Kacifas, zv/ministri grek: Nacionalizimi të dënohet në dy anët e kufirit
Thirrjet antishqiptare në varrimin e ekstremistit grek, Kostandinos Kacifas, janë dënuar nga Greqia. Zv.ministri i Jashtëm, Jorgos Katrougalos ka reaguar pas deklaratave të palës shqiptare për ngjarjet në Bularat gjatë. Ai nuk ka kritikuar vetëm qëndrimet e Shqipërisë por edhe të opozitës greke që sipas tij rrëshqiti në nacionalizëm.
”Ne u përpoqëm ta ruajmë nivelin e marrëdhënieve dypalëshe, por ka deklarata të ashpra nga pala tjetër, që paragjykojnë vendimin e drejtësisë dhe nuk ndihmojnë që të ulen tonet. Opozita (greke) nuk duhet që të bëjë deklarata për të kënaqur përkohësisht veshët e auditorëve tanë. Duhet të jetë e qartë që kur flasim për të dënuar nacionalizmin, kur themi që kufijtë janë të pacënueshëm, nuk flasim vetëm për të tjerët, por nacionalizmi duhet të dënohet nga të gjitha anët”,-tha Jorgos Katrougalos.
Pas provokimeve me thirrje antishqiptare të ekstremistëve grekë, Rama tha se shteti shqiptar nuk lufton me arkëmorte dhe provokatorë varrimesh. Kryeministri u shpreh se qytetarët e Bularatit janë qytetarë të nderuar të Shqipërisë. Ndërkohë që pas shpalljes ”non grata” të 52 ekstremistëve greke, Athina zyrtare kërkoi distancim dhe sqarime nga Tirana.