Mijëra studentë bllokojnë Ministrinë e Arsimit dhe rrugën e Durrësit (VIDEO)
Vazhdon protesta e studentëve. Të gjithë studentët e të gjitha universiteteve, nga krejt vendi, kanë vërshuar sërish sot në Tiranë, në një protestë të madhe, që shënon të tretën ditë për të drejtat e tyre; uljen e tarifave të shkollimit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Mijëra studentë janë grumbulluar para ministrisë së arsimit. Gjatë marshimit të tyre ata kanë hedhur thirrje kundër qeverisë, për të anuluar VKM-në, që i detyron të paguajnë për provimet e bartura.
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, kanë qenë këto thirrjet e studentëve përpara godinës së Ministrisë së Arsimit. Ata kanë bllokuar rrugën para Ministrisë dhe po ashtu bëjnë thirrje “ulni tarifat” , “nuk jemi bankomat”. Studentët po ashtu kanë nxjerrë kartonët e kuq për ministren Lindita Nikolla, për t’i thënë stop tarifave të larta. Fasada e MAS është mbushur me banderola e pankarta të studentëve.
Ata i kanë drejtuar një ultimatum qeverisë dhe duan përgjigje deri në orën 16:00, pasi në të kundër do të përshkallëzojnë protestat dhe do hyjnë në demonstrata.
Teksa protesta vijon vrullshëm në Tiranë përpara Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, edhe studentë në qytete të tjera të Shqipërisë kanë bojkotuar mësimin dhe janë bashkuar për të protestuar.
Këmbëngulës janë shfaqur studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Një grup prej tyre i kanë shkuar njërit prej pedagogëve të tyre në dritaren e zyrës, duke i kërkuar të bashkohet me protestuesit pasi kanë hasur në rezistencë të tij, pasi panë që zhvillonte mësim.
Këshillat Studentore të Universiteteve Publike i janë drejtuar sot me një kërkesë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ku paraqesin 4 kushtet e tyre.
Në letrën e përgatitur nga Këshillat Studentorë të Universiteteve Publike, thuhet se “studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës”.
Po ashtu në letër thuhet se VKM-ja që parashikon tarifimin për çdo provim të mbartur të shfuqizohet, të përmirësohen kushtet në konvikte dhe të përgjysmohet tarifa e studimit.
Drejtuar: Ministrisë së Arsimit dhe Sportit,
Ministres së Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla
Përgatitur nga: Këshillat Studentore të Universiteteve Publike.
Duke u nisur nga deklarata e bërë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ne organizatoret e protestës së sotme si përfaqësues të Këshillave Studentore vendosëm tju paraqesin këto kërkesa:
- Shfuqizimi i VKM nr 288 pika numër 4 e cila citon si më poshtë: Studenti, i cilësuar në bazë të rregullores së institucionit të arsimit të lartë publik si përsëritës në një lëndë apo në shumë lëndë dhe vijon studimet në vitin pasardhës, i nënshtrohet tarifës së shkollimit për kredit për detyrimet apo lëndët përsëritëse, si dhe tarifës vjetore të shkollimit të vitit akademik në të cilin vazhdon studimet.
- Mbështetur në nenin 99 mbi Keshillet studentore, Ligji i Arsimit të lartë pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët.
- Përmiresimi i kushteve të konvikteve.
- Përgjysmimi i tarifës së studimit mbështetur në nenin 99 pika 5 (Ligji I arsimit të Lartë)
Afati i kthimit të përgjigjes ndaj kërkesës sonë është ora 16:00 datë 06.12.2018
https://www.facebook.com/PerUniversitetin/videos/590291718090388/