Fjalimi i Edi Ramës në Kuvend që solli përplasjen e protestuesve me policinë

Kryeministri Edi Rama foli sot në Kuvend për protestën e banorëve të Unazës së Re. Fjalimi i kreut të qeverisë, në vend të jepte një zgjidhje për banorët, acaroi dhe më tej situatën. Shprehjet e përdorura nga Kryeministri dhe ndonjëherë dhe fyerjet ndaj protestuesve bënë që jashtë sallës situata të tensionohej.

Kryeministri jo vetëm  nuk u premtoi dëmshpërblim, por edhe i etiketoi banorët si uzurpues dhe grabitës të pronave.

Pas fjalimit të Edi Ramës nisi dhe përplasja e banorëve me policinë jashtë Kuvendit.

Në vijim, fjalimi i plotë i Kryeministrit sot në Kuvend:

Edi Rama: Sot, Kuvendi diskuton projektligjin e buxhetit të vitit të ardhshëm, ndërsa opozita mungon, jo vetëm fizikisht, por mungon edhe figurativisht. Asnjë mbledhje publike në asnjë hotel për buxhetin, sa për të larë gojën, të paktën! Asnjë amendament i dërguar në Kuvend, sa për të larë duart, të paktën! Asnjë lloj shenje jete tjetër lidhur me debatin më të rëndësishëm parlamentar të vitit.

Nëse nuk i llogarisim ato kapjet e veshit mbrapsht të zonjës Tabaku njëherë në muaj, e cila e di dhe vetë që s’di çfarë flet kur reciton tekstet kadrioteske të partisë për ekonominë, kontributi i opozitës politike në debatin ekonomik të vendit gjatë këtij viti ka qenë i gjithi meritë e Kadri Vasilit, i cili, jo vetëm nuk e di që s’di çfarë flet, por kujton se di dhe atë që s’di, d.m.th. të gjitha.

S’kemi ç’bëjmë! Jemi të dënuar ta udhëheqim vendin pa opozitë. As dhe kur diskutohet buxheti në Kuvend. Ndërkohë që, opozita udhëheq, aktualisht, protestën më të turpshme që këtij vendi i kanë zënë sytë ndonjëherë, në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme kundër interesit publik.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë do të bëjë një paraqitje shteruese të buxhetit të 2019-ës, ndërsa unë do të ndalem vetëm në disa nga pikat më domethënëse të projektit, të cilat, në këndvështrimin tim, flasin qartë për këdo që parapëlqen faktet dhe jo gënjeshtrat.

Ndërkohë, me lejen tuaj, do të shtjelloj përgjatë kësaj fjale edhe “Pse”-në e protestës së lartpërmendur, e cila s’ka bërë kurrë vaki, kurrë, qysh se nisi epoka e prishjeve masive për interes publik në Parkun “Rinia” në Tiranë.

Buxheti i ri: 400 dollarë për beben e parë, 800 për beben e dytë, 1200 për të tretin dhe më tej, 1600 për binjakët dhe 2400 dollarë për trinjakët. Totali, miliona e miliona dollarë që për herë të parë vihen në dispozicion të familjes, nënës e fëmijës, si një mbështetje e konsiderueshme kesh qysh në ditën e parë të lindjes, një politikë e re sociale, shumë vite pas bonusit të bebes, vetëm 5 mijë lekë të reja që u vendos nga Bashkia e Tiranës që kur s’mbahet mend dhe mbeti deri sivjet si detyrim kombëtar, por rëndom i paplotësuar.

Kujtoj se në 2014-ën, ne shlyem 5 milionë dollarë borxhe për bebet e lindura gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme, e cila, si shumë detyrime të tjera, nuk e kishte paguar as këtë detyrim.

Kjo është një politikë e re që merr jetë falë mundësive të reja, të cilat janë krijuar përmes reformave të thella dhe të dhimbshme dhe rritjes së të ardhurave, rritjes së kontributeve, pasi sot, ka shumë më tepër shqiptarë që paguajnë atë që iu takon.

Pyetje: A ka njeri normal dhe me një minimum morali qytetar që të thotë se, këto dhjetëra miliona dollarë s’duhen t’i marrin rreth 30 mijë familje për bebet që do të sjellin në jetë në 2019-ën, por duhet t’i marrin zaptuesit e trojeve publike dhe private në shtratin e Unazës së Re?

“Po pse t’i marrin nga lekët e bebeve?” – mund të pyesin të gjithë ata që s’janë këtu.

Kadri Vasili, meqë nuk e kemi këtu, që ta ngrejë këtë pyetje vetë, do thoshte, “nga lekët e vetë Unazës së Re merrni dhe jepjani zaptuesve, sepse e keni korruptiv çmimin e kilometrit”. Kjo qasje, e cila është e përhapur nga kadrinjtë e ekspozuar të opozitës politike dhe ndër ata të paekspozuarit e opozitës medatike është një kadriotizëm me yllin në ballë dhe me Andin ndën shalë. Por patër do flas konkretisht edhe për këtë.

Sidoqoftë, në thelb buxheti i shtetit dhe kjo është çka çdo qytetar duhet ta dëgjojë sot fort dhe qartë, është një dhe pyetja mbetet gjithnjë: Buxheti i ri, 30 milionë dollarë për rritjen e pagave të mësuesve, mjekëve, infermierëve, ushtarakëve, diplomatëve dhe punonjësve të sistemit penitenciar.

Abuzuesit e Unazës së Re kërkojnë mbi 30 milionë dollarë për të liruar pronën që nuk është e tyre dhe sipas tyre, por dhe sipas atyre që duan t’i përdorin për “mish për top”, ne, përpara se të rrisim pagat për mësuesit, për mjekët, infermierët, ushtarakët, diplomatët dhe punonjësit e sistemit penitenciar, duhet të paguajmë zaptues profesionistë, si ata që janë shfaqur si një kategori e re e panjohur, falë kësaj proteste dhe rezultojnë ta kenë kthyer në biznes ndërtimtarinë pa leje.

Po kujt t’ia marrim rrogën që t’ia japim Gjovalinit nga Laçi, i cili është në protestë dhe do dëmshpërblim 100%, edhe pse ka 2 godina të tjera pa leje në Njësinë numër 7, të vetëdeklaruara, i janë legalizuar të dyja, ka një godinë tjetër pa leje në Kashar, i është legalizuar dhe ajo dhe ka një objekt tjetër në Laç, nga e ka nisur biznesin e zaptimit, në proces legalizimi?

Për cilën arsye në botë 4650 mjekëve dhe 13765 infermierëve, laborantëve, farmacistëve, të cilëve do t’ua rrisim pagën 7%, duhet t’u marrim taksë për të dëmshpërblyer 100% Ramazanin, i cili është në protestë, pasi ka deklaruar 2 ndërtime pa leje në Njësinë numër 5, një në Njësinë numër 6 dhe një në Njësinë numër 7 dhe ndërkohë proteston se nuk pranon që objekti i pestë pa leje, ky mbi shtratin e Unazës së Re t’i prishet për interes të qytetit ku ai është bërë zotërues i 4 pronave të tjera?

Zoti Ramazan, me përdhunë, jo vetëm që ka zënë shtratin e Unazës, por këndon sloganin “shtëpia mbrohet me jetë!” Eh, mor Ramazan!

13 milionë dollarë do të shkojnë për të rritur 7% pagën për 35873 persona të stafit mësimor të arsimit parauniversitar dhe sipas këtyre protestuesve të Unazës së Re, këto para, përpara se t’u shkojnë mësuesve duhet të derdhen për të dëmshpërblyer një Agron, Agron nga Elbasani, i cili, e filloi ndërtimtarinë pa leje me një eksperiment, shtesë anësore në Elbasan, i doli për mbarë, u bë pronar dhe zbriti në Tiranë, ku ka ndërtuar 2 godina pa leje te Njësia numër 7 dhe pastaj ka gjetur shesh dhe ka vazhduar të bëjë përshesh në Unazën e Re dhe sot është bashkuar dorë për dore me Ramazanin dhe të dy bashkë janë gati të japin jetën.

Të japin jetën, për çfarë?

Sepse nuk iu mjaftojnë 3, 4, 5. Ka dhe më shumë. Duan edhe më shumë. Kanë lënë aty djersën e ballit për këtë biznes ndërtimtarie pa leje!

Ndërsa Pali, i cili ka 2 objekte në Paskuqan, 1 të legalizuar dhe 1 tjetër e ka në Kombinat, Pali e ka kapur gjerë Tiranën, nga Paskuqani në Kombinat, e ka bllokuar tani rrugën te Unaza e Re, mbase ka ardhur këtu tani, por nuk e pashë, se do ta përshëndesja, sepse do që përpara sesa të rrisim pagën për 6800 ushtarakë, të dëmshpërblejmë 100% zotin Pal, për mundimin e madh që ka bërë, duke pushtuar shtratin e Unazës së Re që të ndërtojë godinën e katërt pa leje të biznesit të vet.

Me dëmshpërblimin 100% këtu kushedi se ku, por, normalisht, i bie këtej nga Sauku, ka në plan të rishfaqet zoti Pal me një tjetër fryt të mundit, djersës dhe paturpësisë së tij.

Rritja e pagave me mesatarisht 7% për sistemin penitenciar nga e cila përfitojnë 3559 policë nuk gjen dakordësinë e Edmondit. Edmondi nuk e hap rrugën e hyrjes në Tiranë për asnjë qytetar të Tiranës nga ata autoktonë, apo nga ata të ardhur që jetojnë si qytetarë të ndershëm të këtij vendi, nga të cilët dhjetëra mijëra kanë legalizuar me të drejtë shtëpinë e tyre sepse do 100% dëmshpërblim, Edmondi, pasi e ka filluar ndërtimtarinë pa leje në Pezë, i ka dalë me sukses, është bërë pronar, shtëpinë e ka në Pezë dhe është hedhur në Kombinat. Në Kombinat ka ndërtuar dhe 2 godina të tjera dhe pasi në Kombinat i ka ecur, ka thënë, po shtrihem dhe në shtratin e Unazës së Re edhe po i jap dum kësaj pune që të ketë për mua, nipat, mbesat, stërnipat, stërmbesat edhe sigurisht nën hijen e Shqiponjës për të cilën nuk të fal. Nuk të fal Edmondi.

Më në fund pas vitesh arrijmë që të kemi mundësinë që të rrisim pagat 20% për diplomatët më të keqpaguar në rajon, në Europë nuk diskutohet, diplomatët shqiptarë. Por është një Arben, Arben, që thotë, “jo, ç’na duhen ambasadorët përpara mundit, djersës dhe gjakut të derdhur në shtratin e Unazës së Re, ku unë vetë, Arbeni, pasi kam ndërtuar 3 objekte te Njësia 7, 1 e kam legalizuar, 2 të tjerat i pres, në proces, por nuk po m’i bëjnë shpejt se ata janë të korruptuar, tani e dua 100% dëmshpërblimin dhe për këtë të katërtin, se këtë e kam më për zemër, se ky është si fëmija i vogël, është si i pleqërisë, e kam bërë për lezetin tim dhe të gruas time. Tani me jepni lekët! Çfarë na duhen diplomatët?” Eh, mor Ben!

“Do marr armët, – thotë Beni, – do ta mbroj me jetën time pronën e zaptuar dhe biznesin që e kam shpikur vetë”, bashkë me Palin, bashkë me Mondin dhe bashkë me të gjithë këtë kategori që nuk e njihnim. Nuk e dinim që në Shqipëri kishte një biznes oligarkësh, siç kanë qejf t’i quajnë këta që janë bashkuar me këta atje, – me këtë rast, solidaritet për Salianjin, larg qoftë t’i ndodhë gjë, se nuk imagjinoj dot protesta që bërtasin: “Ervin, Ervin, ti je gjallë”! Imagjino: “Ervin, Ervin, ti je gjallë”! – “do marr armët, – thotë Beni por, po kam dhe Kujtimin me vete.

Kujtimi, nga Bulqiza thotë: “Libra falas edhe për klasën e pestë?! Po pse moj jahu?! Jo, libra falas për klasën e pestë. Lekët për mua edhe për Benin, se 4 objekte i kam bërë në Bulqizë, 3 i kam të legalizuara, 1 tjetër në Kashar pret legalizimin, po këtë të Unazës së re unë nuk e lëshoj.” Këtu te Unaza e Re shoku Kujtim, a zoti Kujtim, a Kujtim mos e pyet, se nuk e di si ta quajmë, këtë e do. E do këtë dhe për këtë, as libra falas dhe asgjë në botë, as rentën minerare, zero.

Kujtimi është i bindur që, po nuk i dhamë lekët nuk i hap rrugë 1 milion “budallenjve” që hyjnë e dalin në Tiranë çdo ditë, nuk ua hap rrugën, – “budallenj” që kanë paguar taksa, “budallenj” që kanë paguar ujë, “budallenj” që kanë paguar drita, “budallenj” që s’kanë zaptuar kurrë asnjë metër katrorë të dikujt tjetër, – këta “budallenj” përpara se të hyjnë në Tiranë duhet t’i japin lekët Kujtimit nga Bulqiza.

Ç’na duhen qendrat shëndetësore?!

100 qendra shëndetësore kemi në plan të ndërtojmë me buxhetin e ri: maternitete të reja, që nga ai Beratit, që, më në fund, është një zotim që do të bëhet realitet, spitale të reja. Por, përpara kësaj ne duhet të matemi me Bashkimin. Bashkimi është rekordmeni, është oligarku i këtij sektori. Shikoni Bashkimin! Bashkimi e ka nisur aktivitetin e biznesit të pushtimit në Kombinat, ka bërë 4 ndërtime. Pastaj ka dashur që për të shtunë e të dielë të ketë dhe nja 2 në Dajt. I është ngjitur Dajtit dhe i ka ndërtuar dhe 2 në Dajt. Por si duket, duke shkuar e ardhur në Dajt për të ngrënë kec, ka ndjerë lodhje dhe ka thënë po bëj dhe një këtu në “Ali Demi” që ta kem midis Dajtit edhe Kombinatit. Edhe pasi i ka bërë të gjitha këto i është vënë shtratit të Unazës së Re, aty te Unaza e Re, te shtrati, të gjithë. Te shtrati i Unazës së Re shoku Bashkim do lekët për godinën e tetë pa leje, të tetën. I do 100%. Nuk do t’ia dijë fare. I do 100% në dorë. Përndryshe, jo hyrjen e Tiranës që nuk e hap ky Bashkimi, por, për atë Zot, dorën te pushka e ka gati dhe kush t’i dalë përpara ta bëjë mirë në mend, se godinën e tetë Bashkimi nuk e fal. Apo s’ka në krah dhe këtë, Salianjin! Salianji e ka jetë të dytë këtë pas asaj letrës, e keni parasysh! Kështu që, s’ka!

Që ditën e parë, nuk e harroj, ditën e parë këtu në Parlament, fjalimin tim të parë për programin e qeverisë në 2013-ën, kundërfjalimi i parë ishte: ku e TVSH-në zero për inputet bujqësore? Sepse ishte një zotim i bërë në fushatën e 2013-ës, një zotim i ribërë në fushatën e 2017-ës. Por, zotimet nuk janë si ndërtimet e Kujtimit edhe të Bashkimit, që ndan mendjen Bashkimi e thotë po i hip Dajtit e po kap atë tokën aty dhe s’po pyes, a ka Kujtim aty, se është dhe një Kujtim tjetër në Dajt që nuk e ka pasur mendjen kur ka ndërtuar ky Bashkimi, edhe, “e thashë e bëra”. Zotimet nuk janë, “e thashë e bëra”. Zotimet janë: e thashë dhe do bëj çmos ta bëj. Por çdo gjë kërkon kohën e vet.

Sot, ne jemi këtu dhe Parlamenti për lumturinë e Erjon Braces dhe të të gjithë atyre që vijnë nga zonat rurale do të bëjë TVSH-në zero për produktet bujqësore dhe për herë të parë pas 28 vjetësh qeveria përcakton një skemë financimi që shtrihet për të gjithë fermerëtçdo qenie e lidhur me tokën në shpirt dhe në mendje që kontribuon nga Tropoja, deri në Konispol në këtë sektor, çdo fermer, çdo familje mbështetet financiarisht për herë të parë. Mbështetjet e tjera të çdovitshme kanë prekur 3 mijë, 4 mijë. Këtu janë qindra mijëra.

Por prit, ndaluni qindra-mijëra fermerë se përpara sesa të vendosim për ju duhet njëherë të dëmshpërblejmë, se janë të tjerë. Po t’i numërojmë të gjithë ata sot, janë më shumë sesa zërat e buxhetit. Janë afro 11 të tjerë, më të vegjël se Bashkimi, kuptohet, me nga 2, me nga 3. Duhet të merremi me këta njëherë, që të lirojmë rrugën, se na kanë zënë rrugën. Nuk na lënë këta të kalojmë.

Ka Tironë, por ka dhe shtrat të Unazës së Re!

Ka kryeqytet, por ka edhe Bashkim, Kujtim, Pal, Agron, Edmond edhe patjetër ka edhe Ramazan!

Të gjithë këta i bashkon tufa e kadrinjve të PD-LSI-së, bashkë me kadrinjtë e paekspozuar nga Ylli Kadriu, te Andi Kadriu, deri tek Qim Kadriu, të gjithë bashkë.

100 Fshatra, themi ne, por kemi 100 zaptues atje në Unazën e re, 100 vetë. Duan, jo shtëpinë ata, se nuk është punë shtëpish fare, s’duan shtëpi për të futur kokën ata, ata duan të kenë fshatin e tyre te Unaza e Re, me ligjet e tyre, me rregullat e tyre, sipas mendjes së tyre.

Për qendër fshati kanë zgjedhur rrethrrotullimin e Shqiponjës. Dalin te qendra ata. Çfarë ju duhet atyre se janë, në fakt, te hyrja e qytetit? Dalin te qendra me flamurin amerikan, se ata kanë zbuluar Amerikën të shtrati i Unazës së Re dhe tani do mbrojnë Amerikën e tyre nga indianët si puna jonë, që duam të hyjmë e të dalim në vendin tonë, në kryeqytet, në vendin tonë! Do e mbrojnë ata Amerikën nga indianët! Ne jemi indianët. 1 milionë indianë të ardhur nga Tropoja, të ardhur nga Kukësi, të ardhur nga Saranda, të ardhur nga Tepelena, të ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe këtu autoktonë si puna e Xhemalit, ne të gjithë jemi indianë. Shkoj unë në Surrel sa të dua, katunar Tirone jam, por jam indian. Janë këta amerikanët e Unazës së Re, që do transformojnë Shqipërinë nga një vend indianësh, në Amerikë. Më i forti fiton. Kush zapton jo vetëm që triumfon, por por mos t’i afrohesh se do dëmshpërblim 100%. Kush do t’i dëmshpërblejë? Indianët pra, do punojnë indianët. Do punojnë gjithë ata që punojnë. Do punojnë mësuesit, infermierët, mjekët, ushtarakët, diplomatët, punonjësit e administratës, do punojnë bizneset, do punojnë kamerierët, do punojnë kuzhinierët, do punojnë të gjithë, do paguajnë taksa që amerikanët e Unazës së Re të mbajnë lart flamurin dhe duke zbatuar Kushtetutën e Amerikës të mbajnë armë për çdo shtëpi, gati për t’ia kthyer indianëve me zjarr, në rast se këta guxojnë të thonë: Hapni rrugën ore. O Ramazon, hapni rrugën, mos shko mbas Lulit. Ose merrjani Lulit? 13 milionë i ka dhënë gjykata, kjo qeveria nuk ja jep. Po jua dha juve, ne bëjmë vendimin dhe merrjani Lulit. Luli do dëmshpërblim 100%.

