SHBA dhe mbarë bota humbën liderin që i dha njerëzimit liri dhe demokraci
Prof. Lisen Bashkurti
U nda nga jeta George H.W.Bush, ish presidenti i 41-tër i ShBA. Jeta e tij ishte e mbushur me kontribute të pafund, duke ia nisur nga pjesemarrja aktive në Luftën e Dytë Botërore deri në përfundimin triumfal të Luftës së Ftohtë.
Popuj e vende të ndryshme të botës e kujtojnë George H. W. Bush për ndihmesën që u ka dhënë në dobi të paqes, lirisë dhe demokracisë. Mbarë popujt e vendet e Evropës Lindore e kujtojnë kontrubutin e jashtëzakonshëm të George H.W.Bush për rrëzimin e ‘Perdës së Hekurt’ dhe dhënien fund të sundimit të Bashkimit Sovjetik mbi to. Populli Gjerman e kujton dhe nderon në mënyrë të veçantë George H.W. Bush për shembjen e Murit të Berlinit dhe bashkimin e Gjermanisë, ngjarje që i dha fund ndarjes së Luftës së Ftohtë dhe i hapi rrugë procesit të demokratizimit dhe të integrimit Euro-Atlantik vendeve të Evropës Lindore dhe disa prej ish-republikave të Bashkimit Sovjetik.
Populli shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe kudo në Ballkan dhe në botë e kujton dhe nderon jetën e veprën e George H.W.Bush për dhënien fund të diktaturës komuniste në Shqipëri dhe futjen e saj në rrugën e lirisë dhe demokracisë. Në këtë ditë humbje të madhe, populli shqiptar nderon edhe kontributin e paharruar të ish-presidentit George W. Bush, vazhdues i veprës së George H. W. Bush për pavarësinë e Kosovës dhe për integrimin e Shqipërisë në NATO.
Sot u nda nga jeta George H. W. Bush. Por jeta, veprat dhe kontributet e tij janë të mishëruara anë e mbanë botës, duke e mbajtur përjetësisht të gjallë në memorien e njerëzimit.