Home POLITIKE 19 shqiptarë ...

19 shqiptarë nga kampet e Sirisë mbërrijnë në atdhe/ Rama: Operacion i vështirë. 2 persona janë pengje

9
0

Mëngjesin e kësaj të diele, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp nga Rinasi, ku mbërritën 14 fëmijë dhe 5 gra shqiptarë që kishin qëndruar për vite në kampet e ferrit në Siri. Rama e cilësoi operacionin e riatdhesimit të këtyre shqiptarëve si të jashtëzakonshëm dhe premtoi se do të ketë dhe një të ngjashëm më vonë, ku pritet të kthehet dhe një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh të tjerë.

“Përmbyllëm një operacion të jashtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkatdhetarë nga kampet e ferrit në Siri. 5 gra dhe 14 fëmijë i shkëputëm pas një përpjekje të gjatë, pas një operacioni me vështirësi dhe rreziqe dhe falë ndihmës nga konsulli ynë i nderit në Liban dhe gjenerali Abbass, të cilin e kam falënderuar dhe më parë. Është një ngjarje pozitive dhe ne nuk do të ndalemi. Ka dhe një operacion për të zhvilluar por nuk e dimë ende sa është numri i shqiptarëve për t’u kthyer. Por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin. Duke menduar se më shumë se gjysma është marrë dhe është në vendin tonë. Një rol të rëndësishëm ka luajtur dhe struktura e antiterrorrit në MB dhe Policinë e Shtetit. Ky është një zotim që do e realizojmë deri në fund”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se për personat e riatdhesuar do të qëndrojnë për disa kohë në një strukturë të posaçme në Durrës, për t’u kthyer më pas tek familjet e tyre. Po ashtu shtoi se janë identifikuar dy shqiptarë në Siri që refuzojnë të kthehen, por sipas burimeve inteligjente ata mbahen peng dhe kanë frikë për jetën e tyre.

“Ata janë marrë nga strukturat e posaçme dhe do t’i drejtohen një strukture të përgatitur për ta në Durrës. Do të bëhen të gjitha kontrollet mjekësore dhe psikologjike dhe më pas sipas rastit do të çohen në shtëpi ose më pas do të qëndrojnë. Bëhet fjalë dhe për fëmijë dhe kjo e bën më të lehtë këtë punë nga pikëpamja e sigurisë. Nga pikëpamja shoqërore kjo kërkon kohën e vetë. Deri tani janë shfaqur raste sporadike. 2 raste që ne njohim personash që refuzojnë të kthehen. Por nga informacionet e marra në mënyrë inteligjente janë pengje. Janë persona që kanë frikë dhe mendojnë që gjatë momentit të shkëputjes mund t’i marrin jetën”.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Politika

Më shumë nga Politika

Lajmet e Fundit

Te Fundit