-Ulje e barrës tatimore për grupe të caktuara individësh si të punësuarit me nivel të mesëm pagash.

-Ulje e barrës së kombinuar fiskale mbi fitimin dhe dividentin e kompanive.

-Dhënie incentivash dhe stimujsh tatimorë për industri dhe sektorë si bujqësia, fasonët, farmaceutika.

-Stimulimi i politikave të transportit në funksion të mbrojtjes së ambientit me TVSH të reduktuar për autobusët për transportin publik, rregullime të barrës fiskale.

Të gjitha këto janë për t’u aprovuar, mirëpo para se ti aprovojmë, çfarë thotë Amerika e Unazës së Re?  Jo – thotë – në asnjë mënyrë. “C ‘janë këto incentiva? Duam lekët tona”.

Ju kujtohet ajo “duam lekët tona”? Atëherë ata që thonin “duam lekët tona”, nuk kishin faj se u kishte thënë Saliu, i keni të tuajat.

Sot, për këtë meritojnë sqarim të tjerët sepse aty nuk janë vetëm zaptuesit, janë edhe të tjerë, ata meritojnë sqarim. Siç meritojnë sqarim të gjithë qytetarët, njerëzit e zakonshëm që shohin televizor e kujtojnë se këtyre po u ikin shtëpitë e thonë “po i lënë pa shtëpi në dimër”. Ata pa shtëpi në dimër? Bashkimi ka shtëpi e godina që të verojë e të dimërojë gjithë kombinati po të dojë. Mban gjithë pleqtë e kombinatit në azil ai po të dojë me ato shtëpitë që ka në Dajt.

Vijmë tek taksat. Dy fjalë për taksat. Ne, që na akuzojnë se kemi rritur taksat. Zero për bizneset e vogla, deri në 50 mijë dollarë xhiro. 79000 biznese përfituese, zero taksë.

5% për bizneset deri në 140 mije dollarë xhiro dhe këtu e kam për 11600 njerëz, familje, të vetëpunësuar, që kanë punësuar të tjerë. A jua thashë që do ta bëjmë? A ju thanë që nuk bëhet? Ne që ju thamë do ta bëjmë po e bëjmë sot këtu. Ata që ju thanë nuk bëhet, janë tek Unaza e Re duke bllokuar rrugën.

Tani, pjesa tjetër për ata që tek Unaza e Re kanë të drejtat e tyre.

E para, të drejtat e tyre, aty i kanë pronarët e vjetër. Në Unazën e Re, të gjithë këta që përmenda plus të tjerët që nuk i përmenda, kanë zaptuar prona të pronarëve të vjetër. Ku janë shoqatat e pronarëve? Ata që dalin dhe flasin për çdo gjë, duan edhe Amfiteatrin e Butrintit, t’ia u kthejmë, pse nuk flasin sot? Sepse në fund të ditës, ata si pronarë të vjetër do marrin dëmshpërblimin, nuk do marrin këta që kanë zaptuar. Asnjë kokërr leku nuk kanë për të marrë këta. Ata do ta marrin dëmshpërblimin. Pse nuk flasin ata, pse nuk e mbrojnë të drejtën e tyre? Pse nuk shkojnë tek partia e tyre? Parti zeza. Pse nuk shkojnë tek Kadriu? Tek i madhi ose tek i vogli. Tek Kadri Saliu ose tek Lulëzim Kadriu, ta zgjedhin vetë. Të shkojnë e të flasin pronarët e të thonë, “janë tokat tona” e dëmshpërblimi aty bëhet për tokat e tyre, nuk bëhet për ngrehinat e Bashkimit, Kujtimit, Agronit, Mondit, Ramazanit. Jo, nuk dalin.

Së dyti, aty ka godina të legalizuara. Tani, dëgjoni pak se kjo është shumë interesante. Se ta marrin vesh shqiptarët, ta marrin vesh edhe qytetarët e Tiranës se sa shumë i ka kushtuar rrumpalla e Kadri Saliut e sa i kushton sot e mund t’i kushtojë nesër rrumpalla e Lulzim Kadriut.

