Çfarë di për ‘Lleshin’, ‘Presidentin’ e ‘Kryeministrin’…
Nga Çim Peka/
Për herë të parë në jetën e vet, Edi Rama po mundohet të sillet si konstitucionalist.
I ndodhur në gjendje shoku pas refuzimit kurajoz të kandidaturës së tij për ministër të Brendshëm nga ana e Presidentit të Republikës, ai nëpërmjet enturazhit të tij në media, artikujve të porositur, apo edhe editorialeve të shkruara nga ai vetë në emër gazetarësh, po përpiqet të godasë Presidentin me argumentin ligjor dhe Kushtetues që Presidenti tagrin e tij kushtetues të (mos) dekretimit të propozimeve e ka vetëm ceremonial dhe jo substancial. Argumenti kryeministror shkon pak a shumë kështu: emri i ministrit është nomenklaturë e Shefit të qeverisë; Presidenti e dekreton vetëm formalisht pasi kompetenca e tij është vetëm formale dhe ceremoniale, dhe e voton parlamenti.
Si rrjedhim, Presidenti nuk mund të kthejë mbrapsht propozimin e Kryeministrit.
Gjëja më pozitive në këtë zhvillim është se Kryeministri më në fund ka mësuar me dhimbje, se mund të dalë dikush (në rastin konkret Presidenti) dhe ti thotë me një akt ligjor JO!
Pushteti nuk nënkupton që mund të bësh çfarë të duash, se ka rregulla, dhe se palët kontrollojnë njeri-tjetrin! Argumenti i ‘ceremonialitetit apo solemnitetit të dekretit të Presidentit’ është një debat kushtetues, dhe si rrjedhojë vetëm Gjykata Kushtetuese mund të ketë një argument shterues.
Nuk është as Kryeministri e as mediat e tij që përcaktojnë se çfarë është Kushtetuese e çfarë jo. Por Rama si konstitucionalist i ri-lindur nuk mund ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese sepse asaj i ka vënë drynin! ‘Karma is i bitch’ është shprehja ironike më me vend në këtë rast.
Ishte ai qe i hoqi të drejtën kujtdo në këtë vend që ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese për paudhësitë e qeverisjes së tij, dhe ja tani ai vetë ra në grackën që ngriti vetë.
Por përtej mungesës së Gjykatës Kushtetuese si akt politik i vetëdijshëm i Kryeministrit, ka një element tjetër që ai me ose pa vetëdije ( duke qenë se ai e urren ligjin dhe argumentin ligjor) e harron.
Parimi bazë kushtetues që përcakton ndërveprimin midis pushteteve (ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor) është parimi i ‘kontrollit dhe ekuilibrave’ (checks and balances). Këtë parim nuk e përmend Rama, sepse e urren. Është parimi kushtetues që e frenon atë të sundoje siç do e siç di.
Duke qenë që Rama është një injorant në jurisprudence po ja shpjegojmë me gjuhën që e kupton: me gjuhën e rrugës apo tavolinave kur flet me Gjushin, Milin, Sajmen apo Elvis Roshin- kontrolli dhe ekuilibri i pushtetit nënkupton që institucionet kontrollojnë njëri-tjetrin që të mos i lejnë të abuzojnë.
E shpjeguar në mënyrë juridike, ‘checks and balances’ është një mekanizëm që çdo kushtetutë demokratike ka vendosur për të siguruar dhe garantuar që asnjëri prej tre pushteteve nuk kapërcen tagrat e vetë kushtetues, si dhe kufizon abuzimin dhe veprimet autokratike.
Në rastin konkret, Dekreti i Presidentit nuk është një akt solemn dhe ceremonial i Presidentit, por një ushtrim i rolit dhe funksionit të tij kushtetues për të kontrolluar aktet e një pushteti tjetër, siç është ai ekzekutiv. E thënë ndryshe, kushtetuta ka përcaktuar tre filtra për caktimin e dikujt si ministër.
Filtri i parë është përzgjedhja që i bën Kryeministri një individi duke e propozuar.
Filtri i dytë është (mos) dekretimi nga ana e Presidentit dhe filtri i tretë është votimi në Parlament.
Në rastin e Drejtorit të SHISH, ligji (jo kushtetuta) ka përcaktuar vetëm dy filtra: filtrin Kryeministër si përzgjedhës dhe propozues dhe filtrin President si dekretues.
Në logjikën e kontrollit dhe ekuilibrave kushtetues ndërmjet pushteteve, kushtetuta ka përcaktuar rastet kur Parlamenti shërben si kontrollues dhe ekuilibrues i Presidentit, siç është rasti i votimit të propozimit të tij për Guvernatorin e Bankës Qendrore apo Kryetarit të KLSH-së; dhe në të kundërtën kur Presidenti shërben si kontrollues dhe ekuilibrues i Parlamentit, ne rastin e kthimit të ligjeve të votuara nga Parlamenti kur Presidenti nuk është dakord!
Në rastin e bërjes së ligjeve, kushtetuta ka përcaktuar katër filtra: 1) vendimin e qeverisë që e propozon si ligj; 2) votimin e parlamentit; 3) (mos) dekretin e presidentit dhe 4) gjykatën kushtetuese ne rast referimi.
Ka edhe një moment tjetër delikat në lidhje me Dekretin presidencial. Kushtetuta ka njohur parimin e ‘miratimit në heshtje’. Kjo do të thotë, që kur parlamenti miraton një ligj, për të cilin presidenti nuk është dakord politikisht, por nuk gjen cene ligjore apo kushtetuese për ta kthyer mbrapsht, ai as nuk e kthen, as nuk e dekreton brenda afatit ligjor.
Në një rast të tillë, ligji quhet i miratuar në heshtje dhe hyn në fuqi. Kushtetuta ka bërë një dallim të qartë përsa i përket kësaj. Ka lejuar miratimin në heshtje për ligjet, por nuk ka sanksionuar miratimin në heshtje për emërimet.
Bash ky ndryshim, e përcakton fuqinë e dekretit presidencial në rast emërimesh. Pra asnjë institucion nuk është tërësisht i lirë të bëjë çfarë të dojë.
Ashtu si votimi nga ana e parlamentit nuk është një akt ceremonial dhe vetëm solemn, por substancial i parlamentit, ashtu dhe dekreti i presidenti nuk është një akt solemn, por kompetencëe substanciale e Presidentit. Në të gjithë këtë zinxhir, është e vërtetë që ka një moment kur akti i Presidentit është vetem solemn dhe ceremonial: Ai është betimi i Ministrit para Presidentit kur merr detyrën.
Në fund duhet ti kujtojmë Kryeministrit, se kushtetuta ka caktuar Gjykatën Kushtetuese si vendi ku zgjidhen konfliktet midis institucioneve dhe si garant të Kushtetutës.
Nëse ai do t’i zgjidhë këto konflikte si shtetar duhet ti drejtohet asaj (bën mirë ta zhbllokojë një orë e më parë). Nëse do ti zgjidhe si bandit, të vazhdojë me presionet dhe shantazhet mediatike, dhe jo vetëm.
Ne i ecshin…