57-vjeçari në Kukës regjistron beben “fantazmë” dhe e shpall të vdekur 21 vjet më vonë

Placeholder Image

Një 57-vjeçar është arrestuar nga Policia pasi akuzohet për veprën penale të mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Bëhet fjalë për shtetasin Xh. S., i cili 21 vjet më parë falsifikoi dokumente për të regjistruar brenda trungut të tij familjar (si të bijën), identitetin e një shtetaseje të mitur e cila nuk ekzistonte. Po ashtu 57-vjeçari falsifikoi sërish dokumente në vitin 2021, për ta shpallur të vdekur këtë fëmijë.

E gjithë ngjarja që ngjan me skenarin e një filmi është kryer nga 57-vjeçari për të përfituar pension më të lartë, bazuar në ligjin e kohës.

Ndërkaq policia bën me dije se janë proceduar penalisht për dyshime për shpërdorim të detyrës, një mjek dhe administratori i një agjencie funerale. Bëhet fjalë për shtetasit A. E., me profesion mjek, dhe A. E., administrator i një agjencie funerale.

Për këta të fundit vijojnë hetimet, me qëllim provimin nësë këta shtetas kanë qenë apo jo të implikuar në nxjerrjen e dokumenteve false që ka përdorur shtetasi Xh. S.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP