Rrokaj: Protesta e studentëve është e drejtë. Buxheti për arsimin s’plotëson kërkesat
Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj tha se protesta e studentëve është e drejtë. I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24, Rrokaj u shpreh se buxheti i fundit për arsimin është i pa mjaftueshëm dhe nuk plotëson kërkesat.
“Studentët kanë gjithmonë të drejtë sepse arsimi gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit nuk e kanë parë arsimin si prioritet për ta vendosur arsimin në ato shina siç është në vendet perëndimore. Buxheti i fundit për arsimin është i pa mjaftueshëm. Është vetëm 3.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo nuk mjafton, pasi nuk plotëson kërkesat e arsimit. Mos subvencionimi i arsimit nga qeveria çoi në rritjet tarifash për studentët”- tha Rrokaj.
Sipas tij mbyllja e sistemeve part time krijoi një gropë financiare në Universitete dhe rrugëzgjidhja është rritja e fondeve për arsimin.
“Problemi është se nëse do zbatohen të njëjtat rregulla loje sic bëjnë vendet e rajonit që kanë tarifat më të ulëta. Shteti nuk e konsideron arsimin në njëjtat shina si objektivat që duhet të bëjë Shqipëria për t’u bërë pjesë e BE. 2 Km rrugë janë të mjaftueshme për arsimin publik. VKM për tarifat e krediteve është anti-ligjore. Mbyllja e sistemeve part time krijoi një gropë financiare dhe rrugëzgjidhja është rritja e fondeve për arsimin, e cila do ulë tarifën që duhet të paguajnë studentët”- tha Rrokaj.
Më herët përmes rrjeteve sociale, Rrokaj do të shprehej se Qeveria është e kapur në panik prej protestës studentore!
Reagimi në rrjetet sociale
Qeveria e kapur në panik prej protestës studentore.
I kapur prej panikut të protestës studentore kryeministri nuk di ç’thotë: Ja se si shprehet: “Thjesht e vërteta.
. Tarifat s’i përcakton ministria po universiteti
2. Asnjë tarifë s’është rritur nga 2014
3. VKM për tarifën e mbetësve është kërkuar nga universitetet
4. Efekti i VKM nis vitin tjetër
5. Ministria u ka sugjeruar sot universiteteve të konsiderojnë rishikimin e VKM”.
Së pari, kur tarifat me ligj i përcakton dhe i miraton universiteti përse tarifa për kredite ka dalë me VKM në muajin maj? A ka shkelje ligjore këtu?
Së dyti, kur prej vitit 2014 nuk ka ‘rritje tarifash’ kjo tregon se asokohe qeveria ka qenë dakord me këto tarifa dhe i ka miratuar sipas ligjit të mëparshëm, i cili këtë të drejtë ia njihte asaj, ndryshe nga ligji aktual i 2015-ës, që këtë të drejtë ua njeh IAL-ve. Këto të fundit nuk i kanë ndryshuar tarifat, duke respektuar tavanin e vendosur nga Qeveria.
Së treti, kur të drejtën për të miratuar tarifat e kanë universitetet ç’punë ka ministria përgjegjëse t’u drejtohet atyre për ta rikonsideruar tarifën në fjalē?
Së katërti, çfarë logjike është kjo kur thuhet se nuk e keni këtë vit tarifën (pra , kot protestoni), por pa merak do ta keni vitin tjetër? Pra, prisni të protestoni pas janarit?! E gjithë kjo që po ndodh ka një përfundim: papërgjegjshmëri, anarki kompetencash dhe lojë kungulleshkash midis Qeverisë dhe IAL-ve, ku Qeveria bën lojën e strucit, duke mos u përgjigjur sy më sy se përse subvencionimi për arsimin nuk është 5% e PBB-së, si vendet e OECD-së, por vetëm 3,2%, e ku viktimat e këtij mosfinancimi janë studentët? Si një drejtues me përvojë unë jam i sigurtë se IAL-të i ulin menjëherë tarifat nëse Qeveria e kompenson me rritjen e financimit nga buxheti. Po, po. Kaq e thjeshtë është e vërteta.