Pse të rinjtë duhet të protestojnë në datë 16 shkurt?

Nga Floida-Kerpaci*

Për veten, për familjen, për shtëpinë e tyre, Shqipërinë. Shqipëria është në një moment kyç për të ardhmen europiane të vendit, ku nëse nuk realizohet hapja e negociatave me Bashkimin Europian në qershor të këtij viti, atëherë ëndrra e popullit tonë për një Shqipëri europiane do pësojë goditjen më të rëndë dhe e ardhmja do jetë e panjohur. Qeveria aktuale po e pengon zhvillimin e demokracisë dhe progresin e vendit drejt Bashkimit Europian dhe rinia duhet të ngrihet që ta ndalojë këtë gjë.

Rinia në Shqipëri përballet me një jetesë shumë të vështirë dhe i gjithë brezi ynë duhet të ngrihet ndaj padrejtësive.

Sot, 79% e të rinjve shqiptarë kërkojnë të largohen nga vendi, pasi e ndjejnë veten të pashpresë për të jetuar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.

Ndryshe nga të rinjtë në Europë, të rinjtë e Shqipërisë janë pa punë, pa mundësi ekonomike, me një jetë plot strese e halle të mëdha, të shkaktuara nga papërgjegjshmëria dhe politikat shpërfillëse të Kryeministrit aktual Edi Rama dhe qeverisë së rilindjes.

E shtuna e datës 16 shkurt është momenti për t’u ngritur ndaj Ramës dhe qeverisë së Rilindjes. Ata premtuan për të rinjtë dhe familjet shqiptare më shumë vende pune, ulje taksash, arsim cilësor e më shumë zhvillim. Të gjitha këto, premtime të pambajtura Ndaj dhe rinia sot në Shqipëri nuk ka shpresë, sepse demagogjia nuk prodhon progres, por varfëri ekonomike dhe tensione e plagë të mëdha sociale.

Edi Rama premtoi qe do të hapte 300.000 vende të reja pune, por në fakt problemi më i madh që të rinjtë vuajnë sot është papunësia. Të gjitha raportet ndërkombëtare tregojnë se më shumë se sa shifrat e punësimit të rinisë janë rritur shifrat e emigrimit të rinisë shqiptare jashtë vendit, larg familjes.

Kjo sepse të rinjve në vështirësi ekstreme s’u mbetet gjë tjetër veçse të largohen. Protesta e 16 shkurtit është kërkesë e rinisë për një jetë më të mirë në Shqipëri.

Sfidat dhe problemet që kalojnë të rinjtë sot janë të mëdha. Papunësia, arsimi i dobët, kostoja e lartë e jetesës, problemet sociale në familje, përdorimi dhe varësia nga drogat e forta si kanabisi dhe kokaina, mospërshtatja e sistemit arsimor me tregun e punës, janë të gjitha probleme të përditshme që i shohim te të rinjtë në të gjithë vendin.

Një absurditet, ndaj të cilit do protestojnë të rinjtë në datë 16 shkurt është absurditeti i thirrjes “kërkojmë punonjës me eksperiencë”. Një i ri i sapodiplomuar nuk i ka kurrë shanset sepse shteti nuk i ofron mundësinë e praktikave të quhen si eksperiencë.

Edhe kur studenti është në fazën e studimeve universitare nuk mund të gjejë dot punë, sepse nuk ka as diplomë, por as eksperiencë. Po mirë, ku do ta marrë ky student eksperiencën? Dhe ajo që ndodh sot është që po vrasim sakrificën e mijëra studentëve, por edhe familjeve të tyre sepse realisht studentët po punojnë në “Call Center” apo punë me paga shumë-shumë të ulëta, jashtë profesionit për të mbijetuar.

Edi Rama dhe Rilindja e kanë kthyer çdo gjë përmbys dhe rinia në datë 16 do kërkojë që të rikthehet normaliteti.

Studentët dhe e gjithë rinia do të kundërshtojnë këtë qeveri në protestën e 16 shkurtit, me të gjithë forcën dhe besimin e tyre se duke u bërë të gjithë bashkë, ne mund t’ia dalim të rrëzojmë këtë qeveri me gjithë padrejtësitë, varfërinë, papunësinë, korrupsionin, kriminalitetin dhe antivlerat e panumërta që e karakterizojnë.

Edi Rama ka instaluar në Shqipëri sistemin e antivlerave, ku të rinjtë me ide dhe vizion, me integritet dhe pasion për të punuar për vendin nuk vlerësohen sepse ajo që promovohet dhe mbështetet është një grusht njerëzish që janë fytyrat e sistemit të antivlerave.

Edi Rama thotë se që të kesh shërbim nga qeveria, duhet të ndjekësh modelin e antivlerave, të kesh lidhje me krimin e drogën. E si mundet një i ri të pranojë këtë realitet në Shqipëri?

Studentët ndezën në Shqipëri shpresën, e të bashkuar do të protestojmë më 16 shkurt për një Shqipëri me arsim cilësor, për punë të mirëpaguara për brezin e ri, e për t’i dhënë fund largimit masiv të të rinjve nga vendi ynë.

Data 16 shkurt është koha për t’u dëgjuar çdo i ri dhe e re, çdo qytetar i vendit tonë e për t’i thënë qeverisë së Ramës, boll më me premtimet boshe.

16 shkurti është protesta e të rinjve, e njerëzve, e shqiptarëve dhe halleve të tyre.

Sot familjet shqiptare kanë më pak vende pune, taksa më të larta dhe të rinjtë po largohen sepse nuk kanë mundësi për arsim cilësor dhe shanse të barabarta.

Kjo është arsyeja pse ne të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë do të dalim në rrugë për t’u bërë zëri i të gjithë shqiptarëve, për të gjithë të rinjtë dhe familjet tona që janë lënë në baltë nga kjo qeveri.

Shqipëria i ka mundësitë për t’u ofruar rinisë dhe qytetarëve gjithë të mirat, në qoftë se ndiqen politikat e duhura. Ata sot duhet të ngrihen e të kërkojnë të drejtat e tyre. Së bashku jemi më të fortë e mund t’ia dalim.

Tani është koha ta bëjmë Shqipërinë një vend, ku të gjithë ndihen si në shtëpi!

*Deputete e LSI, kryetare e LRI

SHKARKO APP