Profesori skocez: Politikat gjuhësore kanë diskriminuar dialektet e gjuhës shqipe
Flet për “Koha Jonë” Tomasz Camusella, profesor në universitetin Saint Andrew të Skocisë, i cili po mban disa ligjërata në Shqipëri e Kosovë
Profesori skocez: Politikat gjuhësore kanë diskriminuar dialektet e gjuhës shqipe
Intervistoi: Sidorela Lepri
Tomasz Kamusella është profesor në universitetin Saint Andrew të Skocisë dhe aktualisht është duke mbajtur disa ligjërata në Shqipëri dhe Kosovë. Ai ka botuar librin “Politikat gjuhësore në Evropën Qendrore dhe Juglindore”, ku në disa faqe të tij flitet edhe për gjuhën shqipe.
“Në fakt unë kam shkruar për historinë e gjuhës shqipe duke përmendur tekstin e parë të gjuhës shqipe të shkruar dhe të botuar. Pjesa më interesante ka qenë se arsyet fetare kanë çuar në shkrimin e shqipes në dy alfabete të ndryshme, përpara Kongresit të Manastirit.
Sipas meje, kjo provon që feja në atë kohë ka qenë më e rëndësishme se gjuha për identitetin e shqiptarëve.”, tregon Tomasz.
Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, profesori skocez flet edhe lidhur me prejardhjen e gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si gjuhë indoevropiane.
“Gjuha shqipe është një gjuhë indoevropiane, ashtu sikurse gjermanishtja, greqishtja apo rumanishtja.”, thotë ai. Më tej, Tomas flet edhe lidhur me politikat gjuhësore në Evropë dhe mënyrën sesi teknologjia po e transformon gjuhën.
Z.Tomasz, në librin tuaj “Politikat gjuhësore në Evropën Qendrore dhe Juglindore”, në disa faqe flitet edhe për gjuhën shqipe. Mund të na tregoni diçka më shumë për këtë?
Në fakt unë kam shkruar për historinë e gjuhës shqipe duke përmendur tekstin e parë të gjuhës shqipe të shkruar dhe të botuar. Pjesa më interesante ka qenë se arsyet fetare kanë çuar në shkrimin e shqipes në dy alfabete të ndryshme, përpara Kongresit të Manastirit.
Sipas meje, kjo provon që feja në atë kohë ka qenë më e rëndësishme se gjuha për identitetin e shqiptarëve. Më tej, kam shkruar për standartizimin e gjuhës shqipe dhe përjashtimin relativ të gegërishtes nga standardi. Kam shkruar, gjithashtu, për bashkësinë arbëreshe që flet shqip në Itali dhe arvanitasit që flasin shqip në Greqi.
Është diskutuar shpesh prejardhja e gjuhës shqipe. Cili është mendimi juaj për këtë?
Gjuha shqipe është një gjuhë indoevropiane, ashtu sikurse gjermanishtja, greqishtja apo rumanishtja. Nuk ka asgjë të fshehtë në prejardhjen e gjuhës shqipe nga pikëpamja gjuhësore.
Në këndvështrimin tuaj, cilët janë gjuhët më të vjetra në Ballkan?
Çështja e moshës së gjuhëve nuk i përket fushës së studimeve akademike. Kjo pyetje është pjesë dhe parcelë e instrumenteve ideologjikë të nacionalistëve. Nuk kemi ndonjë instrument për të vendosur se kur ka nisur të flitet një gjuhë e caktuar nga një grup i veçantë njerëzish, para dokumenteve të shkruara. Për më shumë, gjuhët si tërësi të veçuara janë një krijim perëndimor. Ato janë krijuar përmes vendimit për një alfabet specifik, përmes gramatikës dhe vendimeve politike, sikurse njoftimi se "gjuhët X janë zyrtare dhe kombëtare" në një vend të caktuar.
Në këtë mënyrë, njerëzit nisën të mendojnë për gjuhët gjatë dy shekujve të fundit. Kështu, të tilla gjuhë nuk mund të jenë më të vjetra se dyqind vjet.
A mendoni se dialektet rrezikohen të zhduken për shkak të përdorimit të gjuhëve standarte?
Pa dyshim, gjuhët standarte, ashtu sikurse përdoren përjashtimisht në shkolla, në zyrat shtetërore dhe në masmedia, i lënë dialektet dhe gjuhët e pakicave në skajet e hapësirës publike. Kështu në hapësirën e dy apo tre brezave ato do zhduken, kjo nëse shteti dhe shoqëria nuk kujdesen për to. Për shembull, në Austri dhe në Gjermaninë Jugore, njerëzit flasin dialektin vendor në shtëpi, dhe e mësojnë gjermanishten standarde në shkolla. Kështu, dialektet janë mirë dhe jashtë rrezikut të zhdukjes.
A kanë qenë diskriminuese politikat gjuhësore në Europë?
Në një farë shkalle, gjuhët standarde i lënë dialektet dhe gjuhët e pakicave mënjanë. Kështu, në këto kushte mund të thoni se disa dialekte dhe disa gjuhë pakicash janë të diskriminuara. Por diskriminimi më i keq është ai i gjuhëve joevropiane, i shkaktuar nga shumë shekuj kolonializmi.
A mendoni se teknologjia po e dëmton gjuhën në tërësi?
Jo! Teknologji janë shumë gjëra. Kjo vetë nuk i ka ndihmuar gjuhët. Në fakt agrikultura (që merret me studimin e kulturave bujqësore) ka ndihmuar në krijimin dhe zhvillimin e shteteve. Dhe në këtë mënyrë në shtetet e hershme shkrimi doli si një teknologji për regjistrimin e gjuhëve. Kështu, sot ne mund të lexojmë shkrimet e vjetra në latinisht apo ilirisht.
Si po e transformon teknologjia gjuhën e folur dhe atë të shkruar?
Teknologjia e shkrimit të librave dhe tekstet elektronike e bëjnë gjuhën standarde më të rëndësishme sesa të folurit. Kështu, njerëzit përpiqen të flasin në atë mënyrë sikurse janë shkruar librat. Kur bëhet fjala për të folurit, teknologjia vendimtare ka qenë radio dhe televizioni. Ato bënë të mundur homogjenizimin e të folurit nën ndikimin e gjuhës standarde.
Dhe së fundmi, a do përfshini në librat tuaj të ardhshëm ndonjë studim për Shqipërinë?
Unë dua, por nuk e njoh shqipen kaq mirë. Shpresoj që disa nga lexuesit tuaj do këshillohen me librin tim mbi Politikat Gjuhësore dhe mbi këtë bazë të bëjnë hulumtimet e tyre vetjake për politikat korrente të gjuhës shqipe në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera.