Populli nuk ka bukë, qeveria dhe banda merr 10 milionë euro në Rinas

Tre ditë më parë, një lajm i frikshëm u fshi nga shumica e mediave pro qeveritare. Një pensionist në Berat tentoi të vrasë veten duke u djegur me benzinë. Teksa mjekët që e shpëtuan në momentet e fundit, e pyesnin se cila ishte arsyeja që kërkonte me ngulm vdekjen, ai tha përgjigjen drithëruese: “Nuk kisha bukë të haja”. Një lajm i tillë nuk vjen nga tregimet e Migjenit në shekullin e kaluar, por nga Shqipëria e Edi Ramës në vitin 2019. Është nga ato ngjarje tragjike që tregon në pak rreshta se në çfarë situate po jetojnë sot shqiptarë. Si pensionisti fatkeq nga Berati sot ka njerëz që vuajnë realisht, në kuptimin e plotë të fjalës, “PËR BUKËN E GOJËS”, në çdo cep të Shqipërisë.

Ndërkohë që diku në Shqipëri një pensionist vdes urie, dikush tjetër vdes në spitale sepse s’ka para të kurohet, apo një nënë nuk ka mundësi të ushqejë fëmijët, diku tjetër numërohen milionat e vjedhura. Sado që qeveria mundet ta zbukurojë realitetin në mediat e saj dhe në fjalimet e kryeministrit, sot shqiptarët jetojnë më keq se shumë vite më parë. Janë të varfër, të mashtruar, të vjedhur, pa shpesë dhe të tallur nga qeveria.

Grabitja e Rinasit është një ngjarje e rëndë kriminale dhe skandal i sigurisë kombëtare, por është e mjaftueshme për të kuptuar se banditët nuk janë vetëm ata me kallashnikov në dorë, por edhe zyrtarët me kollare në krye të institucioneve. Grabitja mjafton për të treguar, si një film me metrazh të shkurtër, se banditët dhe qeveritarët e korruptuar vjedhin njëlloj. Ndryshimi është se banditët përdorin kallash, ndërsa zyrtarët vjedhin pa armë, por vrasin dhe shkaktojnë tragjedi edhe më shumë se të parët. Ndaj sot të gjithë problemet që po vuajnë në kurriz shqiptarët, duket sikur vijnë nga e njëjta bandë kriminalo-politike.

Rinasi, Unaza e Re, Bregu i Lumit dhe qindra koncesionet e tjera qeveritare që kanë vjedhur qytetarët kanë sjellë sot situatën kur shqiptarët jetojnë ekonomikisht nën minimumin jetik. Shqipëria ndodhet në një krizë jo vetëm politike, por edhe ekonomike. Mungesa e vendeve të punës, rënia e të ardhurave, bllokimi i investimeve dhe rritja e taksave kanë bërë që vitet e fundit numri i shqiptarëve që janë larguar në emigrim të jetë njëlloj sikur vendi të ishte në konflikt të armatosur. Politikat e qeverisë këto vite kanë shkaktuar të njëjtin nivel shpopullimi në Shqipëri, njëlloj si në Siri, Irak dhe Afganistan, vende që kanë disa vite që janë në konflikt të armatosur.

Dhe realisht në Shqipëri duket se ka një konflikt jo dhe aq të heshtur. Është lufta e një qeverie të korruptuar ndaj qytetarëve të saj. Nuk mund të cilësohet ndryshe një qeveri që lufton qytetarët e saj me gaz lotsjellës dhe dhunë dhe nuk kap dot krimin.

SHKARKO APP