Deklarata tinzare dhe qesharake e policisë për protestën

Nga Neritan Sejamini –

Policia ka berë sot një deklaratë sa qesharake, aq edhe tinzare për të çkurajuar pjesëmarrjen në protestë. Pak a shumë, policia ka deklaruar se ka të dhëna që në protestë do marrin pjesë njerëz me precedentë penalë ndaj ajo do bëjë kontrolle rrugëve për të mos i lejuar këta persona.

E para, nuk e di nga e ka gjetur policia që njerëzit me dënime të mëparshme nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në protestë. E drejta e protestës është e drejtë themelore dhe e patjetërsueshme e çdo njeriu edhe e atyre me dënime të mëparshme. Ironia është se qeveria i ka bërë deputetë edhe ministra të dënuarit, por ata nuk i duken të përshtatshëm për të bërtitur në rrugë.

E dyta, si do i identifikojë policia njerëzit me precedentë penale? Nga ngjyra e flokëve dhe forma e kafkës? Apo do ju kërkojë njerëzve të paraqesin dëshmi penaliteti që të lejohen të marrin pjesë në protestë?

E treta, sa mirë që më në fund policia paska të dhëna për ndonjë gjë! Deri më sot, policia nuk ka patur asnjëherë të dhëna për ndonjë gjë. Është bërë trafik ndërkombëtar droge, kanë ndodhur vrasje e krime spektakolare, kanë shëtitur njerëz shumë të kërkuar për vrasje me pistoletë në mes të Bllokut, por policia nuk ka patur asnjëherë të dhëna paraprake për ta. Ndaj urime policisë për pajisjen me “të dhëna”.

SHKARKO APP