76 vota pro, miratohet rezoluta anti-korrupsion nga PS. Rama: Nuk është një luftë vulgare për pushtet

Pas debateve të shumta, Kuvendi ka miratuar me 76 vota pro rezolutën antikorrupsion të PS-së. Kundër votuan Agron Shehaj dhe Dashnor Sula. Të gjithë deputetët e tjerë të opozitë nuk morën pjesë në votim. Kryeministri Edi Rama ishte sot në Kuvend për të mbrojtur pr/rezolutën duke e bërë të qartë se komisioni i posaçëm nuk ka lidhje me punën e prokurorisë së Posaçme dhe ftoi opozitën ta votojë. Ndërsa fliste, nga ana tjetër deputetët e grupit të PD-së së Rithemelimit bënin zhurmë duke i rënë tavolinave, dhe kryeministri iu përgjigj me ironi.

Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës se me këtë rezolutë do të kapte SPAK-un dhe se lufta kundër korrupsionit është e pandalshme dhe se ata nuk e ndalin dot këtë nismë. “Kjo nuk është një luftë vulgare për pushtet, por është një luftë për shtetbërjen demokratike, për institucione funksionale, për mekanizma shtetërorë, institucionalë, shoqërorë që shkojnë përtej “Lena-Prenave” dhe që ulin hap pas hapi, ndikimin e lartë të subjektivitetit njerëzor mbi çdo pjesë të makinerisë kushtetuese dhe ligjore, në funksionimin e Republikës, duke forcuar sundimin e ligjit mbi subjektet që veprojnë dhe ndërveprojnë mes veti apo me shtetin dhe mirëqeverisjen e tyre. Nuk e ndalin dot si nuk u ndal reforma në drejtësi nuk ndalet as kjo. Prandaj thirrja ime është votojeni draftin e rezolutës, po nuk e gjetët këtë forcë, mos e bojkotini nesër Komisonin Hetimor”, tha Rama.

Kryetari i grupit parlanetar të PD-së, njëherësh edhe nënkryetari i grupit të Rithemelimit, Gazment Bardhi paralajmëroi abstenim të pr/rezolutës, ndërsa Lulzim Basha u largua nga salla e Kuvendit.

”Nëse e keni seriozisht hajde ta nisim tek korrupsioni zgjedhor. Ta luftojmë siç i ka hije çdo vendi. Në emër të grupit të PD-së, ne e cmojmë të panevojshme miratimin e një resolute për t’i caktuar vetes axhendën çfarë duhet të bëjmë, prandaj do të abstenojmë duke mos marrë pjesë në votim. Ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë, ndërsa ju që e keni nevojë ti konfirmoni vetes të luftojë korrupsionin me fjalë mund ta bëni”,-tha Bardhi.

SHKARKO APP