisë” dhe deri te “kthimi i gjithë emigrantëve” dhe “largimi i ambasadores shqiptare”.
Janë të gjitha qëndrime ekstreme dhe raciste që kanë gjetur hapësirë në opinionin grek gjatë ditëve të fundit. Mediat e vendit fqinj duket se kanë ndikuar dhe në shtimin e urrejtjes ndaj shqiptarëve për shkak të raportimeve të rreme që paraqesin një situatë krejt tjetër. Në disa prej televizioneve dhe portaleve më të ndjekura ka ende lajme të rremë që thonë se: “Kacifas u hoq zvarrë nga policia shqiptare dhe u ekzekutua në mënyrë gjakftohtë”. Të tjera media vazhdojnë ende t’i mëshojnë idesë së “heroi Kacifas u vra teksa po ngrinte flamurin grek”. Këto raportime amatore kanë bërë që shumica e grekëve të mos kenë asnjë ide se çfarë ka ndodhur realisht më 28 tetor në Bularat. Ndërkohë që nga faktet që kanë dalë deri më tani nuk flitet as për flamur dhe as për vrasje të qëllimshme nga policia.
Por mes reagime nacionalistë që flasin për të “vrarë qentë shqiptarë” ka dhe politikanë të përgjegjshëm që kanë bërë thirrje për maturi të mediave dhe qytetarëve grekë. Sot Dimitrios Papadimoulis, Zv. Presidenti i Parlamentit Europian dhe deputet i partisë së kryeministrit Aleksis Cipras kërkoi nga grekët të jenë më të përmbajtur.
Në një intervistë për median greke “Real FM Radio”ai thotë se “Kacifas ishte një ekstremist, mos e bëni hero”. Papadimoulis deklaroi se në Tiranë dhe Athinë të gjithë janë kundër konflikteve. “Natyrisht ky njeri kishte pikëpamje ekstreme, me sa duket kishte kallashnikovin dhe qëlloi, dhe të gjithë në Tiranë apo Athinë janë kundër dhunës nga kushdo që ajo vjen dhe kundër luftës së armatosur për të arritur objektiva politike, nuk duhet të sakrifikojme njeri, që për ne është prioriteti i parë. Dhe dua t’i them shtetit grek dhe shoqërisë greke, dy gjëra: Së pari, të sqarohet nëse Katsifas mund të neutralizohej pa u vrarë dhe e dyta, nuk e shkaktojnë këtë ping pong dhe përkeqësimin e marrëdhënieve dhe të jetës së pakicës greke në Shqipëri. Katsifas ishte një ekstremist, mos e bëni hero”,- tha Papadimoulis.
Në qëndrimin e tij politikani grek kritikon deklarata e Edi Ramës pas vrasjes ishin të papërshtashme, por Greqia si vend kryeso në Ballkan duhet të jetë e matur.
“Greqia si anëtari më i vjetër i familjes evropiane në Ballkan, dhe më i fuqishmi dhe më i pasur, duhet të jetë pionier në mënyrë që faktet e tilla të trishtuara të trajtohen me kujdes dhe seriozitetin e duhur. Ajo që është tani e rëndësishme është të ulen tonet, të ndalohen të tjerët që ngatërrojnë këtë teme politikisht nga politika që po luajnë në të dyja anët e kufirit, politikanët apo gazetarët, dhe të sigurojnë pjesëmarrje aktive greke në sqarimin e kushteve nën të cilat Konstandini Katsifas u gjet i vdekur ”,- tha ai.
Deklarata e Papadimoulis është pritur në mënyrë negative nga një pjesë e mediave greke. Papadimoulis është politikani i dytë i rëndësishëm grek që flet me një gjuhë të moderuar dhe bën thirrje për të mos heroizuar një ekstremist si Kacifa i cili qëlloi me armë policinë shqiptare.
Një ditë më parë në Greqi shkaktoi reagime deklarata e Theodoros Pangallo i cili deklaroi se në çdo vend të botës “kush qëllon policinë qëllohet”.
- Ish-ministri Pangalos për Kacifas: Kush mban armë duhet të qëllohet nga policia
- Qeveria greke: Çështja e Bularatit, test për marrëdhëniet me Shqipërinë
- Protesta dhe parulla anti-shqiptare në Selanik: Vorio Epiri është grek
- Ministria e Jashtme thërret ambasadoren greke: Athina të distancohet nga aktet e dhunës
- Raporti për ndërhyrjen në Bularat: RENEA zbatoi ligjin. Operacioni është filmuar