45 të arrestuarit për drogë në Elbasan, 35 prej tyre mbeten në burg

Placeholder Image

Gjykata e Elbasanit mbajti në qeli më masën arrest me burg 35 nga 45 personat e arrestuar në kuadër të operacionit “Rrjeti” përmes të cilit policia tha se goditi katër grupe kriminale të trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në këtë qark.

Togat e zeza, miratuan kërkesën e prokurorisë që 3 nga të arrestuarit do të vazhdojnë të hetohen me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa për 7 të tjerë u caktua masa “detyrim paraqitje”.

7 persona ndërkohë janë ende në kërkim policore me vendim të Gjykatës, ndërkohë që për 29 persona të tjerë  po hetohen në gjendje të lirë.

Të gjithë akuzohen për prodhim, trafikim dhe shitje të lëndëve narkotike, si pjesë e katër grupeve kriminale me veprimtari në qarkun e Elbasanit dhe qytete të tjera!

Prokurori i Çështjes, tha se operacioni është në vazhdim, pasi nga dëshmitë e të arrestuarve janë nxjerrë të dhëna për persona të tjerë të përfshirë në aktivitet.

Operacioni “Rrjeti”, një nga më të mëdhenjtë e viteve të fundit kundër narkotikëve u shtri në Qarkun e Elbasanit dhe Pogradec. Policia tha se shkatërroi plotësisht 3 grupe kriminale dhe pjesërisht një të katërt.

Gjatë aksionit u sekuestruan 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroinë, kanabisi dhe metadoni, sikurse edhe fara kanabisi. Kontrollet në 52 banesa e biznese të tjera zbuluan edhe armë zjarri, municion luftarak dhe armë të ftohta.

Grupeve të drogës iu sekuestruan 51 milionë lekë, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zvicerane.

SHKARKO APP