Kryemadhi: Shoqatat e paguara nga Rama t’u qëndrojnë larg studentëve

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i cilësoi protestat e studentëve si një leksion demokracie për politikën shqiptare. Kryemadhi tha se protesta u përket studentëve dhe askujt tjetër, dhe u bëri thirrje shoqatave dhe NGO-ve të paguara nga kryeministri Rama për ti përçarë studentët, ti qëndrojnë larg kësaj proteste.

“Lëvizja Studentore nuk është e asnjë partie politike, e asnjë organizate politike, ajo është e studentëve, prandaj duart larg si politika dhe NGO e subvencionuara dhe të paguara nga Edi Rama për ti përçarë ata. Studentët tanë na dhanë një mësim ne si politikanë, mua të parën, jam e bindur edhe z.Basha edhe të gjithë kryetarëve të frontit opozitar për të na thënë që nuk kanë nevojë për të pritur kushtet për të ngritur zërin dhe për të protestuar, por duan besim, duan forcë, duan alternativë. Na dhanë një mësim shumë të mirë ne klasës politike për të kuptuar se kur je me të drejtën, kur lufton për qytetarët, kur lufton për banorët, kur lufton për të mbrojtur të dobëtit përballë të fortëve, kur lufton për të mbrojtur të varfrit përballë të pasurve, Zoti është me ty. Pra, lëvizja studentore ishte një leksion demokracie, një leksion shprese që i dha opozitës, prandaj ju bëj thirrje të gjitha grave, ju që jeni sot, drejtuesve të shtabeve elektorale në të gjithë Shqipërinë, thirrje çdo nëne, çdo gruaje, çdo vajze të përkrahim studentët, të jemi me ta në çdo moment, pa asnjë lloj kompleksi se ata fëmijë që janë në rrugë që protestojnë për të shpëtuar paratë e prindërve të tyre të cilët robtohen për ti fituar. Ata studentë janë bijë nënash, fëmijë prindërish të cilët janë qytetarë të Shqipërisë dhe ne si opozitë e kemi për detyrë, jo vetëm ti përkrahim por edhe ti ndihmojmë, ti ndihmojmë në infrastrukturë, ti ndihmojmë në njerëz, ti krijojmë hapësirat, por edhe ti bëjmë liderët e ardhshëm të politikës shqiptare”, tha Kryemadhi.

 

SHKARKO APP