Në Bularat u përdhos shteti, ku është “patrioti” Rama?

Në Bularat të Gjirokastrës dje u varros Kostandin Kacifas, një 35-vjeçar me nënshtetësi shqiptare dhe greke, që u vra nga policia gjatë shkëmbimit të zjarrit me 28 tetor. Historia e ngjarjes për vdekjen e tij është e qartë, për këdo. Bile edhe ministrja e kulturës greke që ishte atë ditë në Bularat shkroi se policia nuk kishte asnjë faj, por zbatoi ligjin.

Ligjet dhe kodi zakonor i shqiptarëve e respektojnë të vdekurin dhe ceremoninë mortore të kujdoqoftë. Ndaj dje me gjithë kontradiktat dhe mosdakordësinë e veprimeve të Kacifas më 28 tetor, shumë shqiptarë respektuan dhimbjen e familjarëve për njeriun e afërt të tyre. Por nga një ceremoni mortore dhe përshpirtje, legjitime për të afërmit e tij, shqiptarët dje panë një demonstratë dhe paradë raciste dhe anti-kombëtare.

Mjafton të përmendim vetëm disa parrullave dhe thirrjeve që u shfaqën dje në Bularat; “Zjarr kundër qenve shqiptarë”, “Gjaku na thërret, të djegim shqiptarin”, “Vorio Epiri dhe Maqedonia janë Greqi”, “Jemi në Vorio Epir, këto janë tokat tona”, “Shpata dhe zjarr ndaj shqiptareve”. Këto shprehje raciste dhe luftënxitëse kundër shqiptarëve nuk u thanë as në ndonjë lokal sufllaqesh të patriotëve në Greqi dhe as në ndonjë takim të fashistëve të Agimit të Artë. U thanë në Bularat, në një territor që historikisht dhe ligjërisht është shqiptar. Por pjesëmarrësit në ceremoni mortore nuk u mjaftuan me kaq. Bashkë me thirrjet për të “djegur shqiptarët” nga varrezat vendosën të bllokojnë rrugën kombëtare Gjirokastër-Kakavijë. Që nga viti 1945, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk mbahet mend që në territorin shqiptar të jetë derdhur kaq shumë vrerë dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Nuk ka një rast tjetër të ngjashëm ku Kushtetuta, ligjet e shtetit, por edhe parimi i bashkëjetesës mes minoritetit grek dhe shqiptarëve të jetë përdhosur në mënyrë kaq flagrante. Në mes të ditës, në një ceremoni të ligjshme dhe të lejuar po nga autoritet shqiptare, u dëgjuan thirrje dhe u hodhën parrulla që janë përdorur shekuj më parë kundër identitetit tonë kombëtar. Ata që në ceremoni kishin ardhur nga Greqia, gjasme për të shprehur dhimbjen për vdekjen e Kacifas, në fakt kishin misionin vetëm për të provokuar me një gjuhë që nuk e mendonim se ekzistonte te fqinjët tanë. Sigurisht që nuk mendojmë se gjithë grekët mendojnë kështu, por ata që pamë dje dhe ata që kanë 15 ditë që mbushin mediat greke nga Bularati me thirrje për luftë kundër Shqipërisë, mjaftojnë për të kuptuar se thirrjet barbare mund të vijnë dhe nga një vend që ne na jep leksione për demokracinë dhe fqinjësinë. Ajo që ndodhi dje në Bularat është shprehja më e ndyrë e një nacionalizmi të prapambetur ndaj të cilit shteti shqiptar duhet të kishte reaguar me më shumë dinjitet. Policia shqiptare tha se ndaloi mbi 10 shtetas grekë për të mos hyrë në Shqipëri, pasi mund të shkaktonin incidente. Por dje nuk pamë asnjë policë në aktivitet dhe asnjë masë që të merrej gjatë hedhjes së parrullave kombëtare. Ligjërisht u shkelën tre nene të Kodit Penal: thirrje anti kombëtare, nxitja e përçarjes mes popujve dhe bllokimi i rrugëve. Që të treja janë të dënueshme. Asnjë nga këto vepra nuk ka lidhje me vrasjen e Kacifas, por vijnë nga një grup ekstremistësh. Sikur vetëm çereku i asaj që ndodhi dje në Bularat të kishte ndodhur nga shqiptarët në Greqi, sot Athina do kishte marrë masa ekstreme. Sikur një grup çamësh të shkonte në Paramithi vetëm me flamurin shqiptar, ka mundësi që sot të numëronim të vrarët dhe jo sa nene të ligjeve shkelën.

Këto ditë i kemi dëgjuar përditë të kërkojnë zbardhjen e detajeve të vrasjes së Kacias dhe sigurisht me shumë liri për minoritetin grek. Është e drejta e tyre ta bëjnë këtë gjë, por nuk kuptohet përse dje dy deputetët shqiptarë që ishin në ceremoni nuk thanë asnjë fjalë për të dënuar thirrjet raciste. Janë thirrje që fyejnë jo vetëm shqiptarët, por edhe vet minoritetin grek në Shqipëri që realisht deri këto vite ka qëndruar larg ekstremizmit grek. Ngjarja e djeshme në Bularat nxori zbuluar dhe “patriotin” Edi Rama. Kryeministrit i pëlqen ta cilësojnë si zyrtarin që “u vuri grekëve kufirin te thana”, pas ca statuseve të papërgjegjshme që ka bërë në Facebook. Por një shtetar, se patriot është fjala e madhe, nuk zhduket kur në territorin e tij përdhosen simbolet kombëtare. Nuk fshihet dhe nuk i shtyn hetimet për vrasjen e Kacias për javë me radhë.

Apo heshti se ka ngjyer dorën te Marrëveshja e Detit me Greqinë!?

 

Qamil Xhani

SHKARKO APP