Reagon Veliaj: Rasti i Laprakës, shembull tipik i rrumpallës së fahrinjve
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka falënderuar dy familjet që pranuan të bashkëpunojnë dhe të lirojnë vet objektet e ndërtuara pa leje duke i hapur rrugë kështu projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale bën të ditur se të dyja këto familje pranuan që të pranojnë ofertën e Bashkisë së Tiranës për të marrë bonus qiraje deri në tre vjet dhe të lirojnë banesat që u prishën sot nga IMT-ja në afërsi të Doganës. “Faleminderit 2 familjeve që vullnetarisht liruan ndërtesat pa leje pas bonusit të qerasë për t’i hapur rrugë Unazës!”, tha Veliaj.
Ndërkohë duke iu referuar rastit të tretë, atij të Bajram Nelajt, Veliaj thekson se ai është demonstrimi më i mirë i të gjithë atyre që duke përfituar nga mungesa e reagimit të institucioneve ka ndërtuar pa leje duke zaptuar prona të të tjerëve. “Rasti 3 i zyrtarit të kthimit të pronave të PD që pasi vodhi pronë e ndërtoi pa leje 4 njësi për t’i dhënë me qera – shembull tipik i rrumpallës së fahrinjve”, shkruan Veliaj në twitter.
Bajram Nelaj gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike ka punuar në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe ndërtesën në afërsi të Doganës e kishte ndërtuar në vitin 1997, pa mundur ta legalizonte asnjëherë pasi ishte ndërtuar në Gjurmën e Unazës. Ai nuk jetonte në të, pasi e kishte dhënë me qira, katin e parë për farmaci bujqësore dhe katin e dytë një gruaje. Përveç ndërtesës pa leje të ndërtuar në gjurmën e Unazës ka në zotërim edhe një restorant në zonën e Inxhinierisë së Ndërtimit.