40 godina në Unazën e Re, të cilat sot gëzojnë titull pronësie dhe ne do t’i dëmshpërblejmë si pronarë të rregullt, nuk kemi çfarë i bëjmë, e dini kur janë legalizuar? Korrik – shtator 2013, mbasi 1 milionë shqiptarë i thanë Kadri Saliut largohu, por ishte Shaban Kadriu deri në shtator. 40 godina.

Këto 40 godina, pa leje, do të shpronësohen sipas të gjithë rregullave. Me çfarë? Me taksat e mësuesve, me taksat e infermierëve, me taksat e mjekëve, me taksat e ushtarakëve, me taksat e të gjithë atyre që kontribuojnë për këtë vend e që nuk kanë prekur kurrë një milimetër katror të këtij atdheu. Ndërkohë që ka dalë teoria e dëmshpërblimit pa kriter dhe pa karar, po nga ka dalë? Si ka dalë? Si të gjitha ato që artisti Lul Kadriu i nxjerr nga sqetulla, gjithë llojet e goglave sepse ligji i legalizimeve është votuar në këtë Parlament në 2006 dhe e ka bërë Kadri Saliu. Tani del thotë, bashkë me Lul Kadriun dhe me Kadri Vasilin, “të tëra të legalizohen”. Mirëpo çfarë thotë ligji?

Ligji ndalon rreptësisht legalizimin e çdo ndërtimi, aty ku ka interes publik dhe ndërkohë me një nen të shtuar nga Saliu dhe këtu Kadri Saliu është përgjegjës për këtë nen, ligji ndalon legalizimin në truall me pronarë. Shtrati atje është i gjithi i pronarëve. Si t’ja bëjmë? Të zbatojmë ligjin që kemi? S’ka rëndësi kush e ka bërë, ligjet janë ligje, apo të shkojmë mbas berihait.

Një gjë di të them unë, nëse hapet kjo, e nëse për një moment mendojmë çmendurinë që të dëmshpërblejmë çdo zaptues të territoreve me interes publik, nuk dalin më, nuk dalin më buxhetet e 25 viteve të ardhshme për të bërë një gjë, një më shumë se sa është bërë në të shkuarën. Nuk dalin dot.

Nuk rrisim dot më asnjë pagë, duhet të rrisim taksat. Nuk bëjmë dot më asnjë kopsht, asnjë shkollë, asnjë çerdhe. Ka dhe një gjë tjetër. E keni parë? Nxjerrin një video timen që kam thënë, “shtëpitë nuk prishen”. Po sigurisht, bazuar në ligjin në fuqi dhe kush është ndryshimi mes nesh dhe Kadri Saliut apo Lulëzim Kadriut? Në 8 vjet, kanë bërë vetëm 21000 legalizime, 21 mijë nga të cilat 40 janë tek Unaza e Re dhe 80% e të cilave janë biznese. Janë biznese, jo shtëpi. Ne kemi legalizuar 150 mijë shtëpi në Republikën e Shqipërisë. Janë 150 mijë familje që sot kanë titullin e pronësisë. E kemi bëre ne dhe do vazhdojmë ta bëjmë deri në fund, por kurrë aty ku cenohet interesi publik, kurrë mbi  rrugë, kurrë mbi monumente kulture, kurrë mbi tuba uji, kurrë aty ku kalojnë linjat e elektrikut. Kurrë, kurrë, kurrë!

Ky është dallimi, shumë i thjeshtë. Ndërkohë që Unaza është rrugë e kategorisë A. Tani, ne kemi marrë përsipër të bëjmë rrugë europiane. E dini ju që në Shqipëri nuk ka asnjë rrugë të kategorisë A sot që flasim, që janë rrugët europiane të konektivitetit europian që marrin certifikata nga Bashkimi Europian? Nuk ka asnjë. Ndërkohë që rrugë tona, edhe Unaza, janë të kategorisë A dhe projekti, gjurma është që në kohën e Kryeministrit të partisë së Saliut, të Partisë së Punës, të Adil Çarçanit, që në atë kohë, partia e tij e parë, ka bërë gjurmën e Unazës, partia e tij e dytë ka bërë ligjin e legalizimit dhe ne sot ecim në të njëjtën gjurmë të Unazës, sepse është metropoli, nuk është Tirana e dhive dhe e kioskave që ndërtoi Saliu dhe tha kjo është Zvicra e Ballkanit. Ju kujtohet Zvicra e Ballkanit?

Më tutje është ndjekur i njëjti proces, siç është ndjekur nga Bashkia e Tiranës kur e drejtonte Lul Kadriu dhe projekti është konform të gjitha standardeve të miratuara në vitin 2015. Tani, një gjë dua të theksoj. Unaza e madhe, në pjesën tjetër, nga Shkolla Teknologjike, deri tek rreth rrotullimi TEG-ut u bë me standard A. Ndërsa, Lul Kadriu, nga TEG-u në Shkozë e bëri dy herë dy, jashtë standardeve. Njësoj si dy fytyrat e tij. Tjetër kur flet me mua, tjetër kur flet me popullin. Të tjera më thotë mua, të tjera u thotë njerëzve dhe në fund është ajo, “kështu e ka politika, ti e kupton apo jo”. Jo, në fakt nuk e kuptoj dhe pse ti e kupton ashtu aty do rrish. Në situatën e sotme është shumë e thjeshtë. Ne kemi një rrugë urbane, me standard A, 2.2 kilometra, me korsi kalimi, me korsi emergjence, me trafik ndarëse, me brez të gjelbër, me dy bankina, me korsi biçikletash, e kështu me radhë. Trotuare nuk diskutohet, se këta shpikën atë trotuarin, – e keni parasysh trotuarin e këtyre, gjysmë metri, burri para, gruaja, mbrapa pastaj të gjithë kalamajtë me radhë dhe del familja për piknik. Trotuarët e këtyre! Ne nuk bëjmë nga ato trotuare se po ndërtojmë Tiranën e të ardhmes, nuk po ndërtojmë Bathoren e të djeshmes.

Tani, çohen këta, i keni dëgjuar. Ç ’është kjo? 2.2 kilometra kushtojnë shumë, ndërkohë që kilometrat atje kushtojnë shumë pak. Po çfarë eshtë kjo, terital që e blinin këta kur kalonin aty tek Mapo? Terital është ky? Që metri është kaq dhe me metrazh të gjate “dua kaq metra terital”? Terital është ky? Rrugët janë përmbajtje inxhinierike e do ta sjell një shembull konkret për të kuptuar ndryshimin e madh mes teritalit për metër dhe rrugëve për kilometër. Janë dy gjëra të ndryshme, por këta janë akoma tek Mapo. A shkojmë një herë tek Mapoja se ka ardhur terital i ri nga Kombinati i Tekstileve në “Mao Ce Dun”. Nga ai teritali gri, e keni parasysh që e pëlqente Saliu shumë. Tani e përdor edhe Luli, por e ka dok. Këta kujtojnë se është metrazh i gjatë. Për të mos u zgjatur, vazhdojmë me procedurën e prokurimit, është bërë korruptive, vëllezërit Hysa, janë bërë ata vëllezërit Hysa… i dëgjoj nga ky Kadri Vasili, se ca ka me vëllezërit Hysa, po ky në fakt, dikush më tha që i ka pasur në atë grupin e vetë vëllezërit Hysa. Janë bërë si vëllezërit e Elbasanit që këndojnë.

Tenderi është i qartë, i hapur, publik, një kompani është paraqitur dhe ka fituar. Pastaj se kanë dashur edhe vëllezërit Hysa të futen këtu e atje pa dokumente, pa gjë, kjo nuk e ndryshon fare përmbajtjen, se ishin futur apo se nuk ishin futur, kjo nuk ka lidhje fare. Po kujt t’ia shpjegosh? Këtyre që janë akoma tek teritali dhe flasin për integrim europian me terital në gojë? Kjo edhe për tenderin. Ndërkohë që në raport me banorët, janë 3 qasje të ndryshme. Me këta njëherë të kategorisë së zaptuesve profesionistë, as nuk bëhet fjalë, jo dëmshpërblim 100%, por as nuk bëhet fjalë, asnjë lloj tolerance. Zero dhe ata bëjnë mirë të largohen vetë që aty, të mos dalin më të zënë rrugën.

Bashkim, Ramazan, Agron, Edmond, largohuni! Shkoni e gëzoni ato të tjerat që keni ndërtuar, mos rrini aty.

Ndërkohë që për këta 40 që janë legalizuar, korrik- shtator të 2013, gjatë verës, sigurisht që do bëjmë shpronësimin, por do çojmë në Prokurori dosjen. Kush ua ka bërë ato legalizime? Kush ua ka bërë? Pastaj le të dali Kadri Saliu dhe të thotë si ishte puna, se ashtu ishte një muhabet, se kështu e ka politika, bashkë me artistin.

Së dyti, për ata që janë vetëm me shtëpi, por që janë të paligjshëm. Ne nuk mund të bëjmë dëmshpërblime, por do të japim bonusin e qerasë tre vjet. Çfarë duan më shumë tani? Se mos vjen Ramazan kërkon bonus qeraje. Ndërsa ata, që janë realisht aty për shtëpi, për strehim, do marrin bonus qeraje. Bonusin e qerasë kush do e paguajë? Do e paguajnë infermieret, do e paguajnë mjekët, do e paguajnë ushtarakët, do e paguajnë diplomatët, do e paguajnë punonjësit e policisë. Do e paguajnë të gjithë ata që kontribuojnë në Republikën e Shqipërisë. 3 vjet, nuk mund të paguajnë dot më shumë, sepse ndërkohë janë gjeneralë të NATO-së dhe nuk kanë shtëpi. Janë komisarë e drejtues policie e nuk kanë shtëpi.

Janë mjekë, janë infermiere, e kështu me radhë, që meritojnë shumë më tepër se sa kanë. Pse duhet të paguajnë ata sepse ju keni zënë rrugën atje? Ndërkohë që mos bëni krahasime, kush ka ndërtuar një shtëpi për të futur kokën ka qenë dhe është i mirëseardhur, por ama aty ku nuk cënon interesin publik, aty ku nuk zë rrugën e zhvillimit, aty ku nuk i zë rrugën fëmijëve të vet dhe fëmijëve tanë sepse janë gjithë fëmijët e këtij vendi, të kësaj Republike që meritojnë një të ardhme shumë më të mirë se kjo që përgatiti Kadri Saliu, bashkë me ju, Bashkim, Ramazan, Edmond, Agron. Të gjithë bashkë jeni. Njësoj jeni. Largohuni që aty.

Në mbyllje, një shpjegim. Rrugët e Shqipërisë, këto rrugët e “Shqipëria po ndryshon” ishte ajo kënga. Levan – Tepelene, kategoria C. Levan – Vlorë. Kategoria B. Tiranë – Elbasan, kategoria A2, pa të gjithë parametrat.

Thumanë – Milot, kategoria A1, pa të gjithë parametrat për t’u quajtur A.

Rruga e Kombit, Milot – Skuraj, kategoria C. Skuraj – Rubik, kategoria C. Rubik – Rrëshen, kategoria C. Rrëshen – Kalimash është kategoria A, por pa rrethimin plotësues.

Kalimash – Morinë, kategoria C dhe tani krahasimi midis kilometrit të rrugës dhe metrit të teritalit.

Po marr vetëm një shembull, ta dëgjojnë të gjithë, – Thumanë – Kashar është një rrugë me gjatësi 21 kilometra shtresë rrugore dhe ka një kosto, e cila e përfshirë dhe mirëmbajtja shkon në total në 28 miliardë, por ama, shikoni çfarë ka brenda. Nuk janë 21 kilometra me vajtje-ardhje, tegel teritali. Ka 77 mbikalime dhe nënkalime. Ka sistem drenimi me 70 ton tombino betoni dhe mbi 300 ton tombino metalike. Ka 12 ura me gjatësi 4 kilometra. Ka 3 nyje lidhëse. Ka 34 rrugë sekondare. Ka 100.000 metra pilota me thellësi 30 metra linear dhe 6 mijë metra linearë barrierë akustike.

Tani, çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që është praktikisht zemra lidhëse e gjithë trafikut që hyn e del në Tiranë. Vetëm vepra e artit që do të ndërtohet në hyrje të Tiranës pranë Kasharit është monument. Pse? Sepse ne duam të bëjmë rrugë europiane. Rrugë europiane do të thotë: makina ka rrugën e vet, njeriu ka rrugën e vet ndërsa dhia, lopa, delja, klienti, nuk kanë punë. Ndërkohë që komunitetet kanë rrugën e vet. Sot, çfarë ndodh në rrugët që bënë këta? Sot, ti nisesh dhe ke gjatë gjithë kohës interferenca, je si në një korridor, si në një rrugë komerciale, me restorante, pishina, trampolina, magazina dhe aty nuk e merr vesh i pari të dytin dhe urdhëro aksidentet. Ndërkohë që, rrugët që do të ndërtojmë ne janë rrugë ku do të garantohet shpejtësia, do të garantohet siguria, do të garantohet gjithë ndërlidhja, pa bllokime, pa ngecje.

Këta i kanë bërë rrugët njësoj si të bësh një palë pantallona teritali ku të marrësh vithet e mia, kërcinjtë e Erjon Braçes dhe gjunjët zgjidhini vetë se të kujt dhe pastaj ti thuash njërit nga ne vishe. I vesh dot? kështu janë rrugë e tyre. Ndërkohë që ne kemi komplet qasje tjetër. Kjo është Shqipëria që duam ne, e për Shqipërinë që duam ne jemi votuar nga ata që e duan Shqipërinë njësoj si ne. Për ata të Unazës së Re, duhet të jetë shumë e qartë. Kush ka titull pronësie, do të marri dëmshpërblimin sipas ligjit dhe pikë e do largohet që aty. Kush nuk ka titull pronësie dhe ka vetëm një strehim do të marrë 3 vjet bonus qeraje.

Kush pastaj ka ngrehina të kategorisë së Bashkimit, Kujtimi, Agronit, Edmondit, Ramazanit, të largohet sa më shpejt që aty, të mos na dali përpara.

SHKARKO APP