Ambasadorja gjermane reagon për mandatet: Për dhunën ndaj të njëjtin qëndrim me Presidentin

Ambasadorja gjermane, Susanne Schütz, në një deklaratë për mediat ka reaguar për zhvillimet politike në vend dhe djegien e mandateve të deputetëve të opozitës. Ndryshe nga shumica e ambasadave të tjera në vend që kanë sulmuar ashpër vendimin e deputetëve opozitar, Schütz thotë se pavarësisht se e konsideron si rrugë të gabuar këtë akt,çdo deputet e merr këtë vendim në mënyrë individuale dhe mban përgjegjësi për këtë para së gjithash përpara zgjedhësve të vet”.

Lidhur me mënyrën e zgjidhjes së krizës politike dhe protestave, diplomatja gjermane është në një linjë me Presidentin Ilir Meta. “Dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Në këtë kontekst u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore. Edhe ata që organizojnë protestën mbajnë përgjegjësi, që situata të mos përshkallëzohet. Në këtë pikë ndaj të njëjtin qëndrim me Presidentin Meta në deklaratat pas bisedës së tij me Presidentin Federal Gjerman Steinmeier”,- shprehet ambasadorja gjermane Schütz.

Deklaratë e Ambasadores Gjermane Schütz:

Unë po i ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale. Jam e bindur se bojkoti i parlamentit apo dorëzimi i mandateve janë një rrugë e gabuar. Gjithsesi çdo deputet e merr këtë vendim në mënyrë individuale dhe mban përgjegjësi për këtë para së gjithash përpara zgjedhësve të vet. Por në interes të Shqipërisë unë u bëj thirrje të gjitha forcave politike që ndryshimet në opinione t’i përballin në formën e një dialogu konstruktiv në parlament. Duke mbajtur në vëmendje vendimmarrjen e BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë, se nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që reformat të vijojnë dhe të arrihen rezultate konkrete.

Dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Në këtë kontekst u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore. Edhe ata që organizojnë protestën mbajnë përgjegjësi, që situata të mos përshkallëzohet. Në këtë pikë ndaj të njëjtin qëndrim me Presidentin Meta në deklaratat pas bisedës së tij me Presidentin Federal Gjerman Steinmeier.

SHKARKO